Pse na duhet liria e mediave?

Pas sulmit barbar ndaj Vehbi Kajtazit: gazetaria e pavarur është thelbi i demokracisë funksionale.

Foto: Shutterstock



Është një incizim i agjencisë së lajmeve AP nga ceremonia e varrimit të Xhemajl Mustafës. Njerëz nga të gjitha anët e Llapit, funksionarë të lartë të Kosovës nën UNMIK, njerëz nga mbarë Kosova marshojnë drejt Gllamnikut, fshatit ku Xhemajl Mustafa u lind në vitin 1953, disa vite pas Luftës së Dytë Botërore dhe në prag të të ashtuquajturit aksion i armëve, një fushatë e regjimit jugosllav për spastrimin etnik të Kosovës. Xhemajl Mustafa u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë, para banesës së tij. Në ceremoninë e varrimit nënkryetari i atëhershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kolë Berisha, do të thoshte: «Xhemajl Mustafa do të mbetet në historinë më të re të Kosovës si një ndër burrat më të mëdhenj të saj». Pastaj një grup burrash bartin arkivolin me flamur kombëtar dhe përreth varrit vajtojnë familjarë të Xhemajl Mustafës. Kur kufoma lëshohet në varr, kur mbi të vendosen dërrasat, kur njerëzit fillojnë të mbulojnë varrin, një truprojë e presidentit Ibrahim Rugova thotë: «Besian, merre një gur». Pastaj një njeri merr një gur dhe ia dorëzon Besianit, djalit të Xhemajl Mustafës. Kjo është skena më e dhimbshme në këtë ceremoni që nuk i mungojnë dhimbjet me përmasa të tragjedive antike. Edhe pak javë do të mbushen 17 vjet nga vrasja e Xhemajl Mustafës. Vrasësit e tij nuk janë zbuluar kurrë. Urdhërdhënësit nuk janë arrestuar. Por, të gjitha partitë flasin për integrime europiane, liberalizim vizash dhe çka jo tjetër.

Xhemajl Mustafa nuk i kishte hak askujt. Ishte kritik letrar, njeri i interesuar për politikën, këshilltar i Ibrahim Rugovës, por jo adhurues euforik, madje në ditarin e tij të mbajtur gjatë bombardimeve të NATO-s gjen edhe fjalë kritike ndaj shefit të LDK-së. Sepse Xhemajl Mustafa nuk ishte një shërbëtor politik, ai ruante pavarësinë e tij për të menduar i lirë. Mendimin e tij të lirë, fjalën e lirë, të cilën e kishte shkruar në rrethana të shtetrrethimit serb si shenjë proteste, ia këputën vrasësit më 23 nëntor 2000.

Të tjerët e vazhduan këtë mision. Me rreziqe të mëdha e të vogla. Me guxim. Me trimëri. Duke mbrojtur parimet profesionale. Sepse informimi i drejtë, kritika e ashpër dhe me fakte janë hapi i parë për ndryshimin pozitiv të një shoqërie. Regjimet jodemokratike (ose në rastin e Kosovës: regjimet e «kumanirave») askujt nuk i frikësohen më shumë se gazetarëve që gjurmojnë për të zbuluar të vërtetën, që denoncojnë afera korruptive, që demaskojnë keqpërdoruesit e pushtetit. Mediat duhet të kontrollojnë pushtetin – kjo është detyrë e tyre. Në Kosovë ka gazetarë që e kryejnë këtë punë dhe ka gazetarë të regjimit që s’kanë punë tjetër pos të lavdërojnë kriminelët dhe të shpifin kundër gazetarëve që luftojnë kriminelët. Kësisoj, politikanë multimilionerë dhe «gazetarë» milionerë me të dy këmbët po shkelin nenin 19 të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut: «Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë». Aty ku nuk ka gazetari të pavarur, ka shkelje të të drejtave të njeriut.

Ky tekst është shkruar me një sebep: pas rrahjes barbare të gazetarit Vehbi Kajtazi. E vërteta nuk mposhtet me grushte. As Vehbi Kajtazi. Por sulmet e shtuara kohëve të fundit kundër gazetarëve dhe kërcënimet e pandërprera janë sinjal alarmi. Në një vend ku liria e kriminelit është e pakufizuar dhe liria e shprehjes e kufizuar, pasojat mund të jenë fatale dhe afatgjata. Shoqëria duhet të zgjedhë mes të vërtetave të gjurmuara nga Vehbi Kajtazi dhe të «vërtetave» që keqbërësit e mëdhenj duan t‘i imponojnë me grushte. Na duhet liria e shtypit që ndikon në futjen në burg të keqbërësve. Dhe na duhen institucione që janë të afta t’i fusin në burg ushtruesit e terrorit dhe armiqtë e së vërtetës. Një i dyshuar për sulmin kundër Vehbi Kajtazit u shoqërua sot në polici. Ky është lajm i mirë. Të shpresojmë ta marrë dënimin e merituar. Nesër shoqata e gazetarëve të Kosovës ka paralajmëruar protesta kundër presioneve dhe dhunës që po ushtrohet në Kosovë nga njerëz të afërt me pushtetin. Nesër është një rast i mirë për të kërkuar edhe arrestimin e vrasësve të Xhemajl Mustafës. Një shoqëri që i harron krimet, i përsërit. Krimi ndaj Vehbi Kajtazit është vetëm përsëritje, fatmirësisht me pasoja më të vogla se në rastin e Xhemajl Mustafës.