Psikozë, protesta dhe manipulime në veri të Kosovës

Portali francez i lajmeve «Le Courrier des Balkans» shkruan se nuk ka mungesë artikujsh ushqimorë në veri të Kosovës, mallrat po hyjnë përmes rrugëve alternative dhe nga ky biznes po përfitojnë politikanët lokalë dhe «miqtë» e tyre shqiptarë.

Svetlana – Ceca Razhnatoviq në Mitrovicën e veriut. Foto: Beta



Në një reportazh të gjatë me titullin «Në veri të Kosovës psikozë, protesta dhe manipulime» portali francez i lajmeve «Le Courrier des Balkans» shkruan se studentët serbë në veri të Kosovës organizojnë çdo ditë protesta dhe performansa, mes tjerash duke dërguar letra përmes pëllumbave, ku u bëhet thirrje kryeqyteteve kryesore të Europës që të ndërhyjnë te autoritetet e Kosovës për të hequr taksën mbi prodhimet serbe. Po ashtu studentët luajnë basketboll me duar të lidhura dhe me sy të mbyllur dhe ndeshjet përfundojnë me rezultat 12:44, një aludim në rezolutën e OKB-së 1244.

«Le Courrier des Balkans» njofton se në rrugët e Mitrovicës së veriut dhe në vendbanime të tjera veriore raftet e dyqaneve janë të mbushura plot, ndërsa para tyre qëndrojnë të parkuar kamionët me targa të Kosovës, të cilët pa problem bartin prodhime serbe dhe i furnizojnë supermarketet. «Prodhime serbe gjejmë kudo në Kosovë. Çmimet nuk kanë ndryshuar. Në pjesën veriore të Mitrovicës në të vërtetë nuk ka ilaçe në barnatoret shtetërore, por kështu është tashmë dy vjet», tha Ksenija Bozhoviq, funksionare e Nismës Qytetare Serbia, Demokracia dhe Drejtësia. Bozhoviq ka qenë bashkëpunëtore e ngushtë e Oliver Ivanoviqit, politikanit të vrarë serbo-kosovar.

Sipas Ksenija Bozhoviqit, mallrat po vijnë përmes «rrugëve alternative» në pikëkalimet zyrtare dhe kjo, sipas saj, nuk do të mund të bëhej «pa pëlqimin e Beogradit dhe Prishtinës». «Nga kjo nxjerr përfitim një rreth i ngushtë njerëzish, shumë të afërt me politikanët serbë dhe shqiptarë të Kosovës», tha Bozhoviq. Ajo tregoi se njerëzit po detyrohen të marrin pjesë në protesta, sepse janë kërcënuar se mund të humbin vendet e punës.

Nenad Radosavleviq nga televizioni i pavarur «Mir» tha se protestat dhe zhvillimet e tjera në veri të Kosovës kanë për qëllim të largojnë vëmendjen nga negociatat e presidentit të Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, për «ndarjen e territorit, me pëlqimin e fuqive të mëdha perëndimore, siç janë SHBA-të».

«Le Courrier des Balkans» njofton se është vështirë të flitet me serbët në veri për taksën, protestat dhe shkëmbimin e territoreve, sepse «frika është gjithkund e pranishme». Kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, tha se autoritetet serbe «e kanë sjellë mafian në pushtet në veri të Kosovës dhe ajo drejton institucionet». Sipas Trajkoviq, ata që nuk dorëzohen humbin vendet e punës, iu digjen veturat ose sulmohen fizikisht. Të premten në Mitrovicën e veriut ka mbajtur një koncert këngëtarja e turbofolkut Ceca.