Pse qytetarët e Kosovës edhe pas 19 vjet lirie duan të braktisin vendin e tyre?

Dëshira dhe ëndrra e shqiptarëve që pas përfundimit të luftës dhe sundimit serb në Kosovë çdo gjë do të jetë vetvetiu në rregull, është shpartalluar si një kullë prej letre. Pyetje sugjestive dhe dashamirëse: ky komb që është duke u katandisur jo vetëm materialisht, por edhe kulturalisht dhe kombëtarisht, a është e mundur që në një kohë të pacaktuar të shpëtohet pikërisht nga diaspora?

Foto: Shutterstock



Për të gjitha kombet në botë në një mënyrë ose tjetër është i njohur fenomeni i emigrimit, por shqiptarët janë ndër të rrallët që këtë fenomen dhe këtë plagë e kanë përjetuar rëndë ndër shekuj. Në parim nuk është vetëm një arsye që njerëzit i shtyjnë të jetojnë larg vendlindjes së tyre, por është një thurje komplekse e shumë arsyeve. Kushtet e vështira për jetesë, dhuna, keqpërdorimi i pushtetit, konfliktet, problemet me ambientin, mungesa e perspektivës së zhvillimit ekonomik janë disa prej shkaqeve që më së shumti dominojnë që njerëzit të marrin vendim të braktisin vendin e tyre.

Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, sot janë 175 milionë njerëz që jetojnë larg vendlindjes së tyre, prej të cilëve 19,2 milionë janë refugjatë të luftës ose të përndjekur politikë. Në planin global, forcë shtytëse e migrimit është rritja e diferencave ose zgjerimi i vazhdueshëm i hendekut ndërmjet pjesës së pasur të popullsisë dhe asaj të varfër. Përderisa më 1960 një e pesta e popullsisë së pasur dispononte me të ardhura mesatare 30 herë më të mëdha se një e pesta tjetër e popullsisë së varfër, më 1990 kjo diferencë ishte për 60 herë më e madhe. Mjerisht ky trend vazhdon të rritet më tutje edhe në ditët e sotme.

Nga studimet dhe vrojtimet e deritanishme të këtij fenomeni del se shpërnguljet dobësojnë vendet e origjinës, ndër të tjera edhe për faktin se në mesin e kategorive të të shpërngulurve marrin pjesë edhe intelektualët, specialistët dhe profesionistët e fushave të ndryshme të cilët konsiderohen bartës të zhvillimit të përgjithshëm të çdo vendi. Largimi nga vendi i kësaj shtrese krijon jo vetëm boshllëk të ndjeshëm, por mund të varrosë shpresën dhe shanset për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik e shoqëror. Ndërsa në anën tjetër kapitali që derdhet nga migrantët në vendin e tyre të origjinës (në familjet e tyre), paraqet vetëm një zgjidhje të përkohshme të problemit të varfërisë, më shumë një  zbutje të përkohshme të varfërisë dhe – në anën tjetër – ky kapital nuk ka ndonjë ndikim në ngritjen e strukturave të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik. Për këtë, shembulli më i mirë është mërgata shqiptare. Përkundër ndihmave të madhe të mërgimtarëve tanë, jo vetëm familjeve të tyre, në Kosovë edhe pas gati njëzet vjet lirie nuk janë ngritur struktura të qëndrueshme jo vetëm në planin e zhvillimit ekonomik, por në asnjë fushë tjetër të rëndësishme të zhvillimit të vendit.

Diaspora shqiptare ka luajtur gjithmonë rol të rëndësishëm në të gjitha zhvillimet e brendshme, ajo ka shërbyer si një kor i madh diplomatik në gjithë botën. I ka shërbyer më së miri interesave të kombit. Ajo si asnjëherë më parë, përbën edhe sot një potencial të madh ekonomik, intelektual dhe profesional. Problemi i mosshfrytëzimit pozitiv të këtij potenciali të madh qëndron tek përbuzja dhe injorimi për kohë të gjatë që i është bërë diasporës. Mendoj se përpjekjet që sot bëhen nga zyrtarët për t’i thënë opinionit se është duke u punuar dhe po bëhen përpjekje për të ngritur nivelin e marrëdhënieve të diasporës me vendin e origjinës, janë më shumë të karakterit formal.

Konferenca katërditore «Diaspora flet» mbajtur para dy javësh në Prishtinë në të cilën morën pjesë përfaqësues të diasporës, ekspertë të kësaj fushe si dhe zyrtarë nga tri shtetet Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, mëtonte të shpalosë mundësitë dhe resurset që paraqet diaspora në zhvillimin e vendit të origjinës. Referuesi kryesor Kingsley Aikins tregoi për përvojat dhe paraqiti shembuj konkretë të suksesit të vendeve tjera dhe diasporës në zhvillimin e fushave të ndryshme të ekonomisë, teknologjisë, prodhimit në vendet e origjinës. Ndërsa ministrat e dikastereve përkatëse nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia treguan se si vendet e tyre – përkatësisht ministritë e tyre – janë në rrugë e sipër në zgjidhjen e disa problemeve dhe pengesave që ka diaspora, siç është çështja e sigurimeve të veturave në Kosovë, ose miratimi i ligjit për diasporën nga Shqipëria.

