Punimet në «Kurriz» paralizojnë një pjesë të «Dardanisë»




Fillimi i punimeve në platenë e «Kurrizit» në «Dardani» ka paralizuar një pjesë të lagjes.

 

Më të pakënaqurit janë shprehur pronarët e bizneseve dhe të dyqaneve të ndryshme që veprojnë në këtë pjesë. Ata theksojnë se u ka rënë puna mjaft, ndërsa u kërkojnë organeve komunale që të përshpejtojnë punën e projektit, shkruan sot Koha Ditore.

«Duke filluar nga objekti i Postës së Kosovës e deri tek shtatorja në bulevardin ‘Bill Clinton’, janë hapur punimet e rinovimit, kurse pjesë-pjesë janë vendosur edhe grumbuj mbeturinash», ka thënë pronari i një biznesi, hyrja e të cilit lidhet drejtpërdrejt në plate. Ai ka zgjedhur të mos i përmendet emri dhe as lokali. Ka kritikuar punëkryesin edhe për grumbullim mbeturinash vend e pavend.

«Edhe më keq është fakti që banorët e papërgjegjshëm po vazhdojnë t’i shfrytëzojnë grumbujt e mbeturinave inerte për të hedhur mbeturina të tjera të amvisërisë dhe të cilat kundërmojnë rëndë», ka vijuar ai. Ai shprehte befasinë se pse komuna nuk e ka obliguar punëkryesin të punojë pjesë pas pjese.