Qeveria e Kosovës hesht për thirrjen e BE-së në lidhje me tokën e manastirit

Autoritetet në Prishtinë kanë heshtur pasi BE-ja bëri thirrje për zbatim të një vendimi gjyqësor që mbështeti pretendimin e manastirit Ortodoks Serb për pronësinë e tokës, duke zemëruar disa shqiptarë të Kosovës.

Manastiri i Deçanit. Foto: Manastiri i Deçanit.



Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar t’i përgjigjet një apeli nga zyra e BE-së në Prishtinë për të vënë në zbatim një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vendit në lidhje me një mosmarrëveshje pronësie që përfshin manastirin Ortodoks serb në Deçan në Kosovën perëndimore.

Vendimi i dhënë në maj 2016 thoshte se toka në mosmarrëveshje i përkiste manastirit dhe jo dy kompanive private.

Zyra e kryeministrit Isa Mustafa nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN-it në lidhje me thirrjen e BE-së.

Por burimet pranë zyrës së kryeministrit thanë për BIRN në kushte anonimiteti se qeveria ka në plan të mos i kushtojë vëmendje vendimit, i cili s’është aspak i mirëpritur midis shqiptarëve të Kosovës.

Të enjten, zyra e BE-së shprehu shqetësim në lidhje me «mungesën e vazhdueshme të zbatimit të këtij vendimi» dhe dënoi «çdo veprim për të bllokuar qasjen apo penguar jetesën në manastirin e Deçanit».

«BE-ja i bën thirrje autoriteteve të të gjitha niveleve të tregojnë respekt për sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik. Zbatimi i plotë i vendimit duhet të bëhet pa vonesë», tha ajo.

Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, i cili kundërshton të drejtën e Kishës Ortodokse Serbe për pronësinë e tokës, tha se ndërsa sundimi i ligjit duhet të respektohet, komuna nuk kishte ndërmend të nderonte «vendime të ndikuara dhe të paligjshme».

«Ne mbetemi të gatshëm për marrëdhënie të mira me manastirin, por jo për dhënien e pronave që pengojnë zhvillimin ekonomik të Deçanit», tha Selmanaj.

Zyra e Lidhjes së Historianëve të Kosovës në Deçan gjithashtu dënoi deklaratën e zyrës së BE-së, duke thënë se vendimet mbi pronësinë e tokës në epokën e Slobodan Milosheviqit nga viti 1989 në 1999 ishin «të pazbatueshme në vendin tonë».

Toka ishte fokus i demonstratave të mëparshme në vitin 2012, pasi Gjykata e Larta vendosi se 24 hektarët i përkisnin manastirit dhe jo dy kompanive nga Kosova që e kishin pretenduar atë tokë që prej përfundimit të konfliktit të vitit 1999.

Pas 16 vitesh përballje gjyqësore, Gjykata Kushtetuese më 20 maj konfirmoi të drejtën e manastirit për 24 hektarët tokë, të barabartë me 59 akra.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shkaktoi protesta nga shqiptarët e Kosovës, disa prej tyre mbanin banderola ku shkruhej «Gjykata Kushtetuese shkeli drejtësinë».

(https://www.reporter.al/qeveria-e-kosoves-hesht-per-thirrjen-e-be-se-ne-lidhje-me-token-e-manastirit/)