Pyetja e madhe për Kosovën

Javës që shkoi Kosova festoi dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Derisa papunësia e madhe, mungesa e zhvillimit ekonomik, dhe sektorët jofunksional të shëndetësisë dhe arsimit janë vetëm disa nga problemet kronike, një tjetër pyetje e madhe e ka përcjellë Kosovën që nga viti 2008: çka është Kosova pa prospektin për t’u bërë, ndonjë ditë, pjesë e «familjes europiane»?




Që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova është pranuar nga më shumë se 110 shtete të botës dhe një varg organizatash ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, sado mendim këshillues, ishte një fitore e madhe jo vetëm në aspektin e së drejtës, por edhe në drejtime të tjera politike. Që prej vitit 2011, Prishtina dhe Beogradi negociojnë në Bruksel për «normalizimin e marrëdhënieve» të tyre. Në vitin 2014, për herë të parë, zgjedhjet në Kosovë u mbajtën në tërë territorin e Kosovës.

Megjithatë, dhjetë vjet pas, duket sikur të gjitha proceset zhvillimore në Kosovë, siç janë sundimi i ligjit, marrëdhëniet ndëretnike, të drejtat e njeriut, të cilat janë thelbësore për funksionimin normal të një shteti, janë katapultuar ose thjeshtëzuar në procese që i duhen Kosovës si shtet i ardhshëm i Bashkimit Europian. Në ligjëratën e teknokratëve të BE-së, si dhe në atë të spektrit politik në Kosovë, vetë ekzistenca, dhe për rrjedhojë, finalizimi i shtetësisë së Kosovës dhe bërja e kësaj të fundit shtet i qëndrueshëm, në vazhdimësi janë artikuluar për Kosovën e së ardhmes, si pjesë e «familjes europiane». Me fjalë të tjera, në këto dhjetë vjet, Kosova është konceptuar dhe imagjinuar si «anëtare e ardhshme e Bashkimit Europian», dhe në të njëjtën kohë e shkëputur nga bërja e Kosovës në vetvete. Për ta thjeshtëzuar tutje, është e vështire sot të imagjinohet një Kosovë e finalizuar dhe funksionale si shtet në të tashmen, tani. Por vetëm si një shtet vazhdimisht në bërje, vazhdimisht i pakryer, i cili një ditë të bukur do të bëhet pjesë e «familjes europiane».

Natyrisht, për shkak të marrëdhënieve të shkallëzuara e jotipike që BE-ja ka me Kosovën, do të ishte logjike që zhvillimi i Kosovës domosdo të lidhet me të ardhmen e saj në BE. Megjithatë, një varësi konceptuale e strukturore e këtij niveli nuk mund të jetë e qëndrueshme për kohë të gjatë. Kjo pavarësisht nëse BE-ja do të vazhdojë të jetë opsion joshës edhe në njëzet apo pesëdhjetë vitet e ardhshme. Apo nëse do të vazhdojë së ekzistuari në këtë formë. Së këndejmi, pyetja e nevojshme dhe e domosdoshme që shtrohet është: a mund të imagjinohet ekzistimi i Kosovës, pavarësisht BE-së?

Bashkë më një varg akterësh të vendeve perëndimore, BE-ja në Kosovë financon dhe jetëson gjithë gamën e proceseve zhvillimore, duke filluar nga sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, e deri te xhaz koncertet dhe festivalet e filmit dokumentar. Që prej vitit 2008, BE-ja i ka ofruar Kosovës mbështetjen e saj si vend i ardhshëm i Bashkimit Europian. E megjithatë, për Kosovën e sotme, në kushtet dhe parametrat që e (vetë)përjashtojnë atë nga Bashkimi Europian, BE-ja mban qëndrim i cili të paktën mund të konsiderohet si jomiqësor. Duhet përsëritur se Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në rajon pa liberalizim të vizave me BE-në.

Që prej shpalljes së pavarësisë, një marrëdhënie e tillë me BE-në e ka vendosur Kosovën në një gjendje «përkohshmërie» dhe «të papërfunduar». Me fjalë të tjera, Kosova edhe është, edhe nuk është. Edhe është shtet, edhe nuk është në të njëjtën kohë. Edhe është vend që i «takon familjes europiane» (siç rëndom ligjërohet nga teknokratë të BE-së dhe politikanëve vendas), edhe nuk i takon, sepse ende nuk i ka përmbushur kriteret për t’u cilësuar si e tillë. Kosova shpesh vetëquhet (në ligjëratën publike) si një diçka e ndërmjetme në mes të BE-së dhe një tjetri. Kjo e fundit mund të artikulohet qoftë si «Lindje», Turqia apo diçka e ndërmjetme. Por me vendosjen e «të ardhmes europiane», si e vetmja rrugë e trasuar, Kosova përballet me pyetje të natyrës ekzistenciale: cili është kuptimi i Kosovës pa «të ardhmen europiane»?

