Qeveria ciklopiane

Qeveria e Kosovës më shumë i përngjanë Ciklopit, që me syrin e vetëm të tij nuk sheh gjë tjetër, përpos dobisë individuale e klanore. Shikuar për nga përmasat kjo platformë është joefektive dhe joeficiente. Është edhe e shtrenjtë, edhe kanibalizuese, sepse brenda saj ka më shumë së një gjysmë dyzine ministrish, që kanë kompetenca dhe fushëveprimtari thuaja se identike me njëra tjetrën.

Foto: Shutterstock



Në çdo demokraci, posaçërisht në kohë zgjedhjesh, flitet për madhësinë e aparatit qeverisës. Përderisa partitë e majta avokojnë zakonisht për qeveri të mëdha, të cilave duhet t’iu besohet një rol më i madh në menaxhimin e përditshmërisë së qytetarëve, ato të djathtat argumentojnë se vetëm qeveritë e vogla janë të dobishme për zhvillimin e ekonomisë, ndërmarrësisë, promovimin e lirive etj. Shqiptarët në këtë rrafsh bëjnë përjashtim. Përderisa, një qeveri e majtë në Tiranë, ka krijuar një aparat minimal qeveritar, me 11 dikastere ministrore, 1 kryeminsitër dhe 1 zëvendëskryeministër, qeveria në Prishtinë, që pretendon të jetë një koalicion i partive të qendrës së djathtë, ka numër rekord prej 27 dikastereve (21 ministri, 1 kryeministër, 5 zëvendëskryeministra). Në këtë kuptim lirisht mund të krahasohemi me Kinën.

Se sa duhet të jetë e madhe një qeveri, këtë normalisht e diktojnë edhe nevojat konkrete dhe sfidat me të cilat përballet një vend. Identifikimi i sfidave pasohet nga një detajizim i koncepteve për zgjidhjen e tyre, në kuadër të të cilave vendoset edhe për numrin dhe llojin e dikastereve ministrore. Kështu duket të ketë vepruar Kryeministri Rama. Për Haradinajn, kjo nuk mund të thuhet, sepse qeveria e tij as nuk ka program qeverisës, as nuk ka prezentuar koncepte përmbajtësore për zgjidhjen e problemeve të shumta, veçmas në sferën e ekonomisë dhe atë sociale. Gjykuar nga përvoja e dhjetë viteve të fundit, si PDK-së ashtu edhe partnerëve të saj më të vegjël, NISMA dhe AKR, iu mungon vizioni dhe kompetenca ekonomike. Ende më larg qëndron partia e Haradinajt. Ajo kurrë nuk është shquar për ndonjë koncept apo afinitet në qeverisjen ekonomike.

Emëruesi i përbashkët i këtyre partive është se ato duke qeverisur herë bashkë e herë ndaras, janë shquar për dështime dhe keqmenaxhim, të cilat vendit po vazhdojnë t’i kushtojnë shumë. Dy nga dështimet që vlen të përmenden nga koha e qeverisjes së AAK-së në nivel vendi, janë privatizimi i Ferronikelit dhe dhënia e licencës së dytë të telefonisë mobile. Privatizimi i Ferronikelit u bë shembull shkollor, krahas shembujve të periudhës së kolonializmit në Afrikë, se si nuk guxon të ndodhë privatizimi. Qeveria e udhëhequr nga AAK, nuk diti të kushtëzojë këtë privatizim për shembull me detyrimin për zhvillimin e zinxhirëve të vlerës për përpunim të mëtutjeshëm të xehes brenda vendit dhe e ktheu Kosovën në një eksportues të thjeshtë të lëndës së parë. Partia, që për nga emri i saj ndërlidh veten me ardhmërinë, me këtë akt e pamundësoi krijimin e një trungu të kapitalit, i cili do t’i shtonte mirëqenien gjeneratave të sotme e posaçërisht atyre të së ardhmes. Rasti tjetër është ai i dhënies së lincencës së dytë telefonike në Kosovë dhjetë vjet më parë, të cilin gazetarë hulumtues kosovarë e kanë cilësuar si “një prej mashtrimeve më të mëdha financiare që ka ndodhur në historinë institucionale të Kosovës”. Përderisa dëmi që i është shkaktuar vendit në rastin e dytë llogaritet në mbi 16 milionë euro, në rastin e Ferronikelit ai është shumëfish më i madh dhe vështirë të llogaritet.

Në mungesë të një (super)programi qeveritar, të aftësive, kompetencës, përvojës dhe dijes për tu përballur me sfidat e vendit, numri i madh i dikastereve të qeverisë Haradinaj nuk mund të arsyetohet as për nga logjika ekonomike e as për nga konceptet e administrimit publik. Në fakt, kjo strukurë e krijuar me arbitrarit po shërben vetëm si një mekanizëm për të ushqyer babëzitë për pushtet e para.

Një qeveri e tillë më shumë i përngjanë Ciklopit, që me syrin e vetëm të tij nuk sheh gjë tjetër, përpos dobisë individuale e klanore. Shikuar për nga përmasat kjo platformë është joefektive dhe joeficiente. Është edhe e shtrenjtë, edhe kanibalizuese, sepse brenda saj ka më shumë së një gjysëm dyzine ministrish, që kanë kompetenca dhe fushëveprimtari thuaja se identike me njëra tjetrën. Një strukturë e tillë, përpos që zhvatë paranë publike, ajo e rritë byrokracinë, që për sektorin privat dhe për qyteatrin e thjeshtë edhe ashtu janë një ankth i vërtetë.

Parë nga këndvështrimi i investitorëve të huaj, për të cilët Kosova ka shumë nevojë, me këtë strukturë vendi mbetet në vendnumërim, i cili në kohën e revolucionit digjital nuk është më i barabartë me stagnimin, por me kthimin prapa. Kjo qeveri edhe mund të angazhohet që t’i zgjidhë problemet që i ka shkaktuar vet. Por, kjo gjë nuk përbën lajm për zhvillimin ekonomik, ndërmarrësinë dhe investitimet e huaja. Investitorët nuk do të kthejnë kokën nga Kosova, siç nuk po e kthejnë tash e sa vite me radhë. Ata më me dëshirë do të vazhdojnë të investojnë kapitalin e tyre në vende stabile, që garantojnë rritje të qëndrueshme, ligjshmëri, eficiencë e kanë më pak arbitraritet, burokraci e pengesa administrative. Në mungesë të ideve zhvillimore dhe resurseve tjera, papunësia dhe varfëria do të mbeten edhe për një kohë temat e paadresuara të Kosovës së pasluftës.