Qeveria e re e Kosovës: njëri dyshohet se erdhi në pushtet pasi mbeti pa para, tjetrit i pëlqen një autokrat

Kosova ka një qeveri të re, tepër të madhe. Dy përfaqësues bien në sy: ministri i Jashtëm Pacolli dhe kryeministri Haradinaj. Analizë e gazetës austriake «Der Standard».

Në cak: B. Pacolli dhe R. Haradinaj pas zgjedhjes së qeverisë së Kosovës.



Klani i tij pret udhëzime prej tij dhe i zbaton ato. Ai i jep punë farefisit dhe e mban familjen. Në këtë kuptim Behgjet Pacolli është shqiptar tipik. Nga ana tjetër ky 68-vjeçar ka kontakte shumë të mira në Rusi dhe është mjaft i pasur – gjë që nuk mund të thuhet për bashkëkombësit e tij. Këtë ndërtimtar mund ta gjesh edhe aty ku nuk e kërkon, ai kujdeset vazhdimisht për shumëçka: liron pengje në Afganistan, lobon për vendin e tij në skenën ndërkombëtare dhe ndërton pallate për diktatorët e Azisë qendrore. Në të vërtetë Pacolli, i cili banon në një vilë në Zvicër, ka mjaft para dhe pas vetes mjaft aventura. Por, së fundi ai është bërë ministër i Jashtëm i Kosovës. Ky mjeshtër ndërtimesh nuk ka aq njohuri diplomatike dhe është një mendje e thjeshtë, por partitë, të cilat deshën të krijojnë qeverinë, nuk patën mjaft vota në parlament, dhe Pacolli, i cili që nga viti 2007 drejton partinë e tij AKR, u bë ndihmës për të arritur shumicën. Kjo nuk është përvoja e tij e parë në politikën e brendshme kosovare. Njeriu që ka edhe shtetësinë zvicerane ka qenë më parë zëvendëskryeministër dhe në vitin 2011 madje edhe president. Pas pak javësh ai u detyrua të japë dorëheqje, sepse ishte bërë publike se si parlamentarët ishin «udhëzuar» nga padronët e partive të tjera t’ia japin votën mjeshtrit të pasur të ndërtimtarisë.

Fillimi i karrierës në Austri

Konglomeratin e firmave të tij, të njohur si Mabetex, ai e themeloi më 1990 në Zvicër. Por, karrierën e filloi në Austri, ku si i ri bënte biznese në Lindje për firmat austriake. Nga ajo kohë Pacolli ka edhe kontakte të mira në Rusi. Pastaj ai punoi për firma zvicerane dhe u bë tamam i pasur kur në vitet ’90 nga Boris Jelcini mori tenderin për të rinovuar Kremlinin. Jelcini ia vari Pacollit rreth qafës urdhrin më të lartë për arkitekturë dhe art. Por, kupolat e Kremlinit nuk i sollën atij vetëm shkëlqim. Më 1998 Prokurori i Përgjithshëm filloi hetimet për ryshfetdhënie kundër Mabetexit. Pacolli paditi Prokurorin e Përgjithshëm dhe fitoi lëndën – ky i fundit qe i shtyrë t’ia paguajë një milion rubla kosovarit. Pacolli është ofensiv dhe me siguri të plotë nuk është prej atyre që ngurron t’i zgjidhë problemet me para. Përkundrazi: ai është i mësuar që kështu mund të arrihet shumë. Disa herë ai u angazhua me sukses në Afganistan për t’i liruar njerëzit e OKB-së të marrë peng. Edhe qeveria italiane me një rast ishte këshilluar me të. Kështu «ashpër» Pacolli vepron kur të jetë puna për të lobuar për vendlindjen e tij – edhe në Afrikë. Deri më tani 111 prej 193 shteteve të botës e kanë pranuar Kosovën, e cila më 2008 shpalli pavarësinë.

Idhull i tij është autokrati Nazarbajev

Edhe Mabetexi qëmoti nuk është vetëm firmë ndërtimore, por aktive edhe në fushën bankare, në sigurime, ndërtime spitalesh dhe në biznesin e mediave. Punët e mëdha dhe biznesi ende janë në Kazakistan. Atje Mabetexi ka ndërtuar pallatin e presidentit Nursulltan Nazarbajev. Pacolli dhe Nazarbajev janë miq të mirë. «Ai rrezaton energji pozitive, është konstruktiv dhe e do vendin e tij. Për mua ai është politikani ideal. Përpiqem të jem si ai», thotë mjeshtri i ndërtimeve mbi autokratin.

