Punët e natës për ditët e zeza

«Koalicioni i Territ» u bashkua për të bllokuar Kosovën përballë aktakuzave të Gjykatës Speciale. Çfarë duhet të mësojë Lëvizja Vetëvendosje nga kjo kthesë?

R. Haradinaj, kandidat për kryeministër i «Klanit Pronto».



Ramush Haradinaj brenda natës është bërë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për postin e kryeministrit të Kosovës. Prej «Ramush Shumarit», siç e kanë fyer me vite nëpër zyrat e PDK-së, tani Haradinaj u bë «nip i shqiponjës» – kështu e quajti sot Kadri Veseli kryetarin e AAK-së, një parti minore, e katërta për nga fuqia politike në Kuvendin e deritanishëm, një grup politik i dirigjuar nga familja Haradinaj.

Përtej kësaj retorike të rrejshme të Veselit: fakti që partisë së katërt i jepet posti i kryeministrit është tallje me votuesit anekënd Kosovës. Askund në demokracitë e konsoliduara kjo nuk bën vaki. Ç’është e vërteta më 2004 LDK pranoi t’ia dhurojë Haradinajt postin e shefit të Qeverisë për të ndalur gjakderdhjen në Dukagjin, e cila mund të eskalonte në luftë civile. Por tani Kosova ka hyrë në vitin e dhjetë të pavarësisë dhe qëmoti do të duhej t’i kishte dhënë fund këtij standardi të dëmshëm për demokracinë, këtij standardi që stërkeq jetën institucionale.

Por kush pyet në Kosovë për standarde demokratike kur politikanët duarndyrë i kap paniku i humbjes. Duke e ndjerë rrezikun se PDK – e zhytur thellë në moçalin e korrupsionit – e kishte të vështirë të dilte e para në zgjedhjet e 11 qershorit, shefi i saj Kadri Veseli bëri një «tërheqje taktike» spektakulare: partia më e madhe (është çështje tjetër si u bë më e madhja) iu gjunjëzua partisë minore, AAK-së. Për këtë vendim nuk u konsultuan forumet e PDK-së. Për të kumtuar lajmin se PDK kapitulloi përballë Haradinajt e nxorën para publikut Enver Hoxhajn, i cili ka përvojë të madhe me fjalime nënshtruese dhe vetëposhtëruese. Sërish u shpërfaq njëri nga problemet thelbësore të partive kryesore në Kosovë (me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje): demokracia e brendshme nuk ekziston dhe kryetari e konsideron partinë pronë të tij, vendos vetë ose me një rreth të ngushtë «shokësh» për koalicione, aderime, dëbime, ndëshkime. Edhe në LDK ka zëra që e kritikojnë Isa Mustafën për lidhje të koalicionit me AKR-në që dikur u themelua edhe me ndihmën e SHIK-ut për të dëmtuar pikërisht LDK-në. Këtë mision Behgjet Pacolli e ka kryer me sukses dhe kur është bërë i parëndësishëm për PDK-në e kanë hedhur si leckë në shportën e bërllokut politik. Tash askush mos të befasohet nëse strukturat e PDK-së fillojnë t’ia nxjerrin në opinion Pacollit fotografitë me Selim Broshën, njërin prej udbashëve kryesorë të Jugosllavisë. Ashtu siç i kanë nënshtruar partitë, ky soj liderësh synon të nënshtrojë edhe shoqërinë.

