Putini i përhershëm dhe dy Rusitë e kancelares Angela Merkel

Rusia e dashur dhe një president i zorshëm: mbi raportin e kancelares Angela Merkel me Kremlinin.

Foto: Denis Makarenko / Shutterstock.com

Atë punën me qenin Vladimir Putini duket se e kishte menduar mirë. Fundja presidenti rus i do qentë e tij. Angela Merkel, ndërkaq, nuk i do qentë. Ajo madje ua ka frikën, së paku nga gushti i vitit 1995 kur në Uckermark u sulmua nga Bessi. Atëbotë Merkel po shëtiste me biçikletë afër shtëpisë së saj të pushimeve kur qeni gjuetar i fqinjëve të saj e sulmoi dhe ia kafshoi gjurin. Pastaj Merkel për një kohë nuk shëtiti më me biçikletë dhe ende nuk e ka hequr frikën nga qentë. Këtë e di Putini. Ky njeri ka instinkt.

Kur kancelarja Angela Merkel, e cila sapo kishte dhënë betimin, në janar 2006 bëri vizitën e parë në Moskë, Vladimir Putini ndihej tepër i fuqishëm dhe në pallatin presidencial i dhuroi asaj një qen prej stofi. Ky qëndroi një kohë në mbështetësen e karriges para se këshilltari për politikë të jashtme Heusgen pothuaj pavërejtur e futi këtë lodër nën sqetull dhe e nxori jashtë Kremlinit. Kjo ishte pjesa e parë e dashakeqësisë. Pjesa e dytë vijoi një vit më vonë, në janar 2007 në Krime. Putini kësaj radhe e priti Merkelin në rezidencën e presidentit në Detin e Zi, kur befas u hap dera dhe labradori i zi Koni u vërsul në dhomë, nisi ta prek Merkelin dhe më vonë u shtri para këmbëve të saj. Kamerat regjistruan këtë skenë. Merkel duke rrudhur gojën, ishte në siklet, këmbët i kishte mbledhur dhe shtrënguar me njëra-tjetrën. Putini, ndërkaq, kishte hapur këmbët dhe si prepotent ishte mbështetur për karrige, kishte hedhur një shikim arrogant, disa madje do të thoshin: kjo ishte një pozë sadiste. Diçka e tillë Merkelit nuk i pëlqen fare, aq më tepër që ajo nuk beson në rastësi dhe neveritet kur dikush e poshtëron. Që nga kjo përvojë para të gjitha takimeve të kancelares me Putinin në të gjitha marrëveshjet e zakonshme protokollare dhe të rrjedhës së vizitës nënvizohet se qentë duhet të rrinë larg takimeve.

Njëjtë si në rastin e Amerikës Merkel i njeh dy Rusi – një private dhe një tjetër si të thuash zyrtare. Rusia private është hapur ndaj nxënëses Angela Kasner nëpërmjet të lojërave olimpike ruse, udhëtimeve dhe letërsisë. Asaj i pëlqejnë Tolstoj dhe Dostojevski. Përkundër shumë thashethemeve ajo nuk ka studiuar kurrë në Rusi, por e ka njohur Moskën gjatë udhëtimeve, ashtu si jugun e Rusisë dhe Kaukazin. Për këtë Rusi kancelarja ka mjaft emocione pozitive. Asaj ende i pëlqen gjuha ruse. Rusia politike, ndërkaq, për Merkelin është pashkëputshëm e lidhur me figurën e Vladimir Putinit.

Putini tashmë ishte pesë vjet president kur ajo u bë kancelare, më vonë ai ndërroi rolin e tij, mori postin e kryeministrit dhe më 2012 sërish u kthye në krye të shtetit. Prej se Merkel është kryetare e CDU-së në krye të Rusisë gjendet Putini. Ka edhe më shumë gjëra të përbashkëta: Merkel dhe Putin janë pothuaj moshatarë, rusi është lindur gati dy vjet para saj, që të dy kanë bërë një rrugë të njëjtë, ndonëse me përvoja të kundërta. Putin kaloi pesë vjet në Dresden, atje përjetoi shkatërrimin e RDGJ-së dhe të Paktit të Varshavës dhe mësoi rrjedhshëm gjermanisht. Merkel u rrit në Templin, një qytet që kishte garnizon sovjetik, talentin e saj gjuhësor e demonstroi në rusisht dhe ashtu si Putini edhe ajo përjetoi ndryshimet në Gjermaninë lindore. Derisa Merkel glorifikonte Perëndimin dhe dashurinë e saj për liri e demonstronte për politikën perëndimore, viti i ndryshimeve 1989 nuk e shndërroi Putinin në demokrat të zjarrtë. Kur takohen Merkel dhe Putini, atëherë ballafaqohen dy botëkuptime. Për Merkelin rënia e Murit të Berlinit ishte përjetim i çlirimit, për lejtënant-kolonelin Putin kjo ishte një përvojë traumatike. Kolapsin e Bashkimit Sovjetik ai e sheh si disfatë historike.

