Puç ushtarak në Turqi?

Pjesë të armatës turke zaptuan pika strategjike në Stamboll dhe Ankara. Ndër të tjera, Aeroportin Ataturk, urat e Bosforit dhe televizionin shtetëror TRT.

U raportua që ushtria turke, pas një grushteti, e kishte marrë plotësisht pushtetin në Turqi dhe e ka pezulluar qarkullimin e lirë në të gjithë vendin. Ndërkohë presidenca e kontestoi këtë kumt. Në një trasmetim të drejtpërdrejtë përmes celularit në CNN Türk, ptrsidenti Erdogan e ftoi popullatën të tubohej publikisht kundër puçistëve. «Puçistët të bëjnë çfarë të duan me tankset dhe koburet e tyre», është shprehur ai. Qarqet presidenciale raportuan se ai gjindet në një vend të sigurt, pa dhënë detaje të mëtutjeshme. «Në pushtet janë presidenti i Turqisë i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe qeveria», i transmeton Tages Anzeiger njoftimet e agjencisë zvicerane të lajmeve, sda.

Ushtria në anën tjetër është shprehur se e ka pezulluar qarkullimin e lirë në të gjithë vendin. Ajo i shërben sigurisë së qytetarëve, është thënë në kumtesën e puçistëve në kanalin e parë të televizionit shtetëror turk. Qëllimi i grushtetit është kthimi i rendit kushtetues, demokracia dhe të drejtat e njeriut, është shprehur ushtria sipas agjencisë private të lajmeve DHA. Sipas grupeve të vrojtimit të internetit, qasja në shërbimet e internetit si Facebooku, Twitteri dhe Youtube në Turqi janë të kufizuara.

Sipas një raportimi mediatik, ushtarët e kishin bllokuar trafikun ajror në Aeroportin Ataturk në Stamboll. Me këtë ata e kishin shtënë në dorë aeroportin më të madh të vendit, ka njoftuar përsëri DHA. Pak më parë kryeministri turk kishte deklaruar se është herët të flitet për një grushtet. Kjo nuk do të lejohej. Ai kishte premtuar se autorët e kësaj përpjekjeje do të paguanin për këtë një çmim të lartë.

Ndërkohë policia në kryeqytet e kishte thirrur në shërbim të gjithë personelin e saj. Në rrethinë të selisë kryesore të armatës në Ankara ishin shtuar masat e sigurisë. Në gatishmëri kishin qëndruar shumë autoambulanca, ndërsa avionët lëvizin në fluturim të ulët, ka transmetuar DHA-ja. Disa reporterë kanë raportuar për një shpërthim të fuqishëm në kryeqytet.

Në Stamboll dëshmitarët kanë raportuar për forca të sigurisë me armatim të rëndë në rrugë. Në ajër kanë qarkulluar helikopterë. Edhe avionë në lartësi të ulët. Njëra prej urave të Bosforit ka qenë pjesërisht e bllokuar. Në selinë kryesore të ushtrisë në Ankara është folur edhe për pengmarrje. Sipas agjencisë Anadolu, ndër ta ka qenë edhe shefi i armatës.

Gjendja në Turqi vazhdon të mbetet e trazuar dhe e paqartë. ks