Qeveria e Shqipërisë ia shton pesë vjet koncesionarit të Aeroportit të Rinasit

Qeveria e Shqipërisë i shton pesë vjet koncesionarit të Aeroportit të Rinasit në këmbim të heqjes së ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare që do të çojë në hapjen e Aeroportit të Kukësit dhe ndërtimin e aeroporteve të tjera në Shqipëri.




Ministri i Transporteve dhe i Infrastrukturës së këtij vendi, Edmond Haxhinasto, u ka dhënë fund mëdyshjeve për nënshkrimin ose jo të një marrëveshje me TIA-n (Tirana Airport Partners) që ka me koncesion aeroportin e vetëm ndërkombëtar në Shqipëri, atë të Rinasit deri në vitin 2025, njëherësh edhe ekskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare.

Por kompania gjermane ka lëshuar nga sovraniteti i saj në qiejt e Shqipërisë në këmbim të shtimit të afatit të koncesionit, i cili do të jetë pesëvjeçar, pra deri në vitin 2030.

«Negociatave të gjata dhe të vështira mes palëve, po u vjen fundi. Mund të them se jemi në fazën e përpunimit të detajuar të termave të kësaj marrëveshjeje», ka pohuar ministri i Transporteve dhe i Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.

Marrëveshja pritet të firmoset brenda muajit shtator që do të thotë se koncesionari gjerman do të heqë dorë nga ekskluziviteti i fluturimeve ndërkombëtare nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe në këmbim, Qeveria do të shtyjë për pesë vjet afatin e kontratës.