Duke pasur këtë parasysh nuk është për t’u habitur se raporti personal mes tyre ka ndikim të madh në marrëdhëniet gjermano-ruse në përgjithësi. Politika e jashtme këtu vërtet është e personalizuar. Po ashtu nuk është për t’u habitur që takimet mes këtyre dyve ende mund të përcillen me ashpërsi therëse. Në të vërtetë pas gjithë këtyre viteve ata kanë paksa respekt për njëri-tjetrin. Por konkurrenca mes tyre nuk është zhdukur kurrë dhe vërehet deri te ngacmimet më të vogla. Kur Merkel e priti në Berlin Putinin sërish të sapokthyer në postin e presidentit, ajo ia tërhoqi vërejtjen si me ton të nënës se ai përsëri ishte vonuar në takim – ndoshta ky ishte një huazim i fshehtë i fjalisë së Mihail Gorbaçovit, i cili kishte thënë se kush vonohet e dënon jeta. Kështu jemi ne rusët, ju e dini këtë qëmoti, u përgjigj Putini.

Këta dy kanë zhvilluar beteja të ashpra me njëri-tjetrin. Për Merkelin dhe bashkëpunëtorët e saj e paharrueshme është vizita në Krime në vitin 2007, jo vetëm për shkak të labradorit të zi. Një vit më herët Merkel kishte fituar respekt në politikën e brendshme, sepse vizitën e parë në Moskë e kishte shfrytëzuar edhe për një takim me opozitarët. Putinit, në rrethin e të cilit nuk punojnë edhe aq shumë femra, iu desh të mësohet se nuk kishte të bënte me një vajzë të frikësuar, të cilës ai seriozisht do t’i propozonte organizimin e një sfilite të modës si dëshmi të bashkëpunimit gjermano-rus.

Ballafaqimi i parë i vërtetë u zhvillua në Krime, ku bëhej fjalë për biznese nafte dhe gazi, çështje të sigurisë, për Ukrainën, pra për gjëra të rëndomta. Putini sillej si oficer i KGB-së. Herë bënte potere, herë bërtiste, pastaj ulte tonin e zërit dhe fliste qetë dhe me këmbëngulje, ishte vulgar, shkruante në letra, tërhiqte vëmendjen te shifrat e tij, gjestikulonte pa kontroll – ky ishte regjistri i plotë i metodave të komunikimit, të cilat t’i mëson shërbimi sekret. Kjo sjellje e tij për Merkelin nuk ishte aspak për t’u habitur dhe asaj ia kujtonte shërbimin sekret të Gjermanisë lindore. Ajo kundërshtonte, sërish ishin ngjallur befas të gjitha reflekset e vjetra. Pjesëmarrësit e raundit të bisedimeve thonë se atmosfera ishte si kur dy veta i thyejnë duart. Merkel, e cila në këso çastesh është shumë e qetë, përfiton nga dija e saj e madhe. Njohuritë e saj mbi përmbajtjen e dokumenteve të ndryshme janë të pashembullta, kujtesa e saj i dëshpëron bashkëpunëtorët, të cilët vite më vonë ballafaqohen me hollësi nga bisedat e zhvilluara para shumë vitesh.

Kjo atmosferë dueli mes Merkelit dhe Putinit vazhdon deri më sot. Megjithatë, presidenti ka mësuar dhe përpiqet ta mposht Merkelin me mjetet e saj. Nëse kancelarja kritikon sjelljen e autoriteteve ruse ndaj fondacioneve të huaja partiake në Rusi, atëherë Putini përgjigjet duke iu referuar ligjit gjerman për shoqata dhe kufizimeve ligji gjerman parasheh për aktivitet politik. Porosia e tij është kjo: ku është dallimi? Në këto beteja argumentimi nganjëherë nuk mund t’i iket përshtypjes se kancelarja dhe presidenti veprojnë si të ishin një çift i vjetër, i cili qëmoti i anticipon hilet dhe dredhitë e tjetrit dhe qëmoti e ka dëgjuar së paku njëherë secilën fjali. Duhet të kesh përherë kujdes kur ke punë me të, do të thoshte Merkel. Por, edhe Putini ka kujdes.

