Pse të rinjtë e Gjilanit i shohin ëndërr disa pleq në Stuttgart?

Shënime krejt personale për vizitat në «mëmëdhe» dhe për një gjeneratë të re, e cila ëndërron të punojë në azil pleqsh në Gjermani.



«Mos ju paça borxh qysh po vini kaq shpesh», më drejtohet një taksist gjatë vizitës në Kosovë dhe në të njëjtën kohë, pa ditur asgjë për mua e as për jetën time më falënderon për kontributin financiar dhe ardhjet e kohëpaskohshme. Në këto katërmbëdhjetë vite vajtje-ardhje, gjithnjë e më shumë më bën përshtypje sa shumë ka ndërruar diskursi ndaj të gjithë neve që jetojmë «jashtë». Deri në shpalljen e pavarësisë, ndonëse pa i pyetur kush, të gjithë nguteshin të të siguronin se do të bëhet mirë, prandaj duhet të ktheheshim. Ja, sa të bëhet shteti edhe gjërat do të bien në vend, për të gjithë ne.

Në pesë vitet a para pas shpalljes së pavarësisë, përsëri pa i pyetur kush, shoferë taksie, ish-arsimtarë, kamerierë dhe mjekë, e konsideronin si detyrim fetar të të kërkonin të ktheheshe. «Të gjithë ju të shkolluarit jashtë duhet të ktheheni. Duhet të kontribuoni për Kosovën». Në pesë vitet e fundit, jo vetëm që numri i këshillave për të mos u kthyer është gjithnjë e në rritje, por për më tepër vetë njerëzit në Kosovë kanë interes të shtuar për të gjetur mënyra se si të largohen nga vendi. Të largohen për të mos u kthyer! Ose ndoshta për t’u kthyer vetëm gjatë muajve të verës. Sa për t’i ikur shiut dhe zymtësisë shtatëmujore të dimrit në Europën Perëndimore, e për t’u kënaqur me diellin zemërgjerë në Ballkan. Sa për t’u bërë bashkë me familjarë e kushërinj e për të ngrënë ndonjë qengj të pjekur në oborret e shtëpive. Sa për t’i martuar të gjithë armatën e nipërve e mbesave. Por punën, mjekun, shkollën, çerdhen ta kenë jashtë Kosovës.

Gjatë një takimi studimor bisedoj me dhjetëra nxënës të shkollave të mesme publike në Gjilan. Më bën përshtypje që gati gjysma e tyre janë duke mësuar gjermanishten – kush në mënyrë intensive, kush në kurs të rregullt. Dikush u paska premtuar punë sezonale e më vonë punë të rregullt nëpër azile pleqsh në rrethinën e Stuttgartit. Paguhet shumë mirë, oraret nuk janë shumë të gjata dhe të paktën ke punë të sigurt. «Më së shumti kam prirje për matematikë e fizikë», thotë njëra nga vajzat. Për të, këto degë nuk kanë perspektivë në Kosovë. Prandaj ajo bënte çmos t’i dilte zot gjermanishtes, ndonëse gjuhët e huaja nuk ishin shkathtësia e saj më e madhe. Në shumicën e këtyre rasteve doli që prindërit e nxënësve nuk ishin as kundër, as inkurajues që me të përfunduar shkollimin e mesëm, në vend se të kryenin ndonjë shkollë profesionale apo universitet, fëmijët e tyre të investonin për të punuar nëpër qendra sociale dhe azile pleqsh në Gjermani.

Këto përjetime mund të jenë krejtësisht personale e ndoshta edhe nuk përfaqësojnë pjesën dërmuese të popullsisë. Ndoshta edhe mund të jenë indikative për qytetet e vogla, jo detyrimisht edhe për Prishtinën. Megjithatë, ka diçka thellësisht të trishtë në këtë pikë edhe nëse do të bëhej fjalë për pesë apo dhjetë të tillë. Sidomos kur merret parasysh mosha e re e popullsisë. Nëse ende pa nisur ende jetën mirëfilli, një tetëmbëdhjetëvjeçar bën plane, apo edhe më keq, ëndërron për një punë në azil pleqsh në Gjermani, çfarë tregon kjo për vendin në të cilin kjo gjeneratë shkollohet dhe jeton?

