Pse jetoj në këtë vend?

Në librin «Hebreu i përdorur» autori Maxim Biller portreton veten dhe shtron së paku 1000 pyetje mbi të qenmit hebre në Gjermani.

Në këtë libër Maxim Biller e portreton veten si autsajder që përherë irritohet – me jetën në Gjermani, me debatet publike, me shoqërinë gjermane, me të qenmit e tij hebre, me kritikët letrarë, me publicistët e njohur hebraikë dhe gjermanë, me antisemitizmin (që buron nga historia).



Maxim Biller është një autor që çdo lexuesi dhe kritiku letrar shpejt ia acaron nervat. Sidomos kur kritiku apo lexuesi janë tamam gjerman ose gjermane, aso gjermane bjonde, të cilat bartin çizme naziste. Së paku kështu i bien në sy Maxim Billerit. Ai ka lindur në Pragë në një familje hebraike, babai i tij ka qenë adhurues i Leninit në Moskë, e ëma ishte me origjinë nga Baku, Azerbajxhani, dy xhaxhallarë të tij luftuan për Armatën e Kuqe dhe çliruan Pragën nga gjermanët.

Biller thotë se askush nuk e pyeti nëse dëshironte të jetonte në Gjermani. Kur ishte 10-vjeçar prindërit e tij u vendosën në Hamburg. Biller u rrit në Gjermani, përsosi gjuhën gjermane, filloi të interesohet për shumë tema, por mbi të gjitha për një: si jetohet në Gjermani si hebre, si jetohet në Gjermaninë e pasluftës, Luftës së Dytë, gjatë së cilës kriminelët nazistë vranë në forma të ndryshme rreth gjashtë milionë hebrenj. Në lidhje me këtë temë, e cila është si të thuash tema e tij e përjetshme, ai shkroi librin «Hebreu i përdorur. Një autoportret.»

Biller e sheh veten si hebre të përdorur në Gjermani. Si hebre që lejon të përdoret, duke shkruar për tema gjermane dhe hebraike dhe mbi raportet asnjëherë të çliruara mes dy kombeve, për arsye historike. Biller nuk është autor që përton të provokojë. Si në këtë libër, ashtu edhe në paraqitjet e tij publike polemizon dhe provokon me kënaqësi, ankohet ndaj shoqërisë gjermane, e cila, sipas tij, s’ka humor. Nganjëherë lexuesi e ka përshtypjen se Biller nuk është i kënaqur as me botën. Shpesh kjo qasje është atraktive, fundja më mirë një autor i parehatshëm se sa një që shkruan përgjumshëm dhe korrekt.

Një gjë bie në sy që në fillim të librit, i cili është një miks mes romanit, autobiografisë dhe reportazhit: Biller nuk është modest. Pasi ka shkruar një roman, ia dërgon motrës për ta lexuar. Dhe motra përgjigjet: «Kam menduar se Thomas Manni ka vdekur». Biller në nivel të barabartë me nobelistin gjerman? Pse jo? Fundja, që është shkrimtar i mirë këtë ia thotë vajza e një kritiku të famshëm letrar. Ajo i ka treguar të atit për shokun e saj shkrimtar dhe pasi kritiku i famshëm ka lexuar diçka nga vepra e tij, është treguar i entuziazmuar. Kjo do të thotë diçka në Gjermani.

Biller është i bindur se hebrenjtë nuk janë më të pranishëm në jetën publike në Gjermani. Ata i sheh 30 sekonda më 9 nëntor (përvjetori i rënies së Murit të Berlinit), pastaj tek pas një viti, prapë për 30 sekonda, kuptohet në lajmet televizive. Sa i përket shifrave: më 1933 një pakicë gjermane (33 për qind) e solli Adolf Hitlerin në pushtet. Pasojat e trashëgimisë së