Qeveria fton opozitën të heq dorë nga dhuna e t’i kthehet dialogut

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër përdorimin e sërishëm të gazit lotsjellës helmues në seancën e Kuvendit të Kosovës, me të cilin sërish është sulmuar Kuvendi i Kosovës dhe është rrezikuar shëndeti dhe jeta e të zgjedhurve të popullit të Kosovës.




Qeveria e Kosovës i konsideron sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës, transmeton Koha.net.

Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje përfaqësuesve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna dhe sulmet mbi institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe që agjendat e tyre politike të përpiqen t’i realizojnë përmes mjeteve demokratike.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj maksimal për debat të bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese, me qëllim të ruajtjes së konsensusit nacional, si dhe të përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, për procese madhore që lidhen me të ardhmen e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe që janë vullneti suprem i popullit të Kosovës.