Punimet e Ujësjellësit rrezikojnë nxënësit e shkollës «Elena Gjika»

Punimet që po i kryen ujësjellësi rajonal KUR ‘Prishtina’, po rrezikojnë nxënësit e shkollës «Elena Gjika» në kryeqytet. Për këtë gjë kanë reaguar drejtoria e shkollës dhe prindërit.




Drejtori i shkollës fillore «Elena Gjika», Osman Vitia, ka thënë se ato punime janë të paarsyeshme dhe që, sipas tij, përveç rrezikimit të nxënësve, kanë shkaktuar edhe shumë pengesa të tjera.

«Ka pasur kohë të mjaftueshme gjatë verës që ato punime të përfundojnë. Tash bash kur ka filluar mësimi këta po punojnë, e janë 2 mijë fëmijë aty që mbajnë mësim. Duhet ta kemi parasysh që është lokacion i ngushtë, është bllokuar hyrja e shkollës dhe çdo moment rrezikimi i nxënësve është permanent», ka thënë Vitia. Ai ka shtuar se, edhe pse tashmë punimet janë në prag të përfundimit, kjo u ka shkaktuar telashe të shumta.