Pushtimi i radhës i Stambollit

Për herë të parë që nga koha e Ataturkut tani lejohet që një myezin të thërrasë ezanin në Ajasofja. A po merr fund definitivisht shekullarizimi i Turqisë?

Kishë, xhami, muze - tani sërish xhami? Pamje e Ajasofjasë në Stamboll. Foto: Shutterstock

Tri vite para vdekjes Kemal Ataturku, themeluesi i Republikës turke, vendosi që Ajasofja, atëbotë dhe deri më sot ndërtesa më e famshme e Stambollit, tani e tutje të jetë muze. Më 1935 hyri në fuqi ligji përkatës. Tani, në vitin 2016, në fund të Ramazanit, për herë të parë që nga shekullarizimi historik një myezin u ngjit nën kupolën madhështore për të thirrur ezanin, apelin mysliman për lutje. Zmadhuesit e zërit e bartën lavdërimin mëngjesor të Allahut në hapësirën e jashtme. Televizioni shtetëror TRT transmetoi drejtpërdrejtë, nacionalistët turq, sidomos besimtarët konservatorë dhe kolumnistët e gazetave të afërta me qeverinë brohoritën: «Faleminderit, presidenti im». Thua se qëllimi ishte që pushtimi i dytë i Stambollit të kremtohet me një përulje të thellë para Rexhep Taip Erdoanit, thua se ishte zhdukur një simbol dhe tani rruga ishte hapur drejt epokës pararepublikane.

Falja e sabahut në muze shënon, në fakt, një kthesë, ishte – dhe këtë është dashur ta dinë promotorët e këtij ezani – një provokim. Më pak provokim fetar dhe më shumë politik, sepse Ajasofja, «urtësia e shenjtë», siç domethënë emri grek i Kishës së dikurshme ku ngjiteshin në fron perandorët bizantinë, përherë ka qenë edhe ndërtesë politike. Pikërisht për këtë Ataturku vendosi ta shndërrojë Ajasofjan në muze dhe shpresoi ta neutralizonte në këtë mënyrë, sepse kështu dëshironte t’i bllokonte edhe pretendimet e ardhshme greke ndaj faltores dikur ortodokse. Para vendimit të Ataturkut Ayasofya, siç quhet në turqisht, gati 500 vjet, që nga pushtimi i Stambollit nga osmanët më 1453, kishte shërbyer si xhami.

Ataturku s’kishte arsye për konsideratë ndaj këtij fakti. Ai sapo i kishte dhënë fund me sukses Perandorisë Osmane, Sulltanatit dhe Kalifatit dhe kishte shkruar një Kushtetutë për shtetin e ri, e cila fenë dhe shtetin i vendoste në botë të ndryshme. Reformat e Ataturkut e katapultuan Turqinë në modernizëm me orientim perëndimor. Por me radikalizmin e tyre ato te populli besimtar lanë edhe farën për rritjen e një kundërlëvizjeje islamike, e cila, në fund të fundit, ndikoi që sot president i republikës shekullare është një njeri, i cili sërish bën politikë populliste me fe.

Gjatë zhvillimit të saj lëvizja islamiste e Turqisë vazhdimisht është marrë me simbole. Qëmoti ajo ia kishte vënë syrin ndalimit të shamisë në zyrat shtetërore dhe në universitete, një ndalim që ishte marrë për motive republikane. Partia e Erdoanit AKP ka arritur që ndalimin e shamisë ta prezantojë si diçka të imponuar dhe myslimanet, që s’kishin të drejtë të bartnin shami, t’i definojë si viktima. Ndalesa është hequr. Edhe një tjetër «traumë» (kështu shkroi një autor më 2014 në gazetën turke Milliyet) AKP arriti ta zhdukë: nënçmimin e moçëm të shkollave islamike, të ashtuquajturave Gjimnaze të Imam Hatipit. Ato janë valorizuar dukshëm ndërkohë. Mbetet, kështu shkruante komentatori i Milliyetit, edhe Ajasofja.

Prej vitesh po zhvillohet një garë e vërtetë politike: kush po bën kërkesa më radikale për shndërrimin e Aja Sofisë në xhami? Në fillim nga istikamet merrnin guximin të dilnin vetëm ultranacionalistët. Pastaj çoi kokën e djathta parlamentare, Milliyetçi Hareket Partisi (MHP, partia e lëvizjes nacionaliste. Kjo e vuri AKP-në nën presion, sepse MHP konsiderohej si konkurrente në qarqet konservatore anadollake. Më 2013, në vitin e kryengritjes në parkun Gezi, zëvendëskryeministri i atëhershëm Bülent Arinç, publikisht iu bashkëngjit lëvizjes së pushtuesve të Aja Sofisë.

