Putin kthen sytë kah Ballkani

Politika këmbëngulëse dhe e koordinuar në shumë dimensione për integrimin e Ballkanit Perëndimit, nuk ka asnjë fije dyshimi se paraqet vështirësi dhe sfida për Perëndimin, por përfitimet potenciale ua marrin bindshëm anën pengesave reale që Rusia ka vendosur para Brukselit. Nuk vijnë shpeshherë mundësitë për ta zgjeruar dhe fuqizuar Evropën; zhvillimet në botë ofrojnë pak mundësi të dyta. Kriza e Ukrainës ka sjellë një mundësi të papritur për Perëndimin dhe Ballkanin. Ata duhet ta rrëmbejnë këtë sa ka ende kohë

Foto: Fahredin Spahija



Në kohën kur kërcënimi rus ndaj Polonisë dhe shteteve baltike ka nxitur ankth të arsyeshëm, aventura imperiale e presidentit rus, Vladimir Putin, përbën po aq kërcënim edhe për Ballkanin.

Moska nuk po lë mjet pa futur në funksion në këtë çështje – duke përdorur eksportet energjetike, luftën e informacionit, tregtinë, shitjet e armëve dhe përpjekjet për të siguruar baza ushtarake në Qipro, Mal të Zi dhe Serbi – për të minuar procesin e integrimit evropian, nënvlerësuar vlerat e institucionet demokratike, si dhe duke gërryer pavarësinë e shteteve të Ballkanit.

Moska gjithashtu kërkon t’i mbajë gjallë e t’i përflakë tensionet etnike që shkatërruan Jugosllavinë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, megjithëse shtetet që dolën prej atij kaosi të përgjakshëm po mundohen të mbahen fort që të ecin drejt një epoke të re.

Nuk keni pse të shkoni më larg se në Serbi. Rusët po shfrytëzojnë valën e propagandës etniko-fetare, duke i mëshuar fort unitetit të supozuar të popullit serb dhe atij rus (edhe pse kjo është larg më pak realitet sesa pretendon Kremlini), kërcënimit prej NATO-s dhe Bashkimit Evropian, burimeve energjetike ruse dhe çështjeve të pazgjidhura të Kosovës.

Moska menjëherë ka rritur presionin ndaj Serbisë – dhe po korr frytet në formën e mbështetjes popullore dhe elitare. Qeveria serbe moti kohë e ka kuptuar se megjithatë vendi duhet të marshojë drejt Bashkimit Evropian me qëllim të zhvillimit e lulëzimit. Serbia po luhatet ndërmjet këngës së zhurmshme të Moskës dhe muzikës më mondane të Brukselit.

Përpjekjet e Perëndimit për të neutralizuar modelet imperiale të Rusisë kanë dhënë dofarë rezultate politike në Ballkan. Sanksionet e BE-së kanë detyruar Moskën të heqë dorë prej projektit super të shtrenjtë dhe të paarsyeshëm të tubit të Rrjedhës së Jugut në fund të vitit të kaluar. Rusia nuk e bëri të madhe këtë punë, duke dekurajuar disa shtete në Ballkan, përfshirë Bullgarinë dhe Serbinë, që i la në lloç.

Moska tani ka nisur të flas për tubin e ri rus, Rrjedha Turke, por Qeveria serbe nuk e dëshiron më asnjërin. Beogradi e ka bërë të qartë se do të mirëpriste çfarëdo furnizimi me gaz që vjen prej Perëndimit. Meqë ky njoftim frustroi Moskën, është mundësi e artë që Perëndimi nuk duhet assesi ta lëshojë nga dora.

Tregjet energjetike në Ballkan janë të vogla sipas standardeve botërore, por lokacioni i tyre u jep rëndësi të madhe strategjike. Tani ka një mundësi për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të orkestruar zgjidhje që do të sillnin korridorin e gazit, të dëshiruar fort qe një kohë të gjatë, nëpërmjet Azerbajxhanit dhe Turqisë në Ballkan, ose gazin natyror të lëngshëm të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Energjia mbetet instrument gjeopolitik, dhe Perëndimi mund të kapërcejë ndikimin korruptues dhe subversiv të Rusisë nëpërmjet furnizimeve energjetike të sigurta dhe me çmime realiste që do të zgjeronin fuqishëm integrimin e Ballkanit, madje edhe shtetet, si puna e Azerbajxhanit në Evropë dhe Perëndim.

Kjo nuk është e vetmja mundësi e gatshme për Perëndimin. Duke marrë parasysh vendimin e Serbisë për të kërkuar anëtarësim në Bashkimin Evropian, Perëndimi duhet të ndërmarrë diskutime diskrete me Beogradin për të përcaktuar nëse kryeqyteti serb është i interesuar të ndjekë Kroacinë në rrugën drejt NATO-s.

Nëse ky interes është i pranishëm, Beogradi duhet të inkurajohet. Perspektiva e anëtarësimit në NATO do ta nxiste Serbinë të krijonte kontroll civil ndaj të gjitha forcave të veta ushtarake, të promovonte bazë për zgjidhje të çështjeve të jashtëzakonshme etnike dhe të forconte edhe më shumë dëshirën e vendit për t’iu bashkuar BE-së. Anëtarësimi në NATO do të mbyllte njëherë e mirë kanalet e mëdha të mbështetjes për Rusinë dhe do të fuqizonte materialisht gjithë Gadishullin e Ballkanit kundër përpjekjeve ruse për të nënvlerësuar unitetin e NATO-s dhe të BE-së.

Moska po angazhohet me gjithë fuqinë e saj për të ndikuar te Serbia, Hungaria, Greqia dhe Qiproja për t’i ndarë me NATO-në dhe BE-në. Por këto organizata multinacionale, pavarësisht prej krizave të brendshme, kanë mjetet për të demonstruar jo vetëm se kanë vitalitetin e duhur, por edhe se vazhdojnë të mbesin shembuj të zhvillimit e qeverisjes superiore.

Krejt në fund, dërgimi i forcave ushtarake për të forcuar edhe më shumë shtetet bregdetare të Detit të Zi, si Rumania e Bullgaria, është më se i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Lufta hibride e Rusisë në Ukrainë tregon se fuqia ushtarake është mjeti i vetëm në dispozicion, por jo më i rëndësishmi.

Politika këmbëngulëse dhe e koordinuar në shumë dimensione për integrimin e Ballkanit Perëndimit, nuk ka asnjë fije dyshimi se paraqet vështirësi dhe sfida për Perëndimin, por përfitimet potenciale ua marrin bindshëm anën pengesave reale që Rusia ka vendosur para Brukselit. Nuk vijnë shpeshherë mundësitë për ta zgjeruar dhe fuqizuar Evropën; zhvillimet në botë ofrojnë pak mundësi të dyta. Kriza e Ukrainës ka sjellë një mundësi të papritur për Perëndimin dhe Ballkanin. Ata duhet ta rrëmbejnë këtë sa ka ende kohë.

«Newsweek» – Autori është anëtar senior në Këshillin e Politikës së Jashtme Amerikane. Shkrimi është botuar së pari në uebfaqen e «Atlantic Council»