Qarkorja që kufizon përdorimin e rrjeteve sociale për punonjësit e MPJ-së




Petrit Selimi njihet si përdorues i rregullt i rrjeteve sociale e promovues i diplomacisë digjitale. Shpesh ato i shfrytëzon për të promovuar punën e ministrisë së Jashtme, ku shërben edhe si Zëvendësministër, e nganjëherë edhe veten e familjen.

 

Por, këtë angazhim, Selimi bashkë me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk ua dëshiron edhe punonjësve në shërbimin e jashtëm, qoftë edhe për postime private.

Në udhëzuesin, të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta «Koha Ditore» i dedikuar për pjesëtarët e shërbimit të jashtëm të Kosovës, këshilltarët e kabinetit të Ministrit si dhe personave të kontraktuar nga MPJ, janë vënë ndalesa të rrepta ndaj këtyre punonjësve.

Nxjerrja e qarkores është arsyetuar me qëllim të ruajtjes së reputacionet të Republikës së Kosovës. Kësisoj, atyre u ndalohet çdo komunikim privat në rrjetet sociale që mund të ketë implikim në punën e këtyre shërbyesve.

Madje MPJ ka kërcënuar se mos zbatimi i rregullave bazuar në këtë qarkore do të konsiderohet si shkelje esenciale e kontratës dhe do të merret si shkak për shkëputjen e menjëhershme të angazhimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme, raporton Koha.net.

Zëvendës/ministri Petrit Selimi ka thënë se ky vendim ka ardhur pas analizimit të praktikave me ministritë simotra në botë, duke përcjell hapa të ngjashëm.

«Ata që përfaqësojnë shtetin duhet të kenë kujdes të shtuar sepse në kohërat e sotme ka pak kufij midis rrjeteve sociale dhe qëndrimeve publike», ka thënë Selimi.

Koha.net e sjell të plotë qarkoren për përdorimin e mediumeve elektronike sociale.