Qartësi

Foto: Shutterstock.ch



Kush do ta kishte marrë me mend se pëllumbi do të martohet me skifterin,
dyshimi me mirësinë, i plaçkituri me plaçkitësin?
Dasma të rrejshme! Hata të panumërta do të lindin nga këto dasma, grindje dhe pikëllim.

A do të qëndrojë në këmbë vatra e këtyre dasmave? A nuk do ta dridh apo shkatërrojë
era më e lehtë që vjen nga veriu dhe fryn atje? A do të mbarojë si gërmadhë, e shtypur nga qielli? Ah, vend!
Ah, vendi im! i tërbuar! i pikëlluar! i vrarë! i bukur!
i njollosur me gjak revolucionar!

Papagaj ngjyrëvjollcë rrinë
duke bërtitur në çdo lis,
në çdo degë renditur.
Më shumë vetëm? Më pak vetëm? Vetëm? Pse?

Kush do ta kishte marrë me mend se viçi do të martohet me kasapin,
butësia me kapitalizmin?
Dasma të rrejshme!
Hata të panumërta do të lindin nga këto dasma, grindje dhe pikëllim dhe qartësi

si dita që po sillet në kupolën e saj të hekurt
mbi këto vargje.

Përktheu: Enver Robelli