Arinç krekosej se në Turqi tashmë ishte arritur që dy ndërtesa me emrin Ajasofja të hapen sërish «si xhami». Kjo mund të arrihej edhe me ndërtesën me të njëjtin emër në Stamboll – kështu dëshironte ky politikan prominent i AKP-së, ki njohur si tejet konservator. Dy Aja Sofitë tjera gjenden në Trabzon, qytet në breg të Detit të Zi, dhe në Iznik, që në histori njihet si Nicaea. Mbrojtësit e trashëgimisë turke atëbotë, në gusht 2013, protestuan ashpër kur po ashtu në ramazan në ndërtesën me kupolë dhe kryq të shekullit të ’13 freskat bizantine për herë të parë u mbuluan me pëlhurë në mënyrë që aty të luteshin besimtarët myslimanë. Dikur në Trabzon kanë jetuar pontos-grekët, të cilët në dekadën e fundit të Perandorisë Osmane u dëbuan dhe në shumë vende edhe u vranë ashtu si armenët dhe asirianët. Edhe kisha e dikurshme e manastirit, e dekoruar në mënyrë madhështore në këtë qytet të Detit të Zi, ka qenë muze shtetëror, ku lutjet ishin të ndaluara rreptë, deri kur ajo u bë xhami pas një vendimi të diskutueshëm gjyqësor.

Ajasofja e Iznikut në krahinën e Bursës daton nga shekulli i ‘4. Në vitin 2004 kjo ndërtesë e lënë pas dore u restaurua dhe si muze u bë pikë e rëndësishme tërheqëse. Por nga nëntori i vitit 2011 ish-kisha shërbeu sërish si xhami. Kur në vitin 2013 studentët e interesuar për arkitekturën bizantine të një universiteti bizantin dëshiruan të fotografojnë planin e godinës për qëllime hulumtimi shkencor, ata u përzunë nga imami dhe përfunduan në një stacion policie.

Përherë ka pasur protesta kundër këtij de-shekullarizimi, edhe në Turqi, nga myslimanët, të cilët me qejf do të hiqnin dorë nga vallet e tilla. Kundër thirrjes së ezanit në Ajasofja në Stamboll tani – siç pritej – protestoi edhe qeveria greke. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme në Athinë kërkoi vëmendje ndërkombëtare për vendimet në Stamboll, fundja, tha ai, Ajasofja është monument universal dhe trashëgimi e kulturës botërore. Kush dëshiron të lutet në qytet duhet të ec vetëm «100 hapa larg Ajasofjasë». Atje gjendet po ashtu e mrekullueshmja Xhamia Sulltanahmet, të cilën shumica e vizitorëve të Stambollit më shumë e njohin si Xhamia e Kaltër.

Para do kohësh Erdoani ua bënte me dite politikanëve gjaknxehtë në radhët e tij se kush bën kërkesë për t’u lutur në Ajasofja, ai së pari duhet të kujdeset që të mbushen xhamitë e tjera të Stambollit. Paralajmërime të tilla nuk janë bërë të njohura nga Erdoani kohëve të fundit. Presidenti tani ka qejf që në shumë fusha të luajë rolin e provokatorit. Këtë vit në maj ai kremtoi 563 vjetorin e pushtimit të Konstantinopojës. Programi filloi me një recitim Kurani, në një shou tredimensional u shfaq muri artificial që rrethonte qytetin dhe slogani: «I ringjallur, sërish i madh». Dhe mbi këtë slogan gjëmonin avionët luftarakë turq.

Filozofi francez Paul Valéry dikur kishte tërhequr vërejtjen se përbetimi i përhershëm në histori është një punë shumë e rrezikshme, sepse prodhon «ëndrra dhe dehje». Turqia ka filluar t’i nënshtrohet një dehjeje të rrezikshme. Nga kjo dalldi e shqisave ajo mund të zgjohet me disponim të keq. Sepse Ajasofja është një simbol, i cili më mirë është të mos preket. Sepse ripushtimi i saj i detyrueshëm para së gjithash tregon një gjë: një ndjenjë dobësie. Thua se në Stamboll ekziston një vend i madh i zbrazët me emrin Ajasofja, të cilin duhet plotësuar urgjentisht. Në të vërtetë një gjë e tillë Turqisë së sotme nuk i duhet fare.

(Süddeutsche Zeitung)