«Punësohu në Gjermani», sepse për pesë vite në Kosovë janë krijuar vetëm 3264 vende pune

Papunësia në Kosovë vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore - veçanërisht për të rinjtë dhe gratë. Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave, shkalla e papunësisë arrin në 30 për qind. Dy të tretat e popullsisë të moshës 15 deri në 64 vjeçare janë në gjendje të punojnë. Shumë prej tyre s’kanë punë të rregullt ose janë të papunë. Një situatë e tillë e arsyeton emigracionin e kosovarëve dhe nevojën për punë sezonale në vendet perëndimore. Sipas të dhënave të fundit të AKS-së për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018-të të papunë janë rreth 142 mijë, ndërsa punëkërkues të regjistruar aktualisht në nivel vendi janë 96 mijë e 670 persona.

Arta Berisha. Foto: Jeton Sopa.



Mjafton ta shkruash në Facebook fjalën «punësohu» ose «punësim sezonal» dhe të shfaqen dhjetëra faqe të bizneseve të cilat premtojnë se ndërmjetësojnë punësimin sezonal të të rinjve kosovarë në vendet perëndimore. «150 vende të lira pune në Gjermani» – shkruan në njërën nga këto faqe e cila inkurajon të gjithë studentët e interesuar që deri më 1 dhjetor të 2018 t’i dorëzojnë dokumentet për sezonin veror të punësimit. «Dyseldorf 20 vende pune, Mynhen 15 vende pune, Bremen 8 vende pune, Këln 10 vende pune, Hamburg 7 vende pune» – këto qytete gjermane dhe vendet e punës i promovon një kompani tjetër nëpërmes faqes së saj në Facebook. 1 janari 2019 është afati përfundimtar i aplikimit për ata që dëshirojnë të punojnë gjatë verës në Gjermani.

Nga një bashkëbisedim me punonjësit e kompanive ndërmjetësuese për punë jashtë vendit, kuptohet se thirrja u drejtohet vetëm të rinjve të cilët janë duke i vijuar studimet e nivelit themelor apo master në Kosovë dhe vendet e rajonit. Kohëzgjatja e vizës është jo më shumë se tre muaj – rrjedhimisht punonjësit sezonalë detyrohen të kthehen në atdhe pas skadimit të kontratës së punës. Mësohet se punëkërkuesit i nisin procedurat e aplikimit duke paguar 600 euro, por një pjesë e kësaj shume kthehet në momentin e pajisjes me vizë nga ambasada e vendit përkatës. Kompania merr përsipër t’i ndihmojë ata në procesin e aplikimit, ta sigurojë kontratën e punës si dhe t’i përfundojë  procedurat e aplikimit për vizë në Zonën Schengen.

apunësia në Kosovë vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore veçanërisht për të rinjtë dhe gratë. Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave shkalla e papunësisë arrin në 30 për qind. Dy të tretat e popullsisë të moshës 15 deri në 64 vjeçare janë në gjendje të punojnë. Shumë prej tyre s’kanë punë të rregullt ose janë të papunë. Informaleti i Kosovës është ndër më të lartit në Evropë. Sipas raportit të Bankës Botërore për vitin 2017 konsiderohet që 35 përqind e të punësuarëve i takojnë sektorit jo formal. Por sic konstaton raporti “vendet joformale të punës ndihmojnë ata me nivel të ulët të arsimit e të cilët e kanë më të vështirë të konkurrojnë për vendet formale të punës, por vendeve të punës u mungon siguria dhe përjashtojnë punëtorët nga shumë përfitime, e kështu rrisin ndjeshmërinë e tyre ndaj tronditjeve negative në ekonomi” (Diagnoza e vendeve të punës 2017).

Një situatë e tillë e arsyeton emigracionin e kosovarëve dhe nevojën për punë sezonale në vendet perëndimore. Aktualisht punëkërkues të regjistruar në nivel vendi janë 96 mijë e 670 persona. Agron Demi, analist politikash në Institutin GAP, bën të ditur se për pesë vite janë krijuar vetëm 3264 vende të reja pune ndërsa sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit çdo vit në shkollat e mesme diplomojnë afër 28 mijë nxënës, të cilët janë të gatshëm për të hyrë në tregun e punës. «Këto të dhëna tregojnë përse emigracioni i të rinjve për në vendet e Europës është në shkallë të lartë. Sipas të dhënave të Eurostat, për periudhën 2014-2016, mbi 52 mijë kosovarë të moshës mes 18-34 vjeçare kanë kërkuar azil në vendet e BE-së», tha Demi.

