Publicisti boshnjak Senad Peçanin: Bosnja nuk mund të ndahet në mënyrë paqësore

«Frikësohem se fati i paqes në Bosnjë-Hercegovinë nuk është as në duart e Milorad Dodikut, as të Aleksandër Vuçiqit, as në duart e Bakir Izetbegoviqit apo Sefer Haliloviqit, por për paqen tonë të brishtë vendos Vladimir Putini», thotë Senad Peçanin, publicist i njohur boshnjak, për gazetën «Danas» të Beogradit.

Senad Peçanin, publicist i njohur boshnjak.

Nëse presidenti rus vendos që pozitën gjeostrategjike të vendit të tij ta forcojë me një vatër të re të luftës, kësaj radhe në Ballkan, atëherë punëtor më të mirë se Milorad Dodiku për të kryer këtë punë nuk mund të gjejë, ka deklaruar Senad Peçanin, gazetar dhe analist politik nga Sarajeva.

Sipas tij Dodik me organizimin e referendumit nuk ka mundur t’i bëjë sfidë më të madhe shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare në Sarajevë. Referendumi u mbajt përkundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës për ta ndaluar atë.

«Provokimet e tij të përditshme verbale pas referendumit tani duken banale dhe hapi i ardhshëm logjik duhet të jetë edhe më i ashpër: çizmja serbe në kufijtë e <fitimit të vetëm serb në luftërat e viteve ‘90>. Kjo domethënë një shtet perëndimor serb disa qindra metra vijë ajrore nga ndërtesa e Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë, nga Bashçarshija dhe Vijeçnica (biblioteka nacionale e Bosnjës, v.j.)», deklaroi Peçanin.

Në lidhje me deklaratat se në Bosnjë nuk mund të shpërthejë sërish lufta, Peçanin tha: «Ata duhet ta kuptojnë se një deklaratë e tillë bazohet në supozimin se boshnjakët janë të gatshëm që pa luftë të pranojnë realitetin e ri gjeopolitik, sipas të cilit atyre u është caktuar pozita e palestinezëve të Europës. Historia na mëson se janë shpërbërë shtete edhe më të fuqishme dhe më të rëndësishme se Bosnjë-Hercegovina, andaj nuk shoh arsye përse këtë të mos e përjetojë edhe Bosnja. Por jam i sigurt se Bosnja nuk mund të ndahet në mënyrë paqësore. Ai që llogarit në këtë dhe fillon ndarjen e shtetit duhet ta ketë të qartë se e ka zgjedhur luftën».

Peçanin tha se Perëndimi me vite të tëra ka lëshuar pe ndaj politikës së Dodikut për paralizimin e shtetit, andaj tani duhet të paguhet fatura.

«Në vend se t’ua bëjnë të mundshme institucioneve të shtetit që ta arrestojnë për shkak të plaçkitjes së tmerrshme, krimit dhe korrupsionit, tani do të dëshironin ta arrestonin, por nuk dinë si, për shkak të politikës. Kur prokurorët e huaj gjetën dëshmi se Dodiku për taketuke të ndërtesës së qeverisë së Republikës Serbe në Banjallukë ka paguar 6 mijë euro, me kërkesë të tij u dëbuan të huajt nga dega e krimit të organizuar në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës. Çdo masë e Perëndimit kundër Republikës së Serbëve tani do të ishte kundërproduktive. Caku i vetëm i logjikshëm do të mund të ishin Milorad Dodiku dhe rrethi i bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë politikë, kriminalë, policorë dhe mediatik. Nëpërmjet referendumit të zhvilluar para zgjedhjeve (lokale) ai arriti dy qëllime: dobësoi opozitën në Republika Sprska dhe forcoi Bakir Izetbegoviqin dhe pushtetin e tij plaçkitës-nacionalist në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës», tha Peçanin. (-lli)