Puna kolosale e instituteve shqiptare në Evropë

Institutet e studimeve shqiptare në Romë, Munih, Vjenë e Londër e bënë punën më të madhe në dobi të shkencës e studimeve shqiptare. Këtë punë s’e bënë gjithë universitetet e institutet gjithandej trojeve shqiptare.




I pari institucion që u krijua në fushën e studimeve shqiptare ishte Instituti i Studimeve Shqiptare i Tiranës, një synim historik i intelektualëve të kohës. Ky institut do të formohet në Tiranë, më 8 prill të vitit 1940, me miratimin e fondit «Skenderbeg», si dhe statutit dhe rregullores nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryesisë së Këshillit të Ministrave. Instituti i Studimeve Shqiptare ishte themeluar me të vetmin qëllim që t’i zhvillonte studimet e intelektualëve shqiptarë në shkencë, në fushën e artit dhe të letërsisë, përgjithësisht siç thuhej edhe në statut, «ta pasuronte kulturën kombëtare». Që atëherë, Instituti i kishte departamentet e tij për shkencat moralo-historike, fizike (matematikë), gjuhë dhe letërsi, si dhe departamentin e arteve. Instituti fillimisht kishte 48 anëtarë dhe kryetar e kishte Ernest Koliqin, që dha dorëheqja nga posti i ministrit të Arsimit për t’iu përkushtuar kryesisht punës aty. Koliqi menjëherë nisi botimin e vëllimeve «Studime e tekste». Anëtarë të tij më vonë do të kooptoheshin edhe Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Ali Asllani, Kristo Floqi, Kristë Maloki, Dom Ndoc Nikaj, Atë Pashk Bardhi, Hasan Dosti, Hamdi Sulçebe, Hamit Kokalari, Spiro Konda, Vasfi Samimi, Odise Paskali, Rexhep Krasniqi, Vedat Kokona, Arshi Pipa, Dedë Gostani, Gaspër Shoshi, Gjelosh Luli, Gjush Sheldia, Llukë Karafili etj. Si pasojë e zhvillimeve politike dhe ushtarake që e goditën edhe Shqipërinë, Instituti i Studimeve Shqiptare e ndërpreu veprimtarinë e tij në fund të vitit 1944.

Një institut në emigracion

Ernest Koliqi ishte larguar nga Shqipëria për në Itali që në vitin 1943, i dekretuar si ambasadori i saj i fundit në Selinë e Shenjtë. Se ky institut kishte bërë një punë të madhe në fushën e studimeve shqiptare, i Koliqit siç njihet në historiografinë shqiptare, flet mirënjohja e përmbledhur në konstatimin se Instituti i Studimeve Shqiptare ishte pararoja e themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emërua drejtor i Institutit. Institutit më vonë, nga viti 1960, për një kohë do t’i bashkëngjitet edhe Martin Camaj.

Në kuadër të Institutit të Studimeve Shqiptare të Romës, Koliqi e boton në Firencë, në dy gjuhë, shqip dhe italisht, vëllimin «Poezia popullore shqiptare», një përmbledhje shkrimesh e kumtesash «Saggi di Letteratura Albanese». Ai e themelon revistën kulturore, letrare e shkencore, «Shejzat». Më tutje, me mbështetjen e institutit ai boton vëllimin «Kangjelet e Rilindjes» italisht, teksa nxit arbëreshët ta ruajnë gjuhën dhe identitetin kombëtar të tyre. Romani «Shija e bukës mrame», me temë mërgimin, botohet në vitin 1960. Gjatë këtyre viteve e përkthen në italisht poemthin e Ali Asllanit, «Dasma shqiptare», këngën e 26-të të «Lahutës të Malcis’» të Gjergj Fishtës, «Lahutën e Malcis’», episodin e Marash Ucit (kangët 12,13,14,15).

