Punëtorët e ish-kombinatit kërcënojnë me mbylljen e portave të «Sharrcemit»

Zvarritja e një përgjigjeje nga institucionet relevante për 887 ankesat që kanë deponuar rreth shitjes së ndërmarrjes dhe mosnjohjes së aksioneve të punëtorëve, me gjasë ka për të shtyrë tashmë punëtorët e ish-kombinatit «Sharr» në veprime të tjera më radikale.




Vetë punëtorët kanë kërcënuar të martën se mbyllja e portave të ndërmarrjes aktuale «Sharrcem» mund të jetë veprimi i fundit i tyre pas 11 vjetësh pritjeje që të zgjidhet çështja e tyre, shkruan sot «Koha Ditore».

Xheladin Laçi, kryetar i Këshillit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe shoqërisë aksionare (KQMDPSHA) të ish-kombinatit «Sharr» e ka konfirmuar se nëse edhe këtë javë shteren të gjitha mundësitë e një përgjigjeje institucionale, atëherë do të merren masat e fundit.

Laçi ka deklaruar po ashtu se prej vitit 2004 punëtorët e ish-kombinatit po protestojnë, po ankohen në gjykata e prokurori, e në dhoma të posaçme, por gjithmonë pa përgjigje.

«Kemi deponuar 887 ankesa, e kemi provuar të reagojmë edhe përmes dy kryetarëve Besim Ilazi e Rufki Suma, por kot. Na vdiqën 137 punëtorë shumë të tjerë janë të shtrirë në spital për t’u operuar nga sëmundja e kancerit që e kanë fituar nga fribrat kancerogjene në ndërmarrje. Ky është diskriminim total, kurse përgjigjet nuk vijnë edhe për shkak të argumenteve që kemi», ka thënë ai.

E argumente se janë bërë shkelje të rënda në procesin e privatizimit të ndërmarrjes ka provuar të ofrojë edhe nënkryetari i Këshillit, Ferat Kuka.

«Kemi argumente të gjalla se AKP-ja ka bërë shkelje të rëndë në privatizimin e kombinatit «Sharr». Organi okupues 7 vjet para luftës ka rrahur, vrarë e larguar punëtorët të ish-kombinatit «Sharr», mirëpo nuk e ka anashkaluar shoqërinë aksionare, sepse 30 për qind punëtorët ishin aksionarë. AKP-ja tashmë e ka bërë një shkelje të rëndë dhe nuk ka privatizuar, por ka uzurpuar, sepse në kohën e privatizimit ne na është mohuar e drejta e aksioneve në ish-kombinat», ka thënë Kuka.

Por, nga ana tjetër, këta punëtorë përkrahje kanë gjetur vazhdimisht edhe te kryetari Hanit të Elezit, Rufki Suma. Mirëpo, ky i fundit të martën ka ftuar punëtorët në qetësi dhe kërkimin e zgjidhjes me protesta paqësore dhe në rrugë institucionale.

«Unë i kam përkrahur punëtorët në kërkesat e tyre dhe do t’i përkrah edhe më tutje, por personalisht nuk e përkrah formën e dhunës», ka thënë Suma, të martën, për «Kohën Ditore».

«Ata kanë të drejtë të protestojnë, por duhet të protestojnë te shitësi i ndërmarrjes që në këtë rast është AKP-ja dhe jo te blerësi», ka shtuar Suma.

Në të vërtetë, gjendja e rënduar e punëtorëve të ish-kombinatit «Sharr» në Han të Elezit kishte shtyrë kohë më parë kryetarin e kësaj komune, që edhe një herë të kërkojë nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme që ta rivlerësojë me kujdes ligjshmërinë e privatizimit të ish-kombinatit që pas këtij procesi është shndërruar në «Sharrcem». Kryetari Suma ka ripërsëritur se Komuna e Hanit të Elezit që nga fillimi e ka kundërshtuar procesin e privatizimit për shkak të shumë parregullsive që e kanë përcjellë këtë proces. Dhe Komuna e Hanit të Elezit që drejtohet nga Suma për këtë arsye kishte iniciuar edhe padi pranë Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme për të vlerësuar ligjshmërinë e procesit të privatizimit. Kërkesëpadia ishte dorëzuar në maj të vitit 2012, por që prej asaj kohe Komuna nuk ka marrë asnjë përgjigje.