Mosbesimi parimor nuk e pengoi Merkelin të zhvillojë politikë në favor të Rusisë, kur kjo i përgjigjej bindjes së saj. Për shembull në prill 2008 Merkel kundërshtoi presionin e shtuar para së gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat dëshironin t’ua hapnin rrugën Gruzisë dhe Ukrainës për anëtarësim në NATO. Në Samitin e Aleancës në Bukuresht ishte Merkel ajo që refuzoi që këtyre dy kombeve jostabile t’u jepej i ashtuquajturi «Membership Action Plan» (plani aksional për anëtarësim). SHBA-të, ndërkaq, dëshironin ta forconin sidomos Gruzinë dhe ta përvetësonin si bastion dhe pararojë në kufirin jugor të Rusisë. Po ashtu kërkohej një portë hyrëse në drejtim të Azisë Qendore të pasur me resurse natyrore. Merkel kundërshtoi për shkak të shumë konflikteve të pazgjidhura, rrezikut të përhershëm për luftë, demokracisë jostabile dhe presidentit të çuditshëm Sakashvili, i cili deri më tani kishte rënë në sy vetëm si kurtizan i Washingtonit. Presidenti amerikan George W. Bush reagoi me nervozë, Putini, ndërkaq, ishte mirënjohës. Merkel ishte e bindur se kishte vendosur e prirë nga argumentet objektive, ndonëse ajo kishte shumë arsye t’i jepte një flakareshë Putinit. Një vit më herët presidenti e kishte poshtëruar atë në Konferencën e Sigurisë në München dhe me ton të zhurmshëm kishte polemizuar kundër Perëndimit thua se nëse do të shpërthente lufta e ardhshme. Merkel atëbotë kishte qëndruar në sallë me fytyrë të zbehur – ngjashëm si mbarë establishmenti perëndimor i sigurisë, i cili stuhinë ruse e duroi si i ngrirë, por duke iu dorëzuar fatit.

Merkel kishte shpresa të mëdha te presidenti i Putinit Dmitrij Medvedev. Medvedev mori postin në fillim të vitit 2008 dhe ndonëse dorëzimi i pushtetit u bë në mënyrë të kontrolluar dhe presidenti i ri ishte shërbëtor i të vjetrit, kancelarja priste raporte më të lehta me Rusinë. Merkel për një kohë të gjatë ishte ithtare e asaj shkolle të mendimit që Putinin dhe Medvedvin i konsideronte dy pole dhe supozonte se Medvedevi një ditë do të shkëputej nga Putini dhe do të zhvillonte stilin e tij. Ajo hidhte poshtë tezën se Putini si përfaqësues i Rusisë autoritare-burokratike e mbante në varësi të plotë Medvedevin si përfaqësues të oligarkëve. Kjo enigmë u zgjidh pastaj gjatë presidencës së Medvedevit, kur presidenti në largim në një konferencë për shtyp shpalosi planin e vërtetë për transferimin e pushtetit: ndërrimi i roleve, tha ai, ishte planifikuar prej muajsh. Merkel u ndie e mashtruar keq, ajo kishte menduar tepër pozitivisht.

Gjatë mandatit të Medvedevit ndodhi kriza më e madhe me Rusinë, kur presidenti gruzian Mihail Sakashvili në fillim të vitit 2008 sulmoi krahinën secesioniste të Osetisë Jugore pas një sërë provokimesh dhe kundërprovokimesh. Mbi shpërthimin e luftës, shkaqet dhe rrjedhën e saj janë shkruar shumë studime, por politikisht kjo çështje sot mund të përmblidhet me pak fjalë: Sakashvili mbivlerësoi forcat e tij dhe duke llogaritur se do të merrte mbështetje nga bota e jashtme nxiti konfliktin, provokoi dhe reagoi ndaj ngacmimeve, ai nisi luftën dhe ra menjëherë në kurthin rus. Rusia iu përgjigj sulmit me një kundërsulm dhe pushtoi Osetinë Jugore, e cila atëherë e shpalli veten të pavarur dhe është pranuar prej vetëm katër shteteve – mes tyre natyrisht edhe nga Rusia.

Merkel e përcolli krizën nën hijen e presidentit francez Nicolas Sarkozy, i cili aktualisht kryesonte Këshillin e BE-së dhe mes palëve në konflikt lëvizte si të ishte dervish. Merkel ishte e shqetësuar për shkak të SHBA-ve, të cilat mund të ishin të detyruara të tregojnë më shumë se solidaritet politike me Sakashvilin. Por zemërimi i saj drejtohej edhe kundër Rusisë, e cila sillej si fëmijë në pubertet duke demonstruar forcë në territorin gruzian, larg përtej Osetisë Jugore, dhe duke i nxjerrë tanket në parada. Kancelarja mbështeti ndërmjetësimin e Sarkozyt dhe ajo ishte e detyruar të hedh poshtë një akuzë që i drejtohej asaj sidomos nga SHBA-të: sikur një çerekvit më herët Sakashvili të kishte marrë biletën për NATO, atëherë kjo luftë nuk do të kishte shpërthyer. Jodrejtpërdrejt Merkel u fajësua se me sjelljen e saj i kishte dërguar Rusisë një sinjal që ta shfrytëzonte tani rastin mbase të fundit për spastrimin e terrenit në Kaukazin Jugor.