Instituti Shqiptar i Munihut

Instituti Shqiptar i Munihut pa dyshim impulset e para vendimtare drejt hulumtimeve dhe studimeve shqiptare, siç thuhet edhe në historikun e institutit, nisën diku nga viti 1962. Institutin Shqiptar e themeloi në vitin 1963 historiani i njohur gjerman, prof. Dr. Georg Stadtmüller dhe e udhëhoqi personalisht deri në vitin 1976. Prof. Stadmüller, që nga viti 1958 e deri më 1974 ishte profesor i rregullt i historisë së Evropës Juglindore në Ludwig-Maximilian-Universität München. Qëllimi i themelimit dhe punës së institutit ishte para së gjithash ringjallja e studimeve shqiptare që kishin nisur në hapësirën gjermane në shekujt XIX dhe XX nga studiuesit Johann Georg von Hahn, Gustav Meyer, Carl Patsch, Norbert Jokl.

Në fillimet e para, në institut, përveç Stadmüller, që kishte doktoruar me temën e prejardhjes së shqiptarëve, me punën e tyre u angazhuan edhe profesorët universitarë Alois Schmaus, Franz Babinger, Hans-Joachim Kissling, si dhe Herbert Louis. Me kohën, prof. Stadmüller ia doli të jetësojë bibliotekën më të madhe studiuese shqiptare në Perëndim. Nga fundi i karrierës së tij akademike, prof. Stadmuller iu përkushtua krejtësisht studimeve shqiptare, duke qenë mentor i shumë disertacioneve nga fusha e historisë. Pas prof. Stadmüller, institutin deri në vitin 2005 e udhëhoqi prof. dr. Peter Bartl – profesor i rregullt i historisë së Evropës Juglindore dhe që me ndihmën e fondacionit «Fritz Thyssen» ia doli t’i mbajë gjallë studimet dhe hulumtimet në sferën e historisë shqiptare, por edhe të albanologjisë.

Kontribut të madh në punën e institutit dha edhe bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, Prishtinës, Shkodrës, me Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo (Centro Internazionale di Studi Albanesi) dhe me Institutin e Studimeve Shqiptare në Universitetin e Romës. Bashkëpunëtorë të devotshëm që u shquan edhe me publikime në Institutin e Munihut ishin edhe prof. Martin Camaj, si dhe prof. dr. Hasan Kaleshi, që njëherësh ishte edhe anëtar nderi i institutit. Prof. dr. Hasan Kaleshi publikoi punimet e tij në «Südost Forschungen» dhe ishte anëtar i redaksisë «Hulumtime shqiptare» (Albanische Forschungen).

Për shkaqe teknike, krejt biblioteka e institutit, me vendim të Bordit Drejtues, më 28 shkurt të vitit 2005 i kalon Universitetit të Vjenës, me ç’rast drejtimin e instituti e marrin Konrad Clewing nga Instituti Juglindor i Regensburgit dhe prof. dr. Oliver Jens Schmitt nga Universiteti i Vjenës. Angazhimi i përkushtuar i dr. Michael Schmidt-Neke (Kiel), dr. Robert Elsie (Olzheim) dhe Mirela Shira (Vjenë) kontribuoi që instituti ta gëzojë emrin dhe të shënojë rezultate shumë domethënëse në fushën e historisë së studimeve shqiptare.

Qendra për Studime Shqiptare në Angli

Qendra për Studime Shqiptare në Angli – Qendra për Studime Shqiptare është themeluar në shtator të vitit 1997 në Oxford nga studiuesi dhe hulumtuesi shqiptar, Bejtulla Destani. Qendra, që nga themelimi gëzonte përkrahjen e studiuesit anglez, Noel Malcom. Sipas Destanit, një ndër veprat më të rëndësishme dhe më kryesorja që është botuar nga qendra londineze, që atë e bën krenar, është një prej veprave më madhështore dhe libri më i madh që është botuar në historinë e Shqipërisë, i shkruar prej një anglezi, Owen Pearson – «Shqiperia në shekullin e XX». I botuar në tri vëllime, nga viti 1908 deri 1998, Pearson u ka kushtuar 65 vjet studime mbledhjes së shkrimeve të historisë së Shqipërisë, që nga viti 1936. Ai e kishte një koleksion të hatashëm të veprave me karakter historik, kulturor, antropologjik dhe politik, që ka të bëjë me Shqipërinë, duke i mbledhur dhe përgatitur në 65 vëllimet e tij, artikujt e gazetave që nga viti 1912 deri më 2006 për Shqipërinë dhe trevat shqiptare, në të gjitha gjuhët.