Pushteti që i lë në baltë qytetarët e vet

Arrestimi nga Serbia i Nehat Thaçit, drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës së Jugut, tregon se Beogradi po e vazhdon luftën kundër Kosovës. Këtë luftë pushteti serb po e zhvillon jo vetëm në Ballkan, por edhe në Zvicër, siç tregon shembulli i Albert S., ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një ditë në fund të prillit të këtij viti Albert S. u zgjua nga gjumi pak para orës gjashtë të mëngjesit. Nuk u zgjua vullnetarisht. Atij ia prishi gjumin policia e kantonit të Zürichut, e cila e arrestoi dhe e dërgoi në Aeroportin e Zürichut. Rrugës drejt aeroportit ai kuptoi arsyen e arrestimit: po e kërkonte drejtësia serbe për krime lufte në dy fshatra në rrethinën e Rahovecit. Albert S. ka qenë luftëtar i UÇK-së, kjo është e vërtetë, por ai mohon të ketë kryer ndonjë krim lufte. Forcat serbe atij ia kanë vrarë gati gjithë familjen. Çfarë duhej të bënte Albert S. përballë kësaj situate? T’ia kthente pushkën kriminelëve të Slobodan Millosheviqit, Jovica Stanishiqit, Arkanit dhe Vojislav Sheshelit apo të pranonte ta masakrojnë ata ashtu si 13 anëtarë të familjes së tij?

Në komunën e Rahovecit ka fshatra shqiptare që kanë mbetur pothuaj pa asnjë burrë – qindra prej tyre, civilë dhe të paarmatosur, i kanë ekzekutuar forcat serbe. Një pjesë e udhëheqjes politike serbe është dënuar, por kryesit e drejtpërdrejtë të krimeve vazhdojnë të jetojnë në liri. Është vjeshtë e vitit 2016 dhe vrasësit serbë tani ndoshta tubohen në një kumbull në Shumadi dhe bëjnë plane për të pjekur raki. Ose për të përgatitur ajvar, ndërsa drejtësia serbe, për t’i barazuar viktimat me vrasësit, po punon me ngulm që ta arrestojë dhe nxjerrë para gjyqit çdo shqiptar që me armë ka kundërshtuar një regjim që nuk ka kuptuar gjuhë tjetër përveç atë të armës.

Sa e përkushtuar është Serbia në këtë drejtim tregon fakti se drejtësia e këtij shteti ka arritur të zbulojë se Albert S. jeton në Zvicër – dhe më 2014 ka dorëzuar në Bernë një kërkesë për ekstradimin e tij në Beograd. Albert S. tani për tani i ka shpëtuar ekstradimit për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar nga shteti zviceran të mos e ekstradojë Albert S. – dhe me kaq ka mbaruar angazhimi i zyrtarëve të Prishtinës. E udhës do të ishte që kjo çështje të bëhej prioritet i diskutimeve me Zvicrën, duke ditur se në këtë vend banojnë qindra, në mos mijëra shqiptarë që në mënyra të ndryshme kanë qenë të angazhuar në lëvizjen e kundërshtimit të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i drejtësisë serbe është të bëjë shou. Në vitin 2012 Zvicra ia dorëzoi Serbisë një shqiptar nga Presheva. Ai akuzohej për krime lufte. Pas gjashtë muajsh ai u lirua në mungesë provash.

Duket se shou i drejtësisë serbe po vazhdon me arrestimin e Nehat Thaçit, drejtor i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Jugut. Ai është prangosur të mërkurën në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë afër Bujanocit, është dërguar së pari në Nish, pastaj në Beograd. Zëdhënësja e Gjykatës së Lartë të Nishit, Iva Popoviq, tha për «Top Channel» se bëhet fjalë për dy të dyshuar. Por procedura është në fazë hetimi, shtoi ajo. «Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka marrë vendim për fillimin e hetimit ndaj të dyshuarit T. A. dhe Th. N., pasi ekziston dyshimi se kanë kryer veprën penale të terrorizmit. Pasi lënda ka kaluar në përgjegjësi të Gjykatës së Nishit është dhënë fletarresti dhe, në bazë të kësaj, Th. N. është arrestuar. Gjithçka është dorëzuar në Prokurori dhe tashmë i takon Prokurorisë për procedurat e mëtejshme», tha Popoviq. Nga ky lajm i kësaj zyrtareje të drejtësisë serbe opinioni i Kosovës mëson se në Nish të Serbisë ende funksionon «Gjykata e Qarkut në Prishtinë».

Kanë kaluar gati 24 orë nga arrestimi i Nehat Thaçit dhe përveç policisë së Kosovës që e ka konfirmuar arrestimin, askush nga pushteti nuk është prononcuar. Hashim Thaçi ka shkarravitur diçka në Facebook për Forcën e Sigurisë dhe për vdekjen e një politikani izraelit; Kadri Veseli i ka quajtur dje heronj të vërtetë të Kosovës ata që mbjellin speca; Isa Mustafa për herë të fundit është bërë i gjallë në Facebook më 27 shtator me një grumbull fotografish nga New Yorku, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Ky shtet i lë qytetarët e vet në baltë, sepse ky shtet nuk udhëhiqet nga njerëz që i kanë parasysh interesat e vendit, por vetëm kuletat e tyre. Po thuhet se Ministria e Brendshme e Skender Hysenit deri nesër do ta lirojë nga prangat serbe Nehat Thaçin. Por ky lajm më shumë tingëllon si skeç humoristik.