Pse Putini e do Brexitin

Britania ka bërë zgjedhjen e saj. Brexiti ka ardhur në një moment fatal në historinë evropiane. Ka ngecur përparimi drejt një Evrope të bashkuar dhe të lirë. Bashkimi Evropian është më i dobët, Rusia më e fortë, dhe zoti Putin padyshim se e di fort mirë këtë punë

Foto: MediaGroup_BestForYou / Shutterstock.com

Rezultati i referendumit britanik i muajit të kaluar për të dalë prej Bashkimit Evropian e ka zhytur Evropën në krizë. Do të ketë përmbysje institucionale dhe politike në vitet që vijnë derisa të kthjellohet shkëputja e nyjës së Britanisë me pjesën tjetër të Evropës. Aftësia e Britanisë së Madhe dhe e Bashkimit Evropian për të ruajtur ndikimin e tyre ndërkombëtar dhe për të mbetur forca të mëdha në skenën botërore tanimë është vënë në dyshim, me shumë mundësi me pasoja të rënda për rendin kontinental.

Është situatë e krejtësisht e mjegullt. Dhe, ai që e kupton më së miri këtë është presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Zoti Putin ka kaluar gjashtëmbëdhjetë vitet e kaluar duke provuar ta destabilizonte Perëndimin. Ka ndjekur politikë të jashtme të dizajnuar për të trazuar fqinjët e Rusisë, për të minuar unitetin euroatlantik dhe për të sfiduar rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë. Megjithatë kishin dështuar të gjitha përpjekjet e zotit Putin për të përçarë Bashkimin Evropian. Qëndroi i bashkuar gajtë gjithë embargove ekonomike, sabotimeve fianciare dhe shkurtimeve të energjisë e ndërhyrjeve ushtarake të Rusisë.

Por një unitet i tillë nuk ekziston më. Kur 17,4 milionë britanikë votuan për të dalë nga Bashkimi Evropian më 23 qershor, e realizuan atë që zoti Putin nuk e kishte realizuar as për një dekadë e gjysmë.

Bashkimi Evropian ka humbur një prej mbështetësve më të mëdhenj të sanksioneve kundër Rusisë për luftën që zoti Putin po i jep zjarr në Ukrainë. Kjo do ta prishë baraspeshën e fuqisë në favor të atyre shteteve anëtare, përfshirë Qipron e Slloveninë, që janë të përgatitura për të tërhequr sanksionet në lidhje me zotimet kundër Rusisë të arritura në marrëveshjen e Minskut të nënshkruar në shkurt të vitit të kaluar për paqë me Ukrainën. Rusia gjatë vitit të kaluar ka promovuar marrëdhënie dypalëshe me ata që i sheh si dashamirë të Moskës – si puna e Greqisë, Austrisë e Hungarisë – dhe do ta vazhdojë këtë avaz.

Megjithëse sanksionet e Minskut janë shtyrë së fundi edhe për gjashtë muaj, në Bruksel po vërehet njëfarë plogështie. Gazeta sllovake, «Dennik N» ka raportuar në shkurt se kryeministri i vendit, Robert Fico, ka deklaruar se sanksionet, «sa më shpejt që hiqen, aq më mirë». Frank Walter-Steinmeier, ministër i Jashtëm i Gjermanisë, ka deklaruar muajin e kaluar se «nuk janë fundi në vetvete» dhe se mund të jetë bërë ndonjë lëshim. Bashkimi Evropian do t’i dorëzohej kështu Rusisë në pretendimin se ka të drejtë të pushtojë ose ndërhyjë në cilindo territor që dëshiron. Autoritarizmi i Moskës do ta mposhte demokracinë liberale të Brukselit.

Ka drojë edhe për «efekt domino» të Brexitit në Evropë. Presidenti polak, Andrzej Duda, ka deklaruar muajin e kaluar se «duhet ndërmarrë gjithçka» për të frenuar shtetet e tjera që të mos dalin prej Bashkimit Evropian. Zoti Putin e di fort mirë këtë punë, andaj kjo është arsyeja pse i kushton mund të konsiderueshëm kultivimit dhe financimit të grupeve euroskeptike anembanë kontinentit.