Mungesa e vendeve të punës, veçanërisht në sektorin privat ndikon më së shumti te të rinjtë, gratë dhe grupet e vogla etnike. Të dhënat statistikore thonë se të rinjtë e moshës 15-24 vjeçare kanë gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit. Në përgjithësi vetëm 11.8 për qind e grave në moshë pune janë të punësuara krahasuar me burrat, shkalla e punësimit te të cilët arrin në 45,5 për qind.

Sipas analizës së Agron Demit, diskriminimi dhe shikimi i moshës si pengesë e vështirëson mundësinë për të siguruar një vend pune për gratë, të rinjtë dhe grupet etnike. «Përderisa vazhdon rritja e punësimit në sektorin publik, të rinjve u pamundësohet puna në këtë sektor për shkak të kërkesave për përvojën e punës. Përkundër asaj se gratë tani diplomojnë në shkallë më të lartë si në nivel bachelor ashtu edhe në master, prapëseprapë ato diskriminohen në tregun e punës», thekson Demi.

Sipas Rrjetit të Grave, organizatë që promovon të drejtat e gruas, mbi 80 për qind e grave janë joaktive në tregun e punës. Arsye kryesore për këtë gjendje konsiderohet se janë detyrimet familjare, kujdesi ndaj fëmijëve si dhe ndaj të moshuarve.

Gjasat që diskriminimi i grave në punë të vazhdojë shtohet kur merret parasysh ligji i punës dhe nenet që flasin për pushimin e lindjes. «Në rast të lindjes, pushimi i jepet ekskluzivisht vetëm nënës, ndërsa të atit të fëmijës i jepen vetëm dy ditë pushim. Kjo është një kosto e madhe për sektorin privat që nëpërmes statistikave ka treguar që preferohet të punësohen më shumë burrat se sa gratë për këto arsye», thuhet në një përgjigje të Rrjetit të Grave të Kosovës për këtë temë.

Kjo organizatë konsideron që diskriminimi gjinor zvogëlohet në momentin që qeveria ndryshon ligjin e punës duke ofruar pushimin e atësisë edhe për burrat; një mënyrë kjo që gratë e punësuara të kthehen më herët në punë dhe të zvogëlohen gjasat e ndërprerjen së kontratës dhe ndalesës në ngritje në pozitë.

Përkundër situatës së rëndë, qeveria e Kosovës ka dështuar ta orientojë buxhetin e shtetit drejtë krijimit të mundësive për punësim. Qeveria Haradinaj nuk e ka rritur buxhetin e agjencisë së punësimit sidomos sa i përket trajnimeve profesionale që ishte detyrim i agjendës për reforma europiane. Në institutin GAP konstatojnë që kjo nuk pritet të ndodhë as në vitin 2019; rrjedhimisht po të mos ekzistonte emigrimi ilegal dhe kontratat e përkohshme të punës gjendja do të ishte edhe më e rëndë.

Ndërkohë të dhënat zyrtare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale flasin për 96 mijë e 670 mijë punëkërkues të regjistruar në nivel vendi. Për shkak të papunësisë një numër i madh i njerëzve nuk kanë kontribute në Trustin Pensional dhe kjo është shenjë se pensionet sociale në të ardhmen do të rriten dukshëm. Sipas të dhënave të Trustit Pensional të Kosovës, në vitin 2017, 19,9 për qind e  kontribuuesve nismëtar ishin mbi moshën 40 vjeçare.

Në këtë kuadër Instituti GAP konsideron se si pasojë e papunësisë së lartë dhe vendeve jo të qëndrueshme të punës pasojat afatgjata kanë filluar të vërehen, duke filluar nga shkalla e emigrimit. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës 11 për qind të popullsisë ka kërkuar së paku një herë azil në vendet e BE-së ose është larguar nga Kosova (sipas Institutit GAP).

Rritja e buxhetit në agjencinë e punësimit për shërbimet e aftësimit profesional me qëllim të përgatitjes së fuqisë punëtore, ngritja e cilësisë së arsimit, orientimi i investimeve kapitale të cilat gjenerojnë punësime afatgjata janë disa nga masat që i rekomandohen qeverisë së Kosovës në vend se ta shpenzojë buxhetin e shtetit në projekte infrastrukturore.

Artikulli është realizuar në kuadër të projektit «Të kuptuarit e Qeverisë: Përmirësimi i transparencës dhe llogaridhënies institucionale përmes të dhënave të hapura», i cili implementohet nga Open Data Kosovo.