Për çka u bashkua dhe u krijua koalicioni mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës? Jo për t’i ofruar një model shembullor të qeverisjes Kosovës. Sepse modeli i tyre është parë qe gati 20 vjet. Për ironi në ditën kur ky koalicion u bë publik (5 minuta para orës 24:00), njëri nga liderët e këtij koalicioni qëndroi para gjyqit. «Koalicioni i Territ» u bashkua për të bllokuar Kosovën përballë aktakuzave të Gjykatës Speciale. Kjo është një marrje peng e vendit për shkak se nja 10 persona që e kanë bërë rrush e kumbulla pasurinë publike të Kosovës tash kanë frikë se direkt apo indirekt do t’i fshijë si kosë Gjykata Speciale. Kësisoj, siç shkroi sot analisti politik Agron Demi, brenda «Fillimit të Ri», në të vërtetë «Trillimit të Ri» e gjejnë veten Blerim Kuqi, i shpallur tradhtar dhe i dënuar me vdekje, dhe ai që akuzohej për këtë marrëzi: Fatmir Limaj. (Kuqi dhe partia e tij AAK premtojnë sistem funksional të drejtësisë, ndërsa vetë Kuqi ka refuzuar të dëshmojë për këtë çështje). Haradinaj do të bashkëpunojë tani me ata që me gjuhë vulgare i quante «pedera» dhe linte të kuptohej se janë shitës të territorit të Kosovës, rrjedhimisht tradhtarë, ndërsa Hashim Thaçi tallej me të se po bënte zhurmë për disa livadhe që i ka blerë në kufi me Malin e Zi. Se cili kanë më shumë njohje gjeografike në atë rajon mes Pejës e Rozhajës nuk mund të thuhet me siguri të plotë, por njëri prej tyre me siguri ka ditur për atë tubacionin e famshëm, përmes të cilit pas luftës së fundit rridhte naftë nga Mali i Zi në Grykën e Rugovës.

U bë si u bë dhe ja ku jemi: Haradinaj që i quante «flliqana» ata që i shihte si radikalë islamikë mund ta ketë ministër të Shëndetësisë në kabinetin e tij, Ferid Aganin, për të cilin janë ngritur dyshime se mund të jetë i përkrahur nga regjimi i Rexhep Taip Erdoanit apo nga qarqet islamiste të Gjirit Persik. «Milici i Serbisë» Hajredin Kuqi do të jetë mbase koleg në parlament me Zafir Berishën, «kokrodillin» më të shkathtë në retorikë nga Maja e Zhlepit në Majën e Lubotenit.

Çfarë duhet të mësojë Lëvizja Vetëvendosje nga kjo kthesë? Pikësëpari këtë: Ramush Haradinaj është vetëm një tyxhar politik, pa parime, pa etikë minimale politike, i etur për pushtet me çdo kusht, i gatshëm për kthesa 180 shkallë, për gjimnastika të papara politike, për vija të kuqe, të cilat sa çel e mbyll sytë shndërrohen në vija të bardha. Pastaj VV duhet të kuptojë se politikanët si Haradinaj, të cilët po të mos ekzistonte politika do të ishin raste sociale ose rojtarë klubesh të natës ose trajner hokeji mbi akull në Zvicër, nuk e kanë fare problem të bëhen pjesë të kauzave politike kur nuhasin përfitime politike dhe i braktisin ato kauza në çastin që shohin shansin e rrëmbimit të pushtetit duke u bërë bashkë me ata që deri dje i ka quajtur tradhtarë.

Kalimi i Haradinajt në kampin e SHIK-ut është parë kur, pasi e keqpërdori VV-në për hedhje të gazit lotsjellës në parlament, dorëzoi mandatin, sepse nuk ishte i gatshëm të përfaqësojë një kauzë deri në fund, të cilës i ishte afruar vetë. Mbi të gjitha VV duhet të mësojë se në të ardhmen e afërt projekti i saj për zhvillimin e Kosovës dhe krijimin e një shteti funksional arrihet jo duke rënë në gracka të PDK-së dhe Haradinajt, por duke ndërtuar aleanca të mirëfillta së pari me opinionin e gjerë publik dhe kritik ndaj regjimeve të komandantëve dhe duke mos i djegur të gjitha urat për partneritet me parti si LDK, e cila, përkundër dobësive të mëdha që ka treguar sidomos pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, mbetet parti që mund të mundësojë kthesa të rëndësishme në të mirën e Kosovës. Për të bërë këtë kthesë duhet një partneritet strategjik mes VV-së dhe LDK-së. Elektorati i sinqertë i LDK-së e favorizon një partneritet të tillë, por ky elektorat nuk duron të fyhet Ibrahim Rugova.

Të martën gjatë natës ai që quhet «krahu i luftës» (në të vërtetë është vetëm krahu i milionerëve që duhet të ndiqen nga drejtësia) i nisi punët e natës për ditët e zeza që e presin Kosovën.