A nuk është pak vonë që tani të merren masa, të miratohen ligje e të bëhen strategji për diasporën? Mbase nuk është vonë, por për të funksionuar dhe pasur efekt këto ligje dhe strategji, është më se e domosdoshme që këto shtete (Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia) brenda tyre të ndërtojnë shtetin ligjor e të konsolidojnë demokracinë. Pa arritjen e këtij kushti, ashtu siç nuk ka përmirësim të ndjeshëm të gjendjes brenda këtyre shteteve, as për diasporën nuk do të ndryshohet asgjë, sepse ne kemi një diasporë të larmishme dhe shumëdimensionale. Për këtë nuk mjafton dhe nuk kryen punë gjetja e një formule të vetme siç pretendohet aktualisht.

Tani, si qëndron më konkretisht problemi i migrimit dhe dëshirës së pashuar të shqiptarëve për t’u shpërngulur nga vendi i tyre? Meqë në Kosovë nuk ka konflikt të hapur ose forca të huaja që drejtpërdrejt do të ndikonin në migrimin e shqiptarëve, atëherë problemin duhet vështruar në planin e brendshëm, në problemet e akumuluara ndër vite. Çfarë ka ndodhur në Kosovë pas përfundimit të luftës? Dëshira dhe ëndrra e shqiptarëve që pas përfundimit të luftës dhe sundimit serb në Kosovë çdo gjë do të jetë vetvetiu në rregull, është shpartalluar si një kullë prej letre.

Askush nuk ka mundur të besojë se edhe në një Kosovë të lirë e të pavarur qytetarët e saj për shkak të mungesë së perspektivës dhe pamundësisë për të siguruar ekzistencë minimale për të jetuar, do të largohen me të madhe ose së paku do të kenë dëshirë të braktisin vendin e tyre po t’u jepej mundësia! Çdo njeri ka dëshirë të eksplorojë edhe vende të tjera, por për braktisjen e vendlindjes atë e shtyjnë gjendja e rëndë personale dhe kushtet jo të mira për jetesë në rrethin shoqëror. Nuk mjafton vetëm liria që një komb të jetë i zhvilluar dhe demokratik, sado që liria është kushti i parë i domosdoshëm, janë edhe shumë faktorë të rëndësishëm që duhet të plotësohen për të funksionuar një shoqëri e ndër faktorët kryesorë është moskeqpërdorimi i lirisë dhe pushtetit.

Meqë arsyet janë të brendshme, ato lidhen drejtpërdrejtë me sistemin politik e shtetëror, me nivelin e ulët të zhvillimit demokratik, me klasën sunduese politike, me korrupsionin e lartë, kriminalitetin, mossundimin e ligjit, pabarazinë, që të gjitha këto kanë shkaktuar që sot në Kosovë të mos ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik, me një sistem katastrofal shëndetësor, me një sistem të degraduar e të shkatërruar arsimor. Gjendja është aq keq, saqë po të krahasohen disa sektorë me gjendjen e viteve ‘80 të shekullit të kaluar, rezulton që sot të jetë më keq se dje! Pas luftës në vend se, për shembull, arsimi të vendoset ndër prioritetet e para të zhvillimit strategjik të vendit, ai pësoi goditjen më të rëndë që ka mundur t’i bëhet ndonjëherë nga ndonjë klasë politike që nga koha kur ekziston arsimi në Kosovë. Edhe në vitet ‘80, pas ngjarjeve të 81-tës, përkundër goditjeve të rënda që pësoi arsimi, në veçanti Universiteti i Prishtinës, megjithatë shqiptarët dhe forcat intelektuale të asaj kohe nuk lejuan që ai të degradohet në nivelin e dagradimit të pasluftës të cilin e bënë vetë shqiptarët, thënë më mirë klasa sunduese politike e Kosovës! Në vend se UP-ja të lihet e pavarur në punën dhe zhvillimin e tij, në vend se të përkrahet me të gjitha mjetet që ky universitet, përveç lëshimit të diplomave, të bëhet edhe një qendër e rëndësishme hulumtuese-kërkimore shkencore në shumë lëmenj, atë e pushtuan politikanët përmes njerëzve të tyre dhe kështu përfundimisht i këputen shpresat për t’u bërë një universitet i cili do të konkurronte me universitetet tjera jashtë Kosove.