Kjo nuk është e vërtetë, u përgjigj Merkel: luftën e kishte ndezur Sakashvili dhe mjerë NATO-ja sikur ai luftën ta kishte nisur nën ombrellën e saj. Sidoqoftë, gjatë ditëve të luftës Merkel vizitoi si Medvedevin ashtu edhe Tbilisin, ku u takua me Sakashvilin. Gjatë kthimit Merkel bëri të qartë se ishte përcaktuar në dyluftimin e saj të brendshëm. Mes budallallëkut të Sakashvilit dhe reagimit joproporcional të Rusisë ajo tha: «Gruzia është vend i lirë dhe i pavarur dhe çdo vend i lirë dhe i pavarur mund të vendosë bashkë me anëtarët e NATO-s se kur dhe si mund të pranohet në NATO. Në dhjetor do të bëhet një vlerësim i parë i situatës dhe ne gjendemi në një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO». Kjo ishte Merkel klasike: «Bashkë me anëtarët» domethënë se edhe Gjermania do të votonte për. Por edhe katër vjet më vonë Gruzia në këtë rrugë nuk kishte lëvizur fare përpara. Me fjalët e saj Merkel dëshironte t’ia bënte të qartë Merkelit se nuk do të toleronte një sjellje prej pushtuesi si në Luftën e Ftohtë.

Pas shtatë vitesh përvojë me Rusinë si kancelare Merkel është e deziluzionuar dhe nuk ka përgjigje. Në fillim të mandatit të saj si kancelare ajo kishte përfituar nga afërsia e paraardhësit të saj me Putinin. Për të ishte shumë lehtë që si antitezë e Schröderit të krijojë distancë dhe rrjedhimisht të gëzojë respekt. Mjaftoi një takim me opozitarët rusë, pak verë e vodkë me demokratët dhe distanca me sistemin e oligarkëve politikë ishte krijuar. Asaj nuk i pëlqenin allishverishet mes burrave prepotentë, kapardisja e zhurmshme, mburrëse e Gerhard Schröderit dhe harmonia e saunës e Helmut Kohlit. Ajo ka dilema edhe sa i përket romantikës së shumë gjermanëve për Rusinë, të cilët shohin një afinitet të ndërsjellë shpirtëror. Në të vërtetë Merkel e do këtë vend, por në mënyrë e saj. Ajo ka vështirësi me fraksionin glorifikues në CDU, i cili impresionet për Rusinë i ka fituar gjatë kohës së Gorbaçovit dhe Jelcinit dhe tani e akuzon atë se nga kjo trashëgimi nuk kishte mbledhur kapital strategjik. Kësaj akuze ajo i përgjigjet se koha e Gorbaçovit ka marrë fund moti dhe se ajo Rusi nuk ekziston më.

Nismat për Rusinë të ministrit të saj të parë të jashtëm Steinmeier, partneriteti i modernizimit dhe strategjia e Azisë Qendrore janë lënë anash – ndoshta për shkak se bota ndërkohë ishte sjellë më tutje dhe Rusia kishte nisur obstruksione jo vetëm sa i përket temave të vështira të politikës botërore si Irani apo Siria. Pothuaj asnjë nismë e Gjermanisë apo BE në

Politikën e jashtme nuk pranohet më nga Rusia. Ky vend nuk dëshiron më afërsi, por kërkon distancë dhe po përpiqet të ndërtojë një Bashkim Euroaziatik, një sferë të re ndikimi. Edhe Merkel sa i përket Rusisë paksa është deziluzionuar. Vendi refuzon çdo përpjekje për përafrim, pas gjithë atyre viteve në postet e tij Putini i përhershëm nuk është zbutur, por është bërë edhe më i ashpër, opozita është forcuar dhe po tenton të konsolidohet. Merkel duhet të formulojë një politikë ndaj Rusisë. Në vlugun e krizës së euros ajo e la anash këtë temë, por Rusia si fqinj i Europës nuk do të zhduket.

Përktheu: Enver Robelli

(Ky tekst është botuar si kapitull në librin «Angela Merkel – Kancelarja dhe bota e saj» të Stefan Kornelius, i cili është shef i politikës së jashtme në gazetën gjermane «Süddeutsche Zeitung». Në shqip libri është botuar nga Koha, Prishtinë).