Pula zëvendëson Fazliun në Komisionin mbikëqyrës në luftimin e korrupsionit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi Blerim Isufaj, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku anëtarët e këtij këshilli, veç tjerash, kanë shqyrtuar dhe aprovuar me disa sugjerime të cilat u dhanë nga anëtarët e Këshillit, Raportin e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike për periudhën tetor - dhjetor 2015 dhe janar – mars 2016.

Po sot, anëtarët e Këshillit shqyrtuan kërkesën e parë buxhetore të Këshillit Porkurorial të Kosovës për vitin 2017, kërkesë kjo e cila u aprovua me disa sugjerime për plotësim-ndryshime.

Gjithashtu, përcaktimi i pozitave për avancim dhe transferim të prokurorëve nëpër prokurori, ishte pika e cila u shqyrtua dhe aprovua nga anëtarët e Këshillit Prokurorial.

«Për sekretar të komisionit për çështje normative anëtarët e Këshillit e caktuan, Valdrin Krasniqin, zyrtar ligjor në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial», thuhet në njoftimin për media të KGJK-së.

Po ashtu, anëtarët e Këshillit Prokurorial, morën vendim që sekretarët e Komisioneve të Këshillit Prokurorial të Kosovës të paguhen për angazhimin shtesë nëpër komisione. Ky vendim është marrë deri në nxjerrjen e një vendimi të përhershëm lidhur me këtë çështje.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial, gjatë takimit bën plotësim-ndryshimin e Komisionit mbikëqyrës në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

«Në vend të anëtarit të deritashëm të këtij komisioni, prokurorit Shqipdon Fazliu, caktuan prokuroren Laura Pula», theksohet më tej në njoftim.

Prokurorin Arben Ismajli, anëtarët e KPK-së e caktuan anëtar nga radhët e Këshillit Prokurorial si person kontaktues ku duhet të adresojnë kërcënimet eventuale që mund t’u drejtohen prokurorëve.