Për të mos mjaftuar kjo, kasta politike në pushtet vendosë që çdo qytet i Kosovës të bëhet me një universitet publik. Edhe në një analizë më të cekët, Kosova nuk i ka plotësuar kushtet për t’i pasur gjithë ato universitete publike pa i përmendur ato private. Edhe me një zhvillim të shumëfishtë ekonomik, do të duhej të studiohej mirë themelimi i ndonjë universiteti tjetër publik. Ky, ashiqare ka qenë një vendim politik i kushtueshëm, i pabazuar dhe i paanalizuar jo vetëm në aspektin e nevojave të ekonomisë, por as në atë të cilësisë dhe resurseve intelektualo-profesionale të mësimdhënies. Kjo është bërë sikurse çdo gjë tjetër, jo duke u bazuar në nevojat e vendit, por për efekt të votës dhe të mbetjes e ruajtjes së pushtetit. Është manipuluar me dëshirën e shqiptarëve për arsimim. Arsimi i lartë universitar është bërë sikurse arsimi i obligueshëm fillor, një arsim popullor! Për pasojë, me mijëra të diplomuar janë të papunë dhe kostoja është shumë e madhe edhe e qytetarëve edhe e buxhetit të shtetit – taksapaguesve. E gjithë kjo nuk ka të bëjë asgjë me qeverisje të mirë të vendit ose me atdhedashuri e arsimdashësi. Po të ishte trajtuar ndryshe Universiteti i Prishtinës dhe investimet që janë bërë kot së koti po të ishin orientuar në ngritjen e cilësisë dhe kritereve të studimeve, ky institucion sot do të ishte më prestigjioz, të diplomuarit do të dilnin më të përgatitur profesionalisht dhe nuk do të mbetnin të papunë sepse edhe ekonominë do ta kishim më të zhvilluar!

Aspak më e mirë nuk është gjendja në sektorë tjerë të rëndësishëm siç është shëndetësia dhe kultura. Është e pamundur të përmenden të gjithë faktorët të cilët ndikojnë drejtpërdrejtë ose tërthorazi në vendimmarrjen për të braktisur vendin. Është i dhimbshëm përfundimi se mërgimi – plagë e vjetër e shqiptarëve – edhe sot është një varrë e hapur! Në raport me numrin e popullsisë, pas popullit izraelit ne kemi diasporën më të madhe në botë. Numri i madh i diasporës sonë tregon për përmasat e tragjedisë së kombit tonë që ka filluar që nga shpërnguljet e kohës së pushtimit otoman dhe nuk është ndërprerë deri në ditët tona! Por, në të kaluarën kanë dominuar faktorët e jashtëm, shtypja dhe dhuna që kanë ushtruar pushtuesit e që kanë shkaktuar moszhvillim dhe prapambetje, ndërsa sot janë kryesisht faktorët e brendshëm që e bëjnë më tragjike fenomenin e migrimit.

Është bllokuar potenciali dhe resurset e mëdha që ka kombi ynë për të qenë komb i zhvilluar dhe i përparuar. Sot me Kosovën udhëheqin dhe sundojnë demagogët dhe matrapazët e kombit, patriotët e rrejshëm që për çdo ditë kombit i shkaktojnë dhimbje, të paditurit dhe injorantët, hajdutët dhe kriminelët, të pangopurit dhe hileqarët që kombin e kanë katandisur në skajshmëri, si asnjëherë më keq. Ky lloj i njerëzve që ka grabitur jo vetëm pushtetin, por çdo pasuri dhe çdo gjë që ka vlerë në kombin tonë, janë njerëzit më të paturpshëm e të paskrupullt në dheun tonë. Edhe në planin e degradimit kulturor, në atakimin e bërthamës së të qenmit shqiptar, në shlyerjen e kujtesës historike bëhet punë e zellshme. Sot në Kosovë dhe gjetiu ku jetojnë shqiptarët është në marsh dekulturalizimi i shqiptarëve përmes metodave dhe formave të ndryshme, të fshehta e të hapura. Atakohen edhe ato vlera që këtij kombi i kanë mbetur! Të krijohet përshtypja sikur ndaj kulturës dhe identitetit shqiptar është një përbetim për ta shkatërruar atë! Dhe krejt kjo bëhet para syve dhe me bekimin e pushtetit sepse për këtë janë derdhur dhe edhe sot derdhen para të majme. Përfitues janë ekstremistë, islamistë, politikanë dhe të gjithë shkatërruesit tjerë të kulturës shqiptare!

Përdhosen objektet monumentale të trashëgimisë kulturore e kombëtare, në anën tjetër ndërtohen me qindra xhami e objekte të ngjashme që asgjë s’kanë të përbashkët me identitetin kombëtar të shqiptarëve. Sikur nuk ka mjaftuar periudha e prapambetjes dhe sundimit shekullor otoman për t’i lënë sot liri të plotë të veprimit shkatërrimtar të shtetit turk dhe sundimtarit të tij Rexhep Taip Erdoan që i bëhet kulturës dhe trashëgimisë shqiptare në Kosovë dhe në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët! Pyetje sugjestive dhe dashamirëse: ky komb që është duke u katandisur jo vetëm materialisht, por edhe kulturalisht dhe kombëtarisht, a është e mundur që në një kohë të pacaktuar të shpëtohet pikërisht nga diaspora?