Qelb në vend të argumenteve

Dy partitë «më të mëdha të vendit» e kanë sjellë Kosovën buzë greminës me qeverisje të keqe dhe korrupsion. Tash fajin duan t’ia lënë opozitës.

Ilustrimi: Shutterstock

Më 23 qershor ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës deklaroi, në fakt u kërcënua se demarkacioni duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës brenda 10 ditësh. Që nga atëherë kanë kaluar 3 javë dhe koalicioni qeveritar, ndonëse ka një shumicë të konsiderueshme në parlament, ende nuk e ka sjellë çështjen e demarkacionit në Kuvend. Duket se as shumica nuk është e bindur se çështja e shënjimit të kufirit me Malin e Zi është bërë në mënyrë profesionale. Për çdo ditë dëgjojmë deputetë të PDK-së që mes rreshtave lënë për të kuptuar se për demarkacionin ka ende kohë.

Kjo tregon se edhe disa deputetëve të PDK-së s’po ua merr mendja të çojnë dorën për të votuar nga frika se do t’i falin tokë një vendi fqinj. Në biseda private deputetë të PDK-së e pranojnë se me këtë vijë kufitare Malit të Zi i falet tokë. Tokë e Kosovës. Tani kur ka ardhur momenti i së vërtetës kryeministri thotë se kufirin nuk e cakton shkenca, por politika. Kjo do të ishte e vërtetë nëse me Malin e Zi do të kishim zhvilluar luftë dhe sot do të duhej t’i nënshtroheshim fuqisë. Jo. Nuk është zhvilluar kurrfarë lufte me Malin e Zi. Demarkacioni është caktuar në kushte të paqes. E në kushte të paqes duhet të merret vendimi në bazë të të dhënave shkencore. Këtë do të duhej ta dinte akademik Isa Mustafa.

Në çastin e fundit kabineti i tij ka publikuar disa dokumente dhe emrat e anëtarëve të komisionit që kanë vendosur për këtë demarkacion me Malin e Zi. Edhe laikët mund të pyesin: përse në momentin e fundit, tashmë kur me gjasë janë bërë gabime trashanike, qeveria përpiqet të tregohet transparente? Përse nuk e ka bërë këtë më herët, me kohë? Tash në vend të argumenteve qeveria hedh qelb në opinion me shpresën se njerëzit janë të verbër. Ky rast nuk është i vetmi që tregon se mungesa e transparencës, mungesa e dialogut të brendshëm, sjellja arrogante duke iu referuar shumicës parlamentare nuk e zgjidh asnjë problem, madje vetëm i thellon vështirësitë dhe prodhon skandale.

Në përpjekje për të fshehur skandalet qeveria po tenton që fajin për mosheqjen e vizave t’ia lë opozitës. Ajo, pra opozita, paskësh organizuar protesta me porosi të Vladimir Putinit për të penguar integrimin e Kosovës në BE. Kush thotë gjëra të tilla, dhe një gjë të tillë e tha një kuadër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ose është dashakeqës, ose joserioz. Në rastin më të keq është edhe dashakeqës edhe joserioz. Shkaqet për mosheqjen e vizave duhet kërkuar në radhë të parë në Prishtinë. A duhet t’ia kujtojmë PDK-së dhe LDK-së të gjitha skandalet që e kanë bërë Ministrinë e Brendshme çerdhe të korrupsionit (tenderi i manipuluar i pasaportave, vjedhja e drogës nga Dhoma e Dëshmive në komandën e policisë në Prishtinë, vjedhja e arit në stacionin e policisë në Pejë, dhjetëra skandale të tjera të policisë, mbushja e strukturave të sigurisë me militantë partiakë…). Lista është e pafundme. Dhe tani, në korrik të vitit 2016, dalin bashibozukë të qeverisë dhe fajin ia lënë opozitës.

Për çka tjetër duhet të akuzohet opozita? Ndoshta edhe për raportin e Dick Martyit. Në fakt kur pas shpalljes së pavarësisë Marty u mandatua nga Këshilli i Europës për të hetuar krimet eventuale të palës shqiptare gjatë dhe pas luftës, qeveria e atëhershme nuk e mori fare seriozisht këtë çështje. Edhe atëherë PDK dhe LDK ishin bashkë. Dick Marty erdhi në Prishtinë dhe me vështirësi takoi politikanë kosovarë, të cilët mendonin se s’duhet bashkëpunuar fare me të, se nuk duhet vepruar me shpejtësi për të trajtuar këtë çështje aq delikate, se nuk duhet mbrojtur dëshmitarët… Kur u publikua raporti i Dick Martyit në dhjetor të vitit 2010, politikanët kosovarë mbetën si patat në mjegull. Një vit më vonë raportuesi i Këshillit të Europës, Jean Charles Gardetto, erdhi në përfundimin se në Kosovë dëshmitarët kërcënohen – dhe vriten. As atëherë askujt nga pushteti nuk i hëngri palla. Qeveria vazhdoi të qeverisë – tenderët.

Çfarë tregojnë këta tre shembuj – demarkacioni me Malin e Zi, liberalizimi ende i paarritur i vizave dhe raporti i Dick Martyit? Tregojnë se kur qeveria është jotransparente, kur nuk i merr seriozisht punët e shtetit, kur në pozita të rëndësishme vendosen ose militantë partiakë, ose delirantë, atëherë çmimin e shtrenjtë e paguajnë qytetarët e Kosovës. Dhe këtë çmim ata do ta paguajnë gjatë nëse nuk ndërtojnë alternativa të reja politike.

Kush ka lindur në fillim të viteve ’80 tani, në prag të moshës 40-vjeçare, duhet të bëjë bilancin: fëmijëria i ka shkuar në gjendje të jashtëzakonshme, rinia pjesërisht në luftë ose rrethana lufte, mosha mes 25 dhe 35 vjet duke kërkuar një vend pune dhe vitet pas pavarësisë në depresion dhe në dëshpërim me klasën politike aq plaçkitëse.

Për ta kuptuar sa plaçkitëse është kjo klasë politike ja një shembull: një ministër përpiqet të vjedhë madje edhe nga biletat e avionit që dikasteri i tij i blen nga një agjenci turistike. Aq është i patrembur ministri në ambicien për të vjedhur, saqë vetë përpiqet të krijojë skemën e vjedhjes me bileta avioni. A merr fund ndonjëherë kjo poshtëri? Ndoshta merr fund kur të zgjohen nga gjumi ato gjenerata që jeta u shkoi duke pritur një ditë të mirë!