Gjatë viteve ‘90 në Kosovë u krijua ajo që rëndom njihet si «gjenerata e humbur». Duke ua mohuar shkollimin, shteti serb u mohoi paramendimin e një jete me dinjitet e të sigurt. E përjashtuar nga jeta publike, e papërfaqësuar në politikë, e keqtrajtuar nga strukturat policore e gjyqësore, kësaj gjenerate iu mohua të ndjerit njerëz me dinjitet. Mbijetesa në regjimin totalitar të Sllobodan Millosheviqit do të ishte filozofia kryesore. Ata që iknin nga Kosova në këtë periudhë do ta bënin një gjë të tillë qoftë për mbijetesë ekonomike apo fizike. Të përndjekurit politikë, të rinj e të reja të familjeve skamnore, djem që i iknin thirrjes së shtetit serb për shërbimin ushtarak, ishin disa nga kategoritë e para dhe kryesore që mësynë drejt Perëndimit. Megjithatë, ashtu siç tregoi Agron Demi në një analizë të tijën, përkundër situatës në sistemin paralel u arrit të organizohej, shpeshherë edhe shumë më mirë se sot shkollimi nëpër shtëpi private, ndarja e asistencës sociale dhe punësimit.

Gjenerata e rritur gjatë viteve 2000 njohu një eufori dhe ekzaltim për t’u bërë pjesë e projektit të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Si fillim me shpalljen e pavarësisë dhe tutje me funksionalizimin e saj. Shkollimi, përvojat ndërkombëtare, statusi social e ekonomik, dhe vetë krijimi i familjes ishin të drejtuara kah «kontributi për shtetin». Bërja dhe funksionalizimi i Kosovës shtet do të ishte filozofia kryesore. Kjo ndodhi natyrshëm jo vetëm për shkak të momentumit të shpalljes së pavarësisë dhe mundësisë jetësore për të kontribuar në vendin, por edhe për të mbushur boshllëkun e krijuar nga gjenocidi intelektual ndaj një gjenerate të tërë të viteve të ‘90. Të ikurit e kësaj gjenerate mësynë shkollat, universitetet dhe kompanitë më të mëdha nëpër botë për t’u profesionalizuar, për të marrë përvojat më të mira në mënyrë që pastaj të ktheheshin në Kosovë dhe të jepnin kontributin e tyre në shoqëri. Kishte motivim dhe zell të pakrahasueshëm për ndërtimin e një shteti.

Për gjeneratën e rritur pas shpalljes së pavarësisë, këtë të sotmen, gjërat duken të jenë sa ndryshe aq edhe njësoj. Bërja e shtetit – të paktën në kuptimin deklarativ – tashmë është bërë. Serbia nuk është më armiku që të nxjerr nga shkolla apo nga puna. Nga Brukseli dhe nëpërmjet misionit të saj në Kosovë Europa premton(te) në vazhdimësi «bërjen e Kosovës europiane». Për dallim nga dy gjeneratat tjera, kjo e treta nuk kishte një ideal apo një projekt të madh që do të eklipsonte të gjitha «problemet e vogla si për shembull punësimin, sigurimin shëndetësor, apo lëvizjen e lirë. Mirëpo, duke u rritur në një vend pa një perspektivë konkrete për një jetë me dinjitet, edhe kjo gjeneratë ka kthyer sytë nga «gjermanishtja» si sinonim i një punësimi dhe jete të sigurt në perëndim. Jeta me dinjitet, ashtu siç doli disa herë në pah gjatë bisedës me të rinjtë e shkollave të mesme, do të ishte: shkollim i standardit më të lartë, pajisja me një diplomë të vlefshme për tregun e punës dhe të pakontestuar jashtë kufijve të Kosovës, siguria e një vendi të punës në sektorin publik, siguria dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorit në sektorin privat, ajër më cilësor, dhe shërbim cilësor shëndetësor në spitalet publike, dhe shkollim e kujdes për fëmijët e tyre nesër.

Për dallim prej gjeneratës së viteve të ‘90, ikja nga Kosova në këtë rast nuk është për mbijetesë, por për një jetë me dinjitet. Në anën tjetër, ashtu si gjenerata e viteve të ‘90, edhe këta të rinj shpresën e shohin duke ikur, duke «dalë jashtë», siç thuhet rëndom. Nëse ky disponim do të vazhdojë me këtë ritëm, do të ketë gjithnjë e më shumë të rinj që nuk do të bëhen inxhinierë, mjekë, teknologë, fizikanë dhe profesione të ngjashme që funksionalizojnë shtetin. Kjo jo vetëm që do të jetë gjenerata e dytë e humbur, por do të jetë humbja përfundimtare e mundësisë për të ndërtuar një shtet funksional dhe të jetueshëm, përtej atij deklarativ.