Në vetvete, Kosova duket si një diçka e ndërmjetme në mes të së kaluarës së saj socialiste në njërën anë, dhe premtimit për një shtet «europian» e demokratik në anën tjetër. Kjo gjendje e «ndërmjetësisë» u krijua sa nga faktorët historiko-politik, ashtu edhe nga projekti ndërkombëtar për Kosovën. Së pari, me rënien e Jugosllavisë, Kosova pati ballafaqimin e parë me përjashtimin dhe mohimin e të së kaluarës së saj socialiste e komuniste. Duke qenë se vazhdimisht u ligjëruan si trashëgimi të sistemit të vjetër [jugosllav], e kaluara socialiste e komuniste, bashkë me elementët sociologjikë të kolektivizmit u diskredituan në ligjëratën politike e intelektuale, ndonëse mbetën të topitura në realitetin sociologjik. Në vitin 2013, Mehmet Kraja do të shkruante se në Kosovë të gjithë ikin nga e majta, ose e majta e qendrës, siç është socialdemokracia, «sepse kanë frikë të identifikohen me atë që janë në të vërtetë». Së dyti, prezenca ndërkombëtare në Kosovë po ashtu e ka diskredituar dhe përjashtuar si të vlefshme apo si legjitime të kaluarën socialiste e kolektiviste. Vetë shpallja e Kosovës shtet, si një diçka që në kohë do të formësohej si shtet «europian», pra, demokratik, sekular e me ekonomi të hapur, do të shënonte numërimin nga zero për Kosovën.

Një varësi e tillë financiare e konceptuale nga BE, pati ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si vetë populli i Kosovës dhe elita politike iu qasën bërjes së Kosovës shtet dhe funksionalizimit të tij. Një numër procesesh të cilat janë qenësore për të përthekuar shtetësinë ende në orvatje, janë përkthyer e artikuluar jo si procese për kryerjen e detyrave shtetërore, por si detyra për bërjen e Kosovës «pjesë të familjes europiane». Një rast konkret në këtë çështje është se si sovraniteti, edhe ashtu i papërfunduar i Kosovës, është bartur në Bruksel. Elitat politike kosovare, ndonëse deklarativisht operojnë në një sistem demokratik, legjitimitetin e tyre e kërkojnë në Bruksel, jo te votuesi kosovar. Për shembull, zgjedhjet e vitit 2010, të cilat i fitoi PDK-ja me në krye Hashim Thaçin, vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë i cilësuan si «vjedhje industriale e votës». Për vite të tëra, njerëz të afërt me partinë që tashmë drejtonte vendin, u përballen me drejtësinë për vjedhje votash. Megjithatë, vetëm një javë pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, ishte ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, e cila i uroi institucionet kosovare për «zgjedhjet e qeta dhe të rregullta», duke vënë theksin në «pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë». Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të fillonte në vitin 2011, dhe krerët e BE-së ishin të interesuar për formimin e shpejtë të qeverisë në Kosovë, edhe nëse kjo do të nënkuptonte të bënin një sy qorr ndaj nuancave të tipit «vjedhje industriale» të votës.

Një tjetër rast që ilustron statusin e përçudnuar të Kosovës karshi vetvetes është edhe «pajtimi me Serbinë» dhe dialogu që vazhdon të mbahet në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Që prej 2011 kur filloi ky proces, dialogu është shoqëruar me paqartësi, mungesë të transparencës, dhe probleme të zbatimit të marrëveshjeve të arritura. Megjithatë, procesi vazhdon të mbahet dhe të duartrokitet jo si proces që çon në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, e aq më pak në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, por si proces i rëndësishëm për të ardhmen europiane të Kosovës.

Rasti i tretë në këtë çështje është përplasja e vazhdueshme në raport me kërkesën e BE-së ndaj institucioneve kosovarë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Pas përplasjeve të vazhdueshme në dy vitet e kaluara, në krye të së cilave qëndronte ish-opozitari dhe tashmë kryeministri aktual i Kosovës, Ramush Haradinaj, mungesën e votës pro demarkacionit, mediat dhe komentuesit politikë në Kosovë e artikuluan jo vetëm si vazhdim të izolimit për kosovarët, por mbi të gjitha si kërcënim për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në.

Qartësisht, të tri rastet tregojnë se zhvillime të rëndësishme si këto projektohen dhe artikulohen si të rëndësishme jo për Kosovën si të tillë, por për Kosovën si vend që në një të ardhme do të mund të bëhet pjesë e «familjes europiane». Ky njësim i Kosovës me Kosovën e projektuar si «europiane» që një ditë do të jetë, na sjell para një pyetjeje që shkundë të gjitha themelet dhe projektet mbi të cilat mendohet ndërtimi i shtetit të Kosovës. Një rrezik tjetër në këtë pikë, është edhe përjashtimi i popullit të Kosovës, pa dallim etnie, nga një shtet i cili kuptimin e merr vetëm si «shtet i ardhshëm i BE-së».