Punëtorët e sektorit privat trajtohen si skllevër

Kompanive private, deri më 15 tetor, u është dhënë afat nga Sindikata e Punëtorëve në Sektorin Privat për të paguar kontributet e punëtorëve, të cilat për vite me radhë nuk i kanë kryer, siç i obligon ligji.




Në të kundërtën, kjo sindikatë ka paralajmëruar se do t`i bëjë publikë emrat e secilës kompani, shkruan sot Koha Ditore.

Pos kontributeve, drejtues të kësaj sindikate janë shprehur të shqetësuar për gjendjen e punëtorëve në sektorin privat. Ata kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosgatishmëri për ta ndryshuar atë.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, në konferencën e mbajtur të premten, ka thënë se, pos pagave të ulëta të punëtoreve që sillen rreth 120 euro; kontratave të punës të cilat lëshohen edhe pas 10 vjetësh me 3 deri 6 muaj, një çështje shqetësuese është fakti se gati 70 % e kompanive private nuk paguajnë kontribute për pagat e punëtorëve. Ai ka thënë se për periudhën dymujore kanë vërejtur se ka kompani që për rreth 10 vjet rresht nuk kanë paguar asnjë cent për kontributet.