Kiçi bombastik, të cilin Pacolli e ndërtoi për presidentin e Kazakistanit, përndryshe i përngjan atij stili të ndërtimit, të cilin në trajtë të vogël mund ta vështrosh në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë. Aty Pacolli e ka ndërtuar hotelin Swiss Diamond, i cili do të mund të ishte edhe në Las Vegas. Qe disa javë në kryeqytetin e Kosovës pëshpëritet se «pazari qeveritar» me Pacollin përfshinë edhe një patundshmëri tjetër. Fjala është për hotelin Grand nga koha e Jugosllavisë, një godinë shumëkatëshe në qendër të qytetit. Këtë hotel Pacolli deshi ta blejë para disa vitesh gjatë privatizimit – dhe një nga firmat e konglomeratit të tij ka nisur një procedurë në një Gjykatë Arbitrazhi kundër shtetit të Kosovës, sepse nuk e kishte fituar tenderin. Edhe më absurde dhe mbase edhe konflikt interesi është që tani Pacolli u bë ministër i Jashtëm.

Duke pasur parasysh faktin se kabineti i ri ka 21 ministri dhe agjendat ekonomike janë të shpërndara mes shumë resorëve, nuk duhet llogaritur se do të ketë investime vendimtare në Kosovë.

Kontakte të mira me Rusinë

Pasuria e Behgjet Pacollit vlerësohet të jetë rreth 500 milionë euro. Ai është baba i gjashtë fëmijëve, dre djem e tri vajza, dhe aktualisht është i martuar me një ruse. Ai flet shtatë gjuhë, mes tyre rusisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht – dhe natyrisht gjermanisht. Të dobishme mund të jenë kontaktet me Rusinë. Sepse në muajt e ardhshëm pritet të rifillojë dialogu me Serbinë. E hapur është nëse në kuadër të tij edhe Rusia – e cila nuk e njeh Kosovën dhe e bllokon anëtarësimin në OKB – do të ndryshojë qëndrimin e saj. E paqartë është se çfarë lëshimesh mund të dëshirojë Moska. Sidoqoftë, e habitshme është se pjesëmarrja e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, po përkrahet jo vetëm nga qeveria serbe, por edhe nga partia qeverisëse ruse. Kjo është një shenjë se Rusia mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të finalizohet në vitin 2019. I shkujdesuri Pacolli në kuadër të këtij dialogu mbase mund ta ketë më lehtë me palën serbe dhe se me vetë kryeministrin. Sepse kundër Ramush Haradinajt ende është në fuqi një aktakuzë serbe.

Akuzë për torturë kundër Haradinajt

Zakonisht shefat e shtetit dhe të qeverisë gëzojnë imunitet, por meqë Serbia nuk e ka pranuar Kosovën, kjo nuk vlen për Haradinajn. Nëse ai do të kalonte kufirin me Serbinë, do të arrestohej menjëherë. Autoritetet serbe e akuzojnë se ka torturuar dhe vrarë civilë serbë. Në janar Haradinaj u arrestua në Francë sipas fletarrestit serb dhe tek disa javë më vonë u lirua. Haradinaj është një nga figurat udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në rajonin e Dukagjinit në Kosovën perëndimore. Gjatë luftës në vitin 1999 SHBA-të llogarisnin në të, sepse ai ishte njëri prej padronëve të luftës, i cili ishte në gjendje të garantojnë siguri. Dy vëllezër të tij, Luan Haradinaj dhe Shkelzen Haradinaj, janë vrarë nga njësitë serbe. Pas luftës kishte «larje hesapesh» mes UÇK-së dhe FARK-ut, një grup tjetër i armatosur. Në kuadër të këtyre «larjeve të hesapeve» shpërtheu një ngatërresë mes familjes Haradinaj (UÇK) dhe familjes Musaj (FARK). Gjatë një shkëmbimi të zjarrit në kuadër të kësaj ngatërrese në vitin 2000 Ramush Haradinaj u plagos dhe u dërgua me helikopter në kampin ushtarak amerikan Bondsteel. Që nga atëherë ai – për shkak të lëndimit të fytyrës – ka një defekt të lehtë në të folur. Në vitet pas luftës u vranë disa njerëz të FARK-ut. Mes tyre edhe Sinan Musaj, anëtar i klanit Musaj. Vëllai i Ramush Haradinajt, Dauti, u dënua më 2002 për shkak të kësaj vrasjeje dhe të tre të tjerëve.

