Qeveria e Shqipërisë dhe koncesionari i Aeroportit të Rinasit përplasen për sigurinë

Kryeministri dhe tre ministra ia hodhën fajin kompanisë koncesionare për thyerjen e rëndë të sigurisë në aeroport ndërsa kjo e fundit akuzon qeverinë për keqinformim dhe thotë se policia është e pranishme në të gjithë territorin e aeroportit.

Një aeroplan i kompanisë Austrian Airlines i fotografuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës më 9 prill 2019, pak pasi një grup i armatosur grabitësish vodhën një sasi parash. Foto: Malton Dibra/LSA



Qeveria shqiptare akuzoi në katër deklarata të ndryshme kompaninë Tirana International Airport si përgjegjëse për thyerjen e sigurisë në aeroportin e Rinasit të martën, kur një numër i paidentifikuar grabitësish të armatosur hynë në pistë, morën nën kontroll për disa çaste avionin e linjës Tiranë-Vienë me 150 pasagjerë në bord dhe arritën të largohen në drejtim të paditur bashkë me disa thasë të mbushura me para.

Pas deklaratës së ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, pëgjegjëse për menaxhimin e aviacionit civil në Shqipëri, ku i hidhej faji kompanisë koncesionare, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj shkoi më tutje duke thënë se fajin e ka “kompania kineze” ndërsa ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi se do të dërgojë forcat e armatosura për të garantuar sigurinë në aeroport. Në fund, ishte vetë kryeministri Edi Rama që shpalli fajtore TIA-n ndërsa mbrojti punën e policisë së shtetit. «Nga analiza e deritanishme, rezulton se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë që janë nën përgjegjësinë e kompanisë koncensionare të aeroportit», deklaroi Lleshaj.

«Në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit, për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit ‘Nënë Tereza’, të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura», deklaroi Xhaçka. «Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi po njësoj në garantimin e sigurisë», deklaroi Rama.

Kompania nga ana e saj i konsideroi deklaratat «keqinformim». «TIA kishte vendosur të respektonte hetimet nga autoritetet përkatëse dhe në respekt të këtyre hetimeve, nuk u prononcua deri më tani», shkroi kompania në një deklaratë për shtyp për të shpjeguar heshtjen 24 orëshe prej saj. «Por, pasi ndoqëm me shqetësim deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme, duket se etika e TIA-s ka shërbyer për herë të dytë për një keqinformim të publikut dhe fajësimin – si skenar i përsëritur – për një akuzë të rëndë që nuk qëndron në shpatullat e një koncesionari të huaj, pa mënjanuar kërkesat e Kontratës së Koncesionit që TIA përmbush çdo ditë në lidhje me sigurinë aeroportuale», vijon më tej deklarata.

Qeveria dhe në veçanti, policia e shtetit po përballen me pikëpyetjen se si mundet që një numër njerëzish të armatosur të arrijnë të depërtojnë në aeroport, një objekt i sigurisë së veçantë, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit të një avioni. Sipas qeverisë, fajin për këtë cënim të rëndë të sigurisë kombëtare, e ka kompania private që menaxhon aeroportin. Kompania thotë se në fakt, çështje të tilla i takojnë policisë dhe jo një kompanie private. «[Aeroporti] është pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi. Ndaj deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme e vlerësojmë si të pasaktë», thotë kompania. «Bëjmë thirrje dhe lutemi për vëmendje të kuptojmë të gjithë, se forcat e policisë janë të pranishme në çdo cep të aeroportit si objekt i rëndësisë së veçantë, si zonë kufitare dhe policia e ka detyrë ligjore, për të ruajtur rendin dhe jetën e qytetarëve në rast incidenti të armatosur», shkruhet në deklaratë.

Tirana Airport Partners është kompania që fitoi një kontratë koncesionare nga qeveria socialiste në vitin 2004 ndërsa qeveria PS-LSI në vitin 2016 e zgjati afatin e koncesionit me dy vjet. TIA akuzohet se nuk ka investuar mjaftueshëm për sistemet e sigurisë ndërsa ajo thotë se pas ngjarjes së vitit 2016, kur një bandë kriminale kreu një grabitje të ngjashme pasi depërtuan në pistën e avionëve, dhe grabitën një sasi parash. TIA u ankua gjithashtu për etiketimin e përsëritur të ministrave dhe kryeministrit si «kompani kineze», një term që mbart notë denigruese në Shqipëri. «Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve», thuhet në deklaratë. Koncesioni i Rinasit u fitua fillimisht nga një kompani gjermane, e cila ia shiti më pas një kompanie spanjolle, e cila ia shiti kompanisë Real Fortress Private Limited për 83 milionë euro në vitin 2016. Koncesioni përfundon në vitin 2027.