Putini dhe Haradinaj

Përse kryetari i Rusisë pa asnjë shpjegim dhe hezitim i jep përkrahje bashkëpunimit mes Vuçiqit dhe Haradinajt? Koment i gazetës beogradase «Danas».

Vladimir Putin. Foto: Shutterstock



Aleksandar Vuçiqi po i plotëson kërkesat e fuqive perëndimore – BE-së dhe SHBA-ve – dhe për këtë arsye ato po «e mbajnë» në pushtet në Serbi, përkatësisht po e përkrahin pa kushte – kjo është teza e partive opozitare (në Serbi), por edhe e një pjese të konsiderueshme të opinionit publik, e cila mbretëron në debatet publike, sidomos kur kryetari i Serbisë ndërmerr hapa të caktuar ndaj krizës së Kosovës.

Kështu opinioni publik e priti lajmin mbi vendimin e Aleksandar Vuçiqit që Lista Serbe të hyjë në qeverinë e Ramush Haradinajt. Disa kjo u shërbeu për kritikë nacionaliste, të tjerëve për të treguar sa hipokrite është politika e Vuçiqit, duke pasur parasysh se një pjesë të mirë të muskujve të tij nacionalistë i ka forcuar pikërisht me deklarata kundër Haradinajt, ndërsa te një pjesë e caktuar e opinionit lajmi i tillë u prit ashtu si deshi kryetari i Serbisë – si e keqe e domosdoshme. Megjithatë, karakteristikë e përbashkët e këtyre perceptimeve kundërthënëse dhe të paharmonizuara është se pas vendimit qëndron kërkesa e BE-së dhe e SHBA-ve në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe plotësimin e kritereve që janë vendosur në procesin e afrimit me BE-në.

Nëse nisemi nga parimi i njohur dhe i përcaktuar vite më herët i konfliktit të Rusisë dhe BE-së e SHBA-ve në këto hapësira, e sidomos në lidhje me Kosovën, atëherë si të kuptohet lajmi që Vladimir Putini mbështet hyrjen e Listës Serbe në qeverinë e Ramush Haradinajt. Rrjedhimisht shtrohet pyetja përse Vladimir Putini përkrah plotësimin e kërkesave dhe kushteve të BE-së dhe SHBA-ve, të cilat i janë vendosur Serbisë në lidhje me boshtin e konfliktit të tyre në rajon – Kosovën. Si bëri vaki që përnjëherë edhe Vuçiqi, edhe Putini, edhe amerikanët, edhe krerët e Bashkimit Europian të qëndrojnë në anën e njëjtë – atë të bashkëpunimit mes Vuçiqit dhe Haradinajt?

Duke pasur parasysh prestigjin e jashtëzakonshëm dhe respektin që gëzon Vladimir Putini te qytetarët e Serbisë, për arsyetimin e hapit për hyrjen në qeverinë e Haradinajt, nuk ekziston adut më i mirë se përkrahja e kryetarit të Rusisë. Andaj është e logjikshme të shtrohen pyetje sa i përket kësaj rrethane.

A po i plotëson Vuçiqi me të vërtetë pritjet e BE-së dhe SHBA-ve me hyrjen në qeverinë Haradinaj, përkatësisht me çka është kushtëzuar përkrahja që Putini i ka bërë këtij veprimi? Thënë më saktë, cilat në të vërtetë do të jenë pasojat e kësaj ngjarjeje, nëse do të shkohet në drejtim të realizimit të interesave të Perëndimit dhe asaj se si ata e shohin zhvillimin më të favorshëm të krizës së Kosovës, atëherë çka pret Vladimir Putini si kundërshpërblim? Për këtë nuk duhet pothuaj asgjë. Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë janë shumë më pak transparente se raportet që Serbia ka me BE-në dhe SHBA-të.

BE dhe Amerika nuk po i fshehin aspiratat e tyre në rajon, njëra prej të cilave është normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës deri te akti i njohjes formale. Deklarativisht Rusia qëndron në pozitat se Serbia kurrë nuk do të duhej të pranojë Kosovën, por pastaj, pa asnjë shpjegim dhe hezitim i jep përkrahje bashkëpunimit mes Vuçiqit dhe Haradinajt. E qartë është vetëm se duhet pritur hapin e ardhshëm që të kemi një pasqyrë më të mirë mbi këtë «pazar», i cili aktualisht duket i habitshëm, siç është e qartë se pas veprimeve të tilla pas perdes asnjëherë nuk burojnë pasoja në interes publik.