Pyetjet për luftën «u ndaluan» gjatë vizitës së Vuçiqit në Kroaci, thonë deputetët

Deputetë të opozitës në Kroaci kritikuan zyrtarët në Zagreb të cilët udhëzuan gazetarët të mos e pyesnin presidentin serb Aleksandër Vuçiq për retorikën e tij nacionaliste gjatë luftërave të viteve 1990.

Aleksandër Vuçiq në Glina të Kroacisë në vitin 1995: «Shteti ustash s’do të vijë më kurrë këtu.»



Disa deputetë kroatë të opozitës të martën kritikuan zyrtarët që u thanë gazetarëve të mos e pyesnin Aleksandër Vuçiqin për retorikën e tij polemike gjatë luftërave të viteve 1990 gjatë një konference për shtyp që pasoi takimin e tij me presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviq. Më i zëshmi ishte Bojan Glavasheviq, një deputet i Partisë Socialdemokrate të opozitës (SDP), i cili citoi raportet e mediave në të cilat gazetarët ishin udhëzuar në mënyrë specifike nga zyra e presidentes kroate që të mos e pyesnin Vuçiqin për një deklaratë që ai bëri në qytetin kroat të Glinës në mars 1995.

Në Glina, e cila në atë kohë ishte nën kontrollin e serbëve rebelë të Kroacisë, Vuçiq foli në një takim publik dhe tha: «Shteti ustash s’do të vijë më kurrë këtu.» Fjalimi prej katër minutash në Kroaci shihet gjerësisht si nacionalist. «Fakti që presidentja kroate i ndaloi gazetarët ta pyesnin Vuçiqin për fjalimet e tij luftënxitëse ishte një poshtërim dhe një shuplakë në fytyrën e çdo viktime të luftës», tha Glavasheviq në parlament të martën. Ai u shpreh se «Kroacia u poshtërua» nga vizita e Vuçiqit, pasi ai nuk erdhi si mik ose «nuk kishte ndonjë qëllim të mirë ndaj Kroacisë». Babai i Glavasheviqit, gazetari radiofonik Sinisha Glavasheviq, u vra në nëntor 1991, pasi qyteti lindor kroat i Vukovarit u mor nga Armata Popullore e Jugosllavisë dhe paraushtarakët serbë. Kur u njoftua për herë të parë se Vuçiq do të vinte në Zagreb, Glavasheviq përmendi çështjen sesi Partia Progresiste Serbe e Vuçiqit kishte ftuar Veselin Shlivançaninin, një ish-oficer i APJ-së i dënuar nga Gjykata e Hagës për masakrën e Vukovarit në vitin 1991, në eventet e partisë së tij. «Vuçiqi është njeriu që ende edhe sot është mik me Veselin Shlivançanin, kasapin e vërtetuar ligjërisht të Vukovarit», tha Glavasheviq në fjalimin e tij të martën. «Ka një rrugë drejt pajtimit, por Vuçiq dhe Grabar Kitaroviq nuk mund të na udhëheqin në atë rrugë. Vetëm njerëzit e mirë mund të na udhëheqin në këtë rrugë», shtoi ai.

Miro Bul, një deputet opozitar nga Ura e Listave të Pavarura, MOST, kritikoi gjithashtu vizitën e Vuçiqit, duke thënë se ai i tha Vuçiqit të shkonte në Glina ndërsa ai kalonte në korridoret e parlamentit të hënën. Vuçiq të martën po viziton komunitetin serb në qytetin e Vrginmost në Kroacinë qendrore. Bul tha se ai «duhet të shkojë në Glina dhe t’u kërkojë falje njerëzve me etni serbe». Ai theksoi se Vuçiq ishte një anëtar i Partisë Radikale Serbe gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Në një artikull për Politico të martën, Vuçiq përmendi shkurtimisht të kaluarën e tij të kohës së luftës pa kaluar në gjëra specifike. «Si i ri që isha atëherë, nuk e kuptova se çfarë mund të fitohej nga bashkëpunimi mes vendeve të ndara. Por tani e di që vendi im pagoi një çmim të lartë për ekseset nacionaliste», shkroi ai. Artikulli fliste për një bashkëpunim më të madh ekonomik midis vendeve të Ballkanit, duke i bërë thirrje atyre «të përqendrohen në atë që na lidh bashkë». «Çështjet që na bashkojnë janë shumë më të forta sesa ato që na ndajnë», shkroi Vuçiq.
(BIRN)