«Qëllimi i lartë politik i popullit të Kosovës është më afër se kurrë»

Dr. Robert Elsie në bisedë me Bekim Lumin në nëntor të vitit 1998.

Robert Elsie.



Me titullin e librit Tuaj të fundit «Kosova in the heart of the powder keg» (Kosova në zemrën e fuçisë së barotit) Ju sikur keni dashur të paralajmëroni shpërthimin i cili, për fat të keq, tashmë ka ndodhur…

Elsie: Në njëfarë mënyre, po. Nga vizitat e mia gjatë viteve të shkuara në Kosovë, unë e kisha kuptuar se situata aty po keqësohej vazhdimisht dhe se, sot apo nesër, një luftë do të mund të vinte. Nuk ekzistonte asnjë vullnet i mirë, sidomos nga ana e serbëve, për ti pajtuar pikëpamjet dhe dëshirat krejt divergjente të të dy popujve. Por, ajo çka dinin shqiptarët dhe çka dija unë, të paktën deri para një viti e gjysmë, për botën e jashtme ishte diçka krejt e panjohur. Gjatë kësaj kohe, fjala e Kosovës doli shumë rrallë në shtypin perëndimor. Së këndejmi, përpjekja ime me librin «Kosova në zemrën e fuçisë së barotit», i pari botim në anglisht në SHBA, ishte një përpjekje për të hedhur dritë mbi problemin në fjalë. Në këtë kontekst, shpresoj që libri ta ketë realizuar qëllimin sadopak.

Përgjithësisht, në botën shqiptare Ju njohin si studiues i letrave shqipe dhe përkthyes i tyre në gjuhën angleze. Në këtë kontekst, libri «Kosova në zemrën e fuçisë së barotit», që ka karakter politik, është një përjashtim i rastësishëm apo i qëllimshëm?

Elsie: Në fakt, unë normalisht nuk jam shumë i interesuar për politikën, por situata në Kosovë ishte dhe vazhdon të jetë edhe më tepër urgjente. Kështu, kemi të gjithë një obligim moral për të mbështetur përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe demokraci, të cilat, sipas meje, nënkuptojnë edhe pavarësinë. Edhe, në këtë drejtim, unë jam optimist, të paktën në planin afatgjatë. Në të vërtetë, edhe pse dhuna e llahtarshme e muajve të shkuar më duket veçse ulërima e fundit e një ujku të plagosur që është duke ngordhur, unë mendoj se do të duhet ende kohë dhe shumë, shumë durim, sepse ujku është ende gjallë dhe tepër i rrezikshëm. Sidoqoftë, ma thotë mendja se, tashmë edhe politikanët serbë e kanë kuptuar që ai po vdes.

Zbulimi Juaj mbi të ashtuquajturin «Tekst i Bellifortisit» (1405), me të cilin, sipas Jush, fillon shqipja e shkruar, përmbys tezën e deritashme mbi «Formulën e Pagëzimit» (1462) si dokumenti i parë i shqipes së shkruar. Ndërkohë, keni nëpër duar ndonjë zbulim të ri në lidhje me letrat shqipe?

Elsie: Së shpejti kam ndërmend të botoj një artikull shkencor për një fjalorth të panjohur të shqipes së Shkodrës nga viti 1662, i cili përfshin disa shprehje tepër «banale», të cilat nuk shkruhen as sot nëpër fjalorët shqip.

Shpeshherë, në takimet bilaterale të delegacioneve të ndryshme zyrtare gjermane me palën shqiptare, Ju jeni në rolin e përkthyesit. Si e parashtrojnë, zakonisht, në këto takime zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar çështjen e Kosovës?

Elsie: Mendoj se, megjithë ndryshimet e qeverive, ka pasur njëfarë vazhdimësie në këtë aspekt të politikës së jashtme shqiptare. Një shqetësim për gjendjen në Kosovë është shprehur gjithmonë, madje, edhe në kohën e diktaturës, sa e mbaj mend unë. Por, kuptohet që, përpara, përfaqësuesit e Shqipërisë, politikanët dhe diplomatë nga Tirana, nuk kishin aq shumë përvojë sa të ishin në gjendje të organizonin një lob apo të shfrytëzonin për këtë çështje mjetet perëndimore të informimit. Këto gjëra i kanë mësuar ngadalë-ngadalë nga kosovarët në perëndim. Nuk them se situata është optimale, por, sidoqoftë, ekziston një vullnet i mirë. Për fat të keq, tentativa e Shqipërisë për vetëvrasje vitin e kaluar dhe kaosi politik që aktualisht po mbretëron aty, bëjnë që fjala e Shqipërisë të mos ketë shumë peshë në botën e jashtme. 

Jeni anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe, në se nuk gaboj, keni edhe nënshtetësi shqiptare. A mos, rastësisht, keni filluar të ndjeheni nga pak edhe shqiptar?

