Qëndrimet dyfytyrëshe të OSBE-së: shqiptarët duhet «edukuar», serbët duhet toleruar

Kur hendbollistet e Kosovës nuk lejohen të luajnë në Serbi, OSBE hesht. Kur Federata e Futbollit e Kosovës ndalon ndeshjen mes Cërvena Zvezdës dhe Graçanicës Misioni i OSBE-së në Kosovë reagon. Kjo dyfytrësi, kjo politikë e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund.

Tifozë të Cërvena Zvezdës së Beogradit. Tifozë të Cërvena Zvezdës së Beogradit. Foto: Srdjan Stevanovic



Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) është një akter i rëndësishëm i politikës ndërkombëtare. Si e tillë kjo organizatë është aktive edhe në Kosovë që nga vitet ’90. Zyrtarët e OSBE-së kanë raportuar për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, Misioni Verifikues i OSBE-së ka luajtur rol të rëndësishëm në denoncimin e krimeve të luftës të kryera nga forcat shtetërore dhe parashtetërore serbe gjatë vitit 1999, pas luftës OSBE ka organizuar zgjedhje lokale e nacionale në Kosovë, ka ndihmuar në themelimin e mediave të para të pavarura si RTK (të cilat shpejt u futën nën kontroll nga pushteti).

Në një broshurë OSBE kështu e portreton veten: «Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë është forum dialogu politik për një gamë të gjerë çështjesh të sigurisë si dhe platformë për veprim të përbashkët, me qëllim përmirësimin e jetës së individëve dhe komuniteteve. Përmes qasjes tërësore ndaj sigurisë, që përbëhet nga dimensionet politiko-ushtarake, ekonomike, mjedisore, njerëzore dhe anëtarësimin përfshirës, OSBE-ja ndihmon në ngushtimin e dallimeve dhe ndërtimin e besimit ndërmjet shteteve, duke bashkëpunuar në parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave dhe rehabilitimin pas konfliktit. Me institucionet e saj, njësitë e ekspertëve dhe operacionet në terren, OSBE-ja trajton çështje me ndikim në sigurinë tonë të përbashkët, përfshirë kontrollin e armëve, terrorizmin, qeverisjen e mirë, sigurinë energjetike, trafikimin e personave, demokratizimin, lirinë e medias dhe pakicat kombëtare». Krejt ky përkufizim tingëllon shumë bukur dhe në pjesën më të madhe është i vërtetë.

OSBE më tutje thekson se «të drejtat e njeriut dhe liritë themelore janë themelet e shoqërive të qëndrueshme. OSBE-ja i ndihmon shtetet pjesëmarrëse të saj të ndërtojnë institucione demokratike; të mbajnë zgjedhje demokratike të vërteta dhe transparente; të garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut, lirisë së medias, të drejtave të pakicave kombëtare dhe shtetit të së drejtës, si edhe të nxisin tolerancën dhe mosdiskriminimin. Në shkallë më të gjerë, OSBE-ja trajton sfidat e sigurisë që përbëjnë kërcënim ndërkufitar, si ndryshimet klimatike, terrorizmin, radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm, krimin e organizuar, krimin kibernetik dhe trafikimin e drogës, armëve dhe qenieve njerëzore». Edhe ky përkufizim tingëllon bukur.

Por, si çdo gjë e shkruar nga institucionet – edhe ky definicion dhe shumëçka tjetër duhet t’i nënshtrohet testit të realitetit. Një shembull se si OSBE dështon në misionin e saj është mënyra se si kjo organizatë hesht për një çështje dhe proteson për tjetrën. OSBE ka protestuar kundër ndalimit të «ndeshjes miqësore» mes Cërvena Zvezdës dhe Graçanicës. Ndeshja është ndaluar nga Federata e Futbollit e Kosovës për shkak se në të kaluarën ajo është keqpërdorur për mesazhe nacionaliste të serbëve lokalë dhe atyre të ardhur nga Serbia. Në stadiumin «Dragan Gjajiq» në Graçanicë janë shpalosur flamuj të Serbisë, është intonuar himni i Serbisë dhe ka pasur thirrje nacionaliste serbe, që janë fyese për shqiptarët dhe Kosovën.

Pas ndalimit të ndeshjes OSBE ka reaguar menjëherë. Kjo organizatë ka thënë se e ka pranuar me shqetësim lajmin për ndalim të kësaj miqësoreje, ndërsa ka shtuar se duhet të ketë ndarje të çështjeve politike nga sporti. OSBE ka ftuar FFK-në që të gjejë një mënyrë që ndeshja të mbahet.

Që sporti duhet të ndahet nga politika – kjo është e vërtetë dhe mirë që këtë na e kujton OSBE, por do të ishte mirë që OSBE të kishte reaguar edhe kundër parullave nacionaliste gjatë ndeshjeve të mëhershme mes Cërvena Zvezdës dhe Garaçanicës. OSBE nuk mund të sillet sikur dëshiron të edukojë vetëm njërën palë, në këtë rast shqiptarët, ndërsa përballë sjelljeve arrogante të palës serbe të heshtë. Kjo qasje e dëmton rëndë kredibilitetin e OSBE-së.

Përse OSBE nuk reagoi kur në mars ekipi i të rejave i Kosovës në hendboll nuk u lejua të luajë ndeshjen kundër Serbisë në kualifikimet për Kupën e Botës në Hendboll? Ndeshjen e ndaloi drejtpërdrejtë politika serbe, vetë ministria e Brendshme e Serbisë. Madje e ndaloi pasi sportistet kosovare tashmë kishin shkuar në Serbi. Edhe njëherë: përse heshti OSBE? A aplikon OSBE politikë të stranardeve të dyfishta? A nuk është kjo hiporizi? Ndërsa OSBE ka heshtur, Federata Europiane e Hendbollit (EHF) ka vendosur ta përjashtojë Serbinë nga kualifikimet për Kupën e Botës në Hendboll për të rejat, pas anulimit të ndeshjes kundër Kosovës. «Në rrethanat e anulimit të ndeshjes dhe dështimit të Serbisë që ta luajë lojën, EHF ka vendosur që ekipi kombëtar i Serbisë të përjashtohet nga pjesëmarrja e mëtejme në këtë ngjarje», thuhet në komunikatë të lëshuar në fund të marsit.