Vrasje dëshmitarësh dhe hetuesish

Vdekjen nuk e gjetën vetëm anëtarët e FARK-ut, por edhe të tillë që ishin të gatshëm të dëshmojnë për rastet e vrasjeve. Tahir Zemaj pritej të ishte dëshmitari kryesor kundër Daut Haradinajt. Ai dhe djali i tij Enisi dhe nipi i tij Hyseni u vranë midis rruge në janar të vitit 2003. Pastaj radha u erdhi atyre që u përpoqën ta hetojnë rastin: në nëntor 2003 u vranë policët Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj ndërsa po shkonin në punë. Kur AAK e Ramush Haradinajt u bë pjesë e qeverisë, vrasjet morën fund. Vetë Ramush Haradinaj u bë kryeministër. Por, në vitin 2005 u vra në veturën e tij një vëlla tjetër i Ramushit, Enver Haradinaj.

Pa dënim në Hagë

Po më 2005 Haradinaj qe i shtyrë të shkojë vetë në burg në Hagë, ku para Tribunalit të Jugosllavisë u zhvillua procesi kundër tij për krime të luftës. Haradinaj u akuzua se gjatë luftës ishte pjesë e një ndërmarrjeje kriminale, e cila kishte për qëllim të ketë «kontrollin total» në rajonin e Dukagjinit, duke kidnapuar apo keqtrajtuar serbë, por edhe romë, egjiptianë dhe shqiptarë si dhe civilë të tjerë, të cilët «dyshoheshin» se bashkëpunojnë me Serbinë. Nga viti 1998 sidomos serbët u dëbuan nga fshatrat e tyre nga ana e UÇK-së. Në procesin kundër Haradinajt gjykata konstatoi se ka qenë vështirë t’i bind dëshmitarët të flasin. Ekzistoi «përshtypja e fuqishme» se dëshmitarët ndiheshin të pasigurt. Në këtë proces shtatë vrasje u dëshmuan si vepra të UÇK-së. Por, nuk u arrit t’i dëshmohej Haradinajt se ishte themeluar një ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe më 2008 ai u lirua. Së paku një dëshmitar vdiq në rrethana të dyshimta. Procesi filloi edhe njëherë, por Haradinaj u lirua më 2012 në mungesë të dëshmive.

Konflikt mes Haradinajt dhe presidentit Thaçi

Një ndër hapat e parë të kryeministrit ishte emërimi i një komisioni të ri për kufijtë e shtetit dhe shkarkimi i komisionit të vjetër. Viteve të fundit Haradinaj kishte luftuar politikisht kundër marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi me pretendimin se Kosova humb territor me vijën e re kufitare – gjë që nuk i përgjigjej gjetjeve të ekspertëve, por politikisht kjo i ndihmoi Haradinajt. Pas kësaj fshihet një histori e vjetër: para se ish-komandanti, i cili në Kosovë nderohet si askush tjetër si «hero i luftës», u detyrua të shkojë në Hagë, ai ishte kryeministër. Rivali i tij më i madh edhe gjatë luftës ka qenë komandanti i atëhershëm i UÇK-së dhe presidenti i tanishëm Hashim Thaçi. Thuhet se ky i kishte premtuar se pasi të kthehet nga Haga mund të bëhet sërish kryeministër. Por, kjo nuk bëri vaki: Thaçi e frenoi Haradinajn, dhe ky qe i shtyrë të qëndrojë në opozitë viteve të fundit. Por, dalëngadalë këtij 49-vjeçari iu harxhuan paratë – madje edhe shtëpinë e tij e dha me qira. Rrëfimi për gjoja humbjen e territorit për shkak të marrëveshjes kufitare me Malin e Zi në këtë situatë ishte ideal – edhe për të ardhur në pushtet dhe te arkat me para. Shumë kosovarë në qershor e zgjodhën Haradinajn për shkak të rrëfimit mbi marrëveshjen për kufirin.

25 parti në qeveri

Bashkë me Vetëvendosjen e majtë dhe nacionaliste ai më parë kishte bojkotuar punën në parlament. Në fund PDK e Hashim Thaçit lëshoi pe dhe para zgjedhjeve u arrit pajtimi për krijimin e një koalicioni partiak, i cili tani është në pushtet. Si shpeshherë në Ballkan tani problemet delikate pritet të zgjidhen jo nga forcat e moderuara, por më shumë nga ato nacionaliste. Por, Mali i Zi nuk dëshiron të negociojë më për përmbajtjen e marrëveshjes. Nëse dëshirohet të ratifikohet marrëveshja, kjo duhet të bëhet në formën e tanishme. Nëse kjo nuk arrihet, Kosova edhe më tutje nuk do të ketë liberalizim të vizave, por edhe Haradinaj do të duhej të arsyetohej. Kabineti i tij tejet i madh me 21 ministri – absurd për një shtet aq të vogël dhe të varfër si Kosova – tregon se shumë forca duhej të «kënaqeshin» për të formuar një koalicion. Të përfaqësuara janë gjithsejtë 25 parti, mes tyre edhe miniparti.