Elsie: Unë përpiqem që, sipas mundësive, t’i mbroj interesat e shqiptarëve në botën e jashtme, të paktën ashtu siç i interpretoj unë këto interesa dhe në këtë drejtim, them se kam një afinitet të theksuar me Shqipërinë. Desha apo nuk desha unë, ajo tashmë është bërë pjesë e qenies sime. Në anën tjetër, nuk besoj se mund të bëhem ndonjëherë shqiptar tamam, shpeshherë më ndodhë që, sa më shumë të mësoj për Shqipërinë dhe për shqiptarët, aq më pak arrij t’i kuptoj. Ky vend ruan në vetvete enigma të shumta.

«Historia e Letërsisë Shqiptare», pas botimit në anglisht, ka pasur edhe një botim në gjuhën shqipe në Kosovë…

Elsie: Jam përpjekur që të jap një vlerësim objektiv, pa ndikim nga njerëz të caktuar apo nga ideologjitë e shumta që vazhdojnë ta mbajnë peng jetën intelektuale në Shqipëri. Siç kam shkruar edhe në parathënien e librit, kur je vëzhgues i jashtëm, ke një varg epërsish. Ndërkaq, në Tiranë, këtë libër nuk do ta kisha shkruar kurrë.

Libri juaj «Historia e letërsisë shqiptare» është pritur mirë në Prishtinë, ndërkohë që në Tiranë dikë-dikë e ka shqetësuar dhe nervozuar. Si e shpjegoni Ju këtë?

Elsie: Kjo është e kuptueshme, sepse çdo qasje apo këndvështrim i ri, fillimisht, pritet me nervozizëm. Në fund, ai e tund godinën ideologjike të jetës intelektuale shqiptare. Reagimi, pra, është normal dhe, sa më përket mua, do të isha shumë i kënaqur nëse libri ka shkaktuar diskutime të ndryshme. Vetëm me diskutime dhe ballafaqime mund të ecim përpara. Në çfarëdo rasti, them se, ka ende shumë për të bërë dhe për të trajtuar në lëndën e letërsisë shqiptare.

Me çfarë tjetër do t’i befasojë së shpejti Robert Elsie lexuesit shqiptarë?

Elsie: Nuk besoj që mund t’i befasoj lexuesit shqiptarë. Dëshira dhe synimi im është që, kulturën shqiptare t’ia paraqes botës së jashtme, ashtu që kjo kulturë, gati e panjohur, të zbulohet dhe të kuptohet më mirë. Në këtë kontekst, sivjet jam duke u marrë me mitologjinë, fenë dhe besimin popullor te shqiptarët. Edhe këtu ka shumë për të zbuluar.

Krejt në fund, ç’mesazh do t’u drejtonit miqve Tuaj në Kosovë në këto ditë kaq të rënda dhe kaq tragjike për ta?

Elsie: Para disa ditësh, në cilësinë e përkthyesit, mora pjesë në takimet e nivelit të lartë në Bonn midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe përfaqësuesve nga Kosova. U habita shumë kur nga Kosova erdhën dy delegacione të ndara, të cilat madje, nuk flisnin me njëri-tjetrin. Kjo, padyshim, nuk krijon përshtypje të mirë tek të huajt, përkundrazi, e dobëson çështjen e Kosovës. E them me keqardhje atë që tashmë dihet, se shqiptarët përçahen kollaj dhe e kanë tepër të vështirë të punojnë bashkë. Në një botim të paradokohshëm, një komentatore e mençur nga Tirana, me plot të drejtë kishte theksuar se populli i saj ka një prirje për ta qenë «primitiv, individualist, kokëfortë dhe i egër». E pra, duhet bërë të qartë se, nga përçarjet e këtilla përfiton vetëm ujku i Beogradit. Prandaj, mesazhi im drejtuar miqve në Kosovë, tash për tash, do të ishte që të mos harrojnë se qëllimi i lartë politik i popullit të Kosovës – një qëllim më afër se kurrë – ka gjithmonë përparësi mbi grindjet tepër njerëzore midis grupimeve dhe figurave. Në çfarëdo rasti, jam i bindur se këto vështirësi janë vetëm kalimtare. Në bodrumin e shtëpisë sime kam një shishe të vjetër vere të bardhë gjermane. Mbi këtë shishe, para shumë kohësh, kam shkruar: «Zu öffnen erst, wenn Kosova frei ist» (Të hapet vetëm kur Kosova të jetë e lirë). Do të duhet edhe pak kohë, por jam shumë i bindur se, dita kur do të mund ta hap shishen do të vijë. Dhe jam i vendosur ta hap dhe ta pi një gotë.
[Botuar në: Kosova sot. E përditshme informative e pavarur, Prishtinë, 24 nëntor 1998, f. 16; ribotuar në: Bashkimi, revistë e pavarur informative kulturore. Shoqata Studentore Shqiptare në Hannover, viti II, nr. 4, mars-maj 1999, f. 12-13. Botohet me lejen e autorit të intervistës].