Qendra ruse në Serbi hedh poshtë akuzat e spiunazhit

Drejtori i një qendre humanitare ruso-serbe në Nish, Vjaceslav Vlasenko, mohoi akuzat se qendra e tij operon si një bazë spiunazhi apo ushtarake për Rusinë në Ballkan.

Qendra Humanitare Ruso-Serbe. Foto: BIRN



Drejtori i qendrës humanitare ruse në Nish, e cila ka ngjallur polemika, u shpreh për BIRN-in se akuzat se qendra e tij mund të veprojë si një «bazë ushtarake» janë të pakuptimta dhe shtoi se kërkesa që stafi të marrë status diplomatik është «një çështje e brendshme për Serbinë».

«Nëse stafi ynë do të kishte status diplomatik, atëherë nuk do të na duhej të paguanim shumë taksa për importin e pajisjeve që qendra i jep Serbisë», shpjegoi Vlasenko, duke theksuar përfitimet e mundshme nga një veprim i tillë.

Si përfitime të tjera të statusit diplomatik të qendrës, ai përmendi tatimet mbi pagat e stafit, koston e shërbimeve dhe karburantit, etj. «Këto janë çështje teknike, por shumë të rëndësishme», shtoi ai.

Sipas Ligjit për Themelimin e Qendrës në vitin 2012, stafi supozohet të gëzojë të njëjtin status ligjor si personeli administrativ dhe teknik i ambasadës ruse, të cilët gëzojnë lirimin nga disa taksa.

Qendra Humanitare Ruse-Serbe këmbëngul se funksionon vetëm për «përgjigje humanitare emergjente, [të ndihmojë] në parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe [të zgjidhë] aksidentet teknologjike si dhe të eliminojë pasojat e tyre».

Por disa qeveri perëndimore kanë shprehur pakënaqësi të thellë për punën dhe ekzistencën e kësaj qendre, me frikën e qëllimeve të tjera, të lidhura me politikën e jashtme të Rusisë në Ballkan. SHBA në veçanti ka thënë se druhet se qendra mund të përdoret për qëllime spiunazhi.

Ndihmës/sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i tha Senatit Amerikan më 15 qershor se qendra ishte një çështje shqetësuese për Uashingtonin, veçanërisht nëse Serbia i plotëson Rusisë kërkesën për t’i dhënë status të posaçëm stafit të qendrës dhe imunitet diplomatik.

Por Vlasenko tha se çështja i takonte Serbisë, jo Amerikës. «Kur u themelua qendra, askush nuk kishte ndonjë mendim për statusin e saj diplomatik. Është rreptësisht një vendim i brendshëm i Serbisë nëse na e jep ose jo këtë status», tha Vlasenko.

Ai gjithashtu tha se pyetje të tilla rreth spiunimit mund t’i drejtohen SHBA-së, e cila ka një bazë të madhe ushtarake në Bondsteel, në Kosovë, rreth 250 kilometra larg Nishit, që merr një hapësirë të madhe, me objekte ushtarake, ndërtesa dhe terren për ulje ajrore.

«Sa punonjës janë në këtë «fole spiunësh»?», pyeti ai, duke iu referuar qendrës në Nish.

«Ka tre deri në gjashtë persona nga Rusia, tre punojnë në administratë dhe tre janë profesionistë në fushën e shpëtimit, të cilët vijnë në mënyrë të përsëritur, një herë në tre muaj, nga Ministria e Situatave Emergjente të Rusisë. Mund të ndërtojnë tre rusë një bazë ushtarake?», pyeti Vlasenko.

(https://www.reporter.al/qendra-ruse-ne-serbi-hedh-poshte-akuzat-e-spiunazhit/)