Pyetje në avion: «Gjyshe, a po i kot pak sytë?» dhe «A të ka rreh gjyshi?»

Në vijën ajrore Prishtinë-Zürich nuk vlen ligji i sigetikës.




Sërish një fluturim fantastik nga Prishtina në Zürich. Një dinjitar i Kishës Katolike dëshiron që sanduiçi i tij të jetë me mish derri. «Për fat të keq nuk kemi», përgjigjet stjuardesa. Si përherë edhe kësaj radhe gjeneratat e vjetra të pasagjerëve, pa marrë parasysh a janë apo jo besimtarë të devotshëm myslimanë, insistojnë që sanduiçi të jetë me mish të pulës, pra pa mish derri. Ky është një debat tepër argëtues: katolikët kërkojnë diçka që nuk ka, myslimanët kërkojnë të mos u servohet diçka që nuk është fare në menynë ajrore të kompanisë zvicerane «Edelweiss». Kësaj i thonë humbje në botën e kulinarisë, madje më zi se kur humb kaprolli në një pyell të panjohur. «Domuz dynja», do të thoshte turku.

Në linjat ajrore që lidhin Prishtinën me Zürichun, pra në «linjat e diasporës», ligji i sigetikës nuk vlen. Grekët e vjetër krahas retorikës e kanë shpikur edhe sigetikën – shkencën e heshtjes. Për këtë më vonë kanë shkruar edhe Heideggeri dhe Wittgensteini, sepse heshtja është po aq e rëndësishme sa edhe të folurit. Filozofi antik Plotini thoshte se zoti është «logosi që hesht». Shën Augustini citohet të ketë thënë: «Rri i qetë dhe kupto». Shën Benedikti i Nursisë: «Fjalët mund të dhurojnë jetë, por edhe mund të vrasin».

Kësaj radhe fjalët më së shumti të vrisnin veshin. Pas meje ishte ulur një mërgimtar, siç quhen jo pa respekt të merituar ata burra që nuk janë integruar sa duhet në Zvicër, ndërsa në Kosovë kanë mbetur diku në vitet ’80, kur lajmet e TVP-së i lexonte Jusuf Ferizi. Detyra e mërgimtarit tonë të dashur në këtë fluturim ishte t’i bëjë muhabet një gjysheje, të cilën me gjasë ia kishin lënë në dorë në aeroport me porosinë që ta shoqërojë deri në Zürich, ku do ta prisnin djali apo vajza apo ndonjë nip apo mbesë.

Fluturimi shoqërohet me pyetje e konstatime me zë të lartë: «Gjyshe, a po i kot pak sytë?», «Gjyshe, pusho pak se këtu s’ke ku të dalësh», «Gjyshe, a po të rrihet?», «Gjyshe, qe e edhe pak dhe arritëm». Pastaj një rafal me muhabete tepër personale: sa djem të kësaj apo asaj familjeje janë martuar dhe sa jo, sa vajza «e kanë gjetur derën e vet» e sa të tjera «po e presin kësmetin». Dikur, kur gjyshja u lodh me muhabete dhe me ca lëvizje si të pinguinit e gjeti rrugën drejt tualetit, mërgimtari ynë i dashur filloi t’i ballafaqojë fëmijët e vegjël të diasporës me pyetje tejet edukative. Për shembull: «A të ka rreh gjyshi?»

Sa shumë njeriu nganjëherë do të dëshironte që edhe në avionin e linjës Prishtinë-Zürich të vlente ligji i sigetikës. Nuk vlen dhe çdo shpresë është e kotë. Kuptohet që avioni nuk është manastir dhe pasagjerët nuk janë murgj të përbetuar të heshtin, por pak heshtje s’do t’i bënte dëm kulturës shqiptare të udhëtimit.