Pupovci: «E paqartë pse janë shkarkuar anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit»

Eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci ka shprehur dyshime mbi motivet e shkarkimit të Bordit të Agjencisë së Akreditimit. Ai tërheq vëmendjen se ligji parasheh që në rast të zëvendësimit të më shumë se një të tretës së anëtarëve të Bordit gjatë një viti, me këtë çështje duhet të merret Kuvendi.

Foto: Shutterstock



Vazhdojnë reagimet pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të shkarkuar Bordin e Agjencisë së Akreditimit. Pas kritikave të ashpra në adresë të kryeministrit Ramush Haradinaj nga profesorët universitarë Lul Raka dhe Blerim Rexha, të martën në lidhje me këtë skandal është prononcuar edhe eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci. Në një deklaratë me shkrim të postuar në profilin e tij në Facebook ai shkruan se «për opinionin publik mbetet e paqartë pse janë shkarkuar përnjëherë të gjithë anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit, në mesin e të cilëve ka edhe ekspertë të huaj që vlerësohen nga komuniteti akademik ndërkombëtar. Ose do të ketë ndodhur ndonjë skandal i madh, që opinioni nuk e di, ose ka ndonjë prapavijë krejt tjetër».

Pupovci përkujton se ligji parasheh që në rast të zëvendësimit të më shumë se një të tretës së anëtarëve të Bordit gjatë një viti, me këtë çështje duhet të merret Kuvendi – «dhe kjo flet sa serioze është kjo punë». Kësisoj, Pupovci sugjeron se qeveria mund të ketë shkelur ligjin me vendimin e saj për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit.

«Kohëve të fundit», sipas Pupovcit, «Agjencia (e Akreditimit) ka filluar të demonstrojë pak më shumë vendosmëri për respektimin e kritereve të cilësisë. Për shembull, nuk ka lejuar që personat e njëjtë të jenë bartës të programeve studimore në 3-4 institucione, siç ka ndodhur më herët; ka filluar verifikimin e punësimeve fiktive të stafit akademik nga Maqedonia dhe Shqipëria, të cilët shërbejnë sa për t’u plotësuar kushtet formale të akreditimit, ndërsa, në fakt, jetojnë dhe punojnë jashtë Kosovës. Dhe, shkarkimi ndodhë pikërisht në momentin kur ata kanë filluar të veprojnë. Hapi i tillë, pashmangshëm, shkakton dilema që nuk mund të hiqen me arsyetime të përgjithësuara».

Presioni i politikës mbi Agjencinë ka qenë i madh, sipas Pupovcit. «Për shembull, Agjencia ka qenë e detyruar nga politika që t’i akreditojë si universitete gjashtë institucionet publike të arsimit të lartë jashtë Prishtinës, edhe pse asnjëri prej tyre nuk i përmbush kushtet ligjore për të qenë universitet. Në një rast, ndërhyrja politike ka shkuar aq larg sa vendimet për akreditim janë marrë në mbledhje të Qeverisë, që është krejtësisht në kundërshtim me Ligjin», ka shkruar Pupovci.

Demi: Agjenda e grupeve të interesit

Publicisti Agron Demi ka theksuar se shkarkimi i Bordit të Agjencisë së Akreditimit është edhe një shembull se si programet partiake, zgjedhore e qeveritare, janë sa për sy e faqe. «Agjendat i caktojnë grupet e interesit, të cilat për fat të keq janë me shumicë në institucionet e arsimit të lartë». Sipas Demit tre muaj e gjysmë më parë janë mbajtur zgjedhjet dhe asnjëra prej partive të koalicionit në programet e tyre nuk e ka pas asnjë rresht për funksionimin e Agjencisë së Akreditimit.

«Një javë më herët është aprovuar Programi i Qeverisë 2017-2021, në të cilin nuk thuhet asgjë për punën e Bordit të Agjencisë së Akreditimit, përveç që sugjerohet të ngrihet në nivel të agjencisë dhe se e konsideron problem pranimet masive pa kriter te studentëve», ka shkruar Demi. Qeveria, shtoi Demi, e ka shkarkuar Bordin, i cili një ditë më parë ka marrë vendim pikërisht për mos lejuar pranimet masive pa kritere. Qeveria deri më tani ka injoruar kritikat nga profesorët universitarë, mediat dhe nga shoqëria civile. (dp)