Fronti Kombëtar i së djathtës ekstreme të Francës mori 11,7 milionë dollarë amerikanë hua prej një banke ruse më 2014; Kremlini ka nyjëzuar gjithashtu raportet me të djathtën ekstreme dhe partitë nacionaliste, si me Jobbikun në Hungari, Partinë Popullore të Sllovakisë dhe Atakan e Bullgarisë. Shtetet e Bashkuara janë aq shumë të shqetësuara me vendosmërinë e Moskës për të shfrytëzuar mosunitetin evropian, saqë James Clapper Jr., drejtor për inteligjencë kombëtare, nisi në janar një analizë të financimit klandestin të partive evropiane prej Rusisë.

Në pikëpyetje është e ardhmja e Britanisë: Në Skoci dhe Irlandën Veriore, parti të mëdha politike (Partia Kombëtare Skoceze dhe Sinn Feini) do të kërkojnë referendume të tjera për popujt e tyre nëse dëshirojnë të dalin prej Mbretërisë së Bashkuar. Nëse është e përcaktuar që të përcillet njëanshëm Brexiti, atëherë RT-ja – kanali televiziv në gjuhë angleze që konsiderohet zëdhënës i zotit Putin – do të përqendrohet me të madhe në cilëndo fushatë për «dalje» në Skoci ose në Irlandën Veriore.

Politikanët antievropianë, në disa raste edhe antidemokratë, në Holandë, Francë e Itali po kontestojnë anëtarësinë e shteteve të tyre në Bashkimin Evropian. Geert Wilders, politikani holandez i së djathtës ekstreme, e ka përshkruar Brexitin si «rezultat fantastik» dhe ka parashikuar se «radhën e ka Holanda». Marine Le Pen, lidere e Frontit Kombëtar, u ka bërë thirrje qytetarëve francezë që të kërkojnë të drejtën e zgjedhjes. Matteo Salvini, lider i partisë antiemigrante Lidhja Veriore e Italisë, ka shkruar në rrjetet sociale: «Tani është radha jonë».

Bashkimi Evropian mund të jetë treguar aktor hezitues në politikë të jashtme, por është pjesë kyçe e arkitekturës ushtarake dhe të sigurisë së Perëndimit. Unioni ka humbur pas Brexitit jo vetëm një prej anëtarëve më të zotë të tij, por një prej dy fuqive të tij bërthamore, dhe një prej dy ulëseve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kur Britania të dalë nga BE-ja, Evropa do t’i thotë gjithashtu lamtumirë njërit prej shpenzuesve më të mëdhenj ushtarak dhe një prej shteteve me shërbimet më të zonja të sigurisë dhe të inteligjencës. NATO-ja do të vazhdojë të jetë kornizë për mbrojtje të përbashkët, por Brukseli ka humbur lidhjen më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara. Pa Britaninë anëtare, Shtetet e Bashkuara kanë humbur zërin më të varur brenda Bashkimit Evropian.

Zoti Putin testoi zgjerimin e Bashkimit Evropian kur pushtoi Ukrainën më 2014. Rendi i sigurisë në kontinent tani është në teh të shpatës: Nëse zoti Putin nuhat dobësi, do të shkojë edhe më larg me agresion. Koha është në anën e tij. Ai ka fuqizuar gjatë viteve të kaluara sundimin autokratik në Rusi, ka frenuar zgjerimin e NATO-s në lindje, ka zgjeruar ndikimin e Rusisë në pjesë të gjera të ish-Bashkimit Sovjetik duke krijuar Unionin Euroaziatik, dhe ka zgjeruar ndikimin rus në Lindje të Mesme. Stili i tij repsresiv i qeverisë frymëzon adhuruesit evropianë: kryeministri autoritar i Hungarisë, Viktor Orban, ka kërkuar prej vendit që e qeveris të heqë dorë prej demokracisë liberale dhe të shndërrohet në «shtet joliberal» si Rusia.

Britania ka bërë zgjedhjen e saj. Brexiti ka ardhur në një moment fatal në historinë evropiane. Ka ngecur përparimi drejt një Evrope të bashkuar dhe të lirë. Bashkimi Evropian është më i dobët, Rusia më e fortë, dhe zoti Putin padyshim se e di fort mirë këtë punë.

(«New York Times», Autori është drejtor i Qendrës për Studime Ruse në Shoqërinë «Henry Jackson», organizatë e pavarur mendimi për marrëdhënie ndërkombëtare.)