«Pse po shkojnë djemtë tanë në xhihad?»

Kushdo që dëshiron ta marrë vesh pse mijëra myslimanë të lindur në botën perëndimore po i lënë shtëpinë e rehatshme për të luftuar me ISIS-in do të ishte e udhës të shikonte filmin më të ri të fuqishëm të Deeyah Khanit, «Jihad: A British Story» («Xhihadi: Një rrëfim britanik»).




Regjisorja e shumë filmave të shpërblyer ka kaluar tetëmbëdhjetë muaj duke intervistuar disa prej baballarëve themelues të xhihadit në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të «kureshtjes personale obsesive» për të mësuar çka ishte ajo që po i shtynte të rinjtë të bëheshin pjesë e lëvizjes së dhunshme. Ajo ka thënë se qëllimi i këtij filmi ka qenë që të frenohet shkuarja e të rinjve në radhët e ISIS-it.

Filmi, që u emitua më 15 qershor në ITV si pjesë e serisë së këtij televizioni të njohur si «Exposure», përfshinë intervista mbresëlënëse me një numër të myslimanëve britanikë që ishin në ballë të frontit të rekrutimit, mbledhjes së fondeve dhe luftuan në luftërat nga Afganistani në vitet tetëdhjetë deri në Kashmir, Birmani, Bosnjë dhe Çeçeni – e që tani janë pjesë e lëvizjes terroriste islamike.

Por çfarë kanë dështuar ta marrin vesh shumë njerëz është se «kjo lëvizje nuk është e re», thekson Khan. «Është lëvizje tridekadëshe në Perëndim. Trendi i largimit të njerëzve me qëndrim në Perëndim, duke nisur prej Mbretërisë së Bashkuar, Danimarkës, Belgjikës, nisi në fillim të tetëdhjetave dhe prej atëherë ka pasur konflikte një pas një. Ne vetëm tani po e shohim këtë, sepse ISIS-i është absolutisht vicioz dhe kaq publik, dhe ata po përdorin kamerat për ta bërë punën e tyre të madhe. Në Perëndim vëmendja jonë u zgjua vetëm prej 11 shtatorit e këndej». Aktivistja e të drejtave të njeriut ka goxha njohuri për të ekzaminuar këtë temë kaq eksplozive. Khan është rritur në Norvegji si bijë e prindërve emigrantë nga Afganistani e Pakistani, dhe thekson se «e njeh shumë mirë përplasjen kulturore që buron prej të qenët në pjesën e ndërmjetme».

Babai i Khanit ishte liberal. Por megjithëse nuk e kishte detyruar të martohej me njeriun që ai donte, «më shtrëngoi të zgjidhja karrierën që nuk ishte zgjedhje e imja». Ai besonte se ishin vetëm dy profesione që nuk gjykoheshin bazuar në vlerësime për gjininë dhe racën – muzika dhe sporti – kështu që e detyroi të bijën të bëhej këngëtare, duke ia larguar lodrat në moshën shtatëvjeçare që të merrej me leksione serioze të muzikës.

Plani i tij funksionoi dhe Khani u bë yll i suksesshëm i muzikës pop në moshën dhjetëvjeçare, duke u bërë shembull i zëshëm multikulturor në Norvegji, por veç kishte nisur të merrte kërcënime me vdekje prej një numri anëtarësh të bashkësisë myslimane që ndjenin se gruaja nuk duhej të rrokte mikrofonin në dorë. Duke qenë përherë e poshtëruar në rrugë dhe e frikësuar për jetën e saj, Khani u largua në Londër në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, por pasi arriti njëfarë suksesi në Mbretërinë e Bashkuar, përsëri nisi të merrte kërcënime me vdekje. Kështu, Khani u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr dorë prej muzikës njëherë e përgjithmonë.

Në këtë «hapësirë të errët dhe kohë të errët», thekson Khan, «nuk kishte çfarë të bënte me jetën e saj tash e tutje». «Më kishte humbur rruga, por nisa të merresha me punë vullnetare me të rinjtë. Bëra një pauzë disa vite dhe pasi nisa të punoja me rininë, u zgjova më e pushuar, më e qetë dhe më e lumtur se kurrë më parë».

Ajo gjithashtu nisi të dëgjonte prej të rinjve në Mbretërinë e Bashkuara se edhe ata po kalonin nëpër beteja të ngjashme shpirtërore brenda bashkësive dhe familjeve të tyre.

