«Puçin e ka planifikuar vetë Erdogani»

Presidenti turk fajtor për përpjekjen për grusht shteti në korrik e bën klerikun në egzeil Fetullah Gülen. Tani ia kthen ky i fundit: Komplotisti është vetë Erdogani.

Momente nga përfundimi i përpjekjes për puç në Turqi. Foto: deepspace / Shutterstock.com

Kleriku turk Fetullah Gülen përgjegjës për përpjekjen e puçit të 15 korrikut 2016 e bën direkt presidentin Erdogan. Sipas tij, kohëve të fundit kanë dalë gjithë ato prova në dritë, sa kjo është bërë një fakt, është shprehuar ai në një intervistë të përbashkët për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, javoren gjermane «Die Zeit» dhe ditore spanjolle «El País». Kleriku turk në ekzil thotë se Erdogan aktin e ka planifikuar vite më parë, vetëm se e ka pritur rastin e volitshëm për këtë.

Ndërkohë, siç dihet, qeveria turke nga ana e saj për përpjekjen e puçit e fajson Gülenin dhe lëvizjen e tij «Hizmet». Ajo madje kërkon ekstradimin e klerikut në Turqi, ku ai tani më vlen si armiku numër një i shtetit. Gülen në intervitën për mediat perëndimore është shprehur se Erdogan më pas e ka shfrytëzuar rastin për ta forcuar pushtetin e tij. «Sido që ta kishte planifikuar ai – puçi i jep atij mundësinë për ta bërë këtë». Shumë nëpunës të padëshiruar për qeverinë – në ministri, armatë, gjykata apo në polici – janë pushuar nga puna dhe shumë prej tyre janë burgosur.

Güleni ka kërkuar një komision ndërkombëtar me specialistë nga SHBA-të, Gjermania, Holanda dhe shtete të tjera për ta hetuar përpjekjen për puç dhe situatën. Sipas tij, ky propozim as që është konsideruar ndonjëherë nga qeveria turke. Dhe premton se nëse rezultatet e këtij hetimi nxjerrin që ai është i përfshirë në këtë përpjekje, atëherë do t’i bartë edhe pasojat, e transmetojnë mediat zvicerane, përkatësisht sda-ja, intervistën e Gülenit.

Kleriku nuk beson që në të ardhmen e afërt Turqia do t’i plotësojë kushtet e kërkuara për fillimin e negociatave për anëtarësim në UE. Ky shtet, ka kërkuar Gülen, duhet të konfrontohet me të drjetën ndërkombëtare dhe fjalë të vendosura të Natos dhe SHBA-ve. Përndryshe ky avaz do të vazhdojë. Ata nuk do ta lëshojnë kaq lehtë atë që e kanë marrë. Turqia ka një traditë demokratike, por ndërkoha ka humbur pothuajse gjithçka, pohon Gülen. ks