«Kur pashë këta njerëz që po hanin veten përbrenda ashtu qysh më kishte ndodhur edhe mua për vite me radhë për arsye të ndryshme, njerëz që mundohen ta zënë frymën, ta detyrojnë të martohesh ose nuk të lënë të jesh homoseksual, çfarëdo dëshira e qejfe që mund të kenë pasur këta të rinj, thjesht i  thashë vetes se duhet të bësh atë që kurrë në jetë nuk e kam pasur guximin ta bëja, që ishte thjesht të isha vetja ime dhe t’i merrja punët e mia në duar dhe të mos isha më personi që lejon që ky problem të vazhdojë».

Ishte pikërisht ky momenti kur vendosi të xhironte dokumentarin e parë me të cilin fitoi «Emmy», titulluar «Banaz: A Love Story» («Banaz: Rrëfim dashurie»), që ishte me skena fort emocionuese meqë mbulonte vrasjet e ashtuquajtura «të nderit» të femrave britanike. Dokumentari dokumenton vrasjen e Banaz Mahmoud dhe arrestimin e burgosjen e babait, xhaxhait dhe kushërinjve për rolin e tyre gjatë dhunimit dhe vrasjes së saj. Filmi tani po përdoret si material trajnimi për policinë dhe shërbimet sociale anembanë botës.

«Fakti se filmi po përdoret në këtë mënyrë flet shumë për mua, sinqerisht, kjo ka vlerë më të madhe për mua se çmimi ‹Emmy› – ky është thjesht bonus dhe një gjë e mrekullueshme – por përnjëmend qëllimi ishte të krijohej diçka për të ndihmuar njerëzit që ta kuptojnë këtë», ka theksuar Khan. «Filmi im gjithashtu ka për qëllim që njerëzit ta kuptojnë më mirë».

Khan thekson se nuk është e kënaqur me diskursin publik në Mbretërinë e Bashkuar lidhur me arsyet pse rinia po i bashkohet ISIS-it. «Çfarë në të vërtetë po flasim ne është një ideologji dhe kundërpërgjigja politike ndaj saj është thirrje për më shumë kompetenca përgjimi e mbikëqyrjeje», thekson ajo. «Për mua është shumë e qartë, dhe nuk duhet të jesh farë gjeniu për ta kuptuar se çfarëdo që po bëjmë, dhe çfarëdo që po kuptojmë për këtë lëvizje, nuk po funksionon, sepse po merr fuqi dhe po rekruton gjithnjë e më shumë fëmijë tanë, kështu që furnizimi me jetë njerëzore është në rritje».

Edhe pse Khani thekson se ishte pesimiste pas fillimit të emetimit të filmit, ka më shumë shpresa pasi ka zbuluar disa prej arsyeve pse rinia po joshet prej xhihadit.

«Nëse ata ishin thjesht përbindësha – eventualisht u bënë përbindësha -, por nëse ishin përbindësha prej ditës së parë, atëherë na mbesin mundësi të kufizuara», thotë ajo. «Por të gjitha arsyet pse po shkojnë janë arsye njerëzore, arsye me themel psikologjike».

Disa prej këtyre «nuk kishin ndjenjën e përkatësisë ose ndjenjën e familjes, duke hasur në telashe se si po përshtateshin me botën, çfarë dua të bëj me jetën time? Pse jam këtu? Çfarë mund të bëj? Si mund të jem i dobishëm?»

«Këto janë pyetje që këta djem po ia shtrojnë vetes dhe ata po shkojnë për të krijuar përshtypjen e supermaços, djemve me muskuj që mbajnë armë për të treguar burrëri», thotë ajo. «Ata thjesht nuk janë të vetëdijshëm se ka më shumë mundësi se kaq».

Khan thotë se gjithashtu është e qartë derisa disa prej burrave që i ka intervistuar shpeshherë iu bashkuan xhihadit «për të luftuar kundër padrejtësisë», kur ata shkojnë atje e marrin vesh se nuk ishte puna se «myslimanët po vuanin, ishte punë politike lokale dhe kontrolli lokal, dhe këta djem të huaj nuk ishin asgjë tjetër pos mish për top».

«Edhe trendi nuk është ndryshe», thotë ajo. «Djemtë tanë britanikë, fëmijët tanë, nuk janë asgjë tjetër pos mish për top për këto lojëra lokale dhe këta djelmosha s’kanë haber për këtë punë».

«Ne duhet të bëjmë punë më të mirë për t’iu kundërpërgjigjur kësaj», thekson Khan. «Mund të mos jemi të zotë të shpartallojmë tërësisht këtë lëvizje, por ma ha mendja se ne mund të reduktojmë në mënyrë të theksuar numrin e njerëzve që ISIS-i ia del t’i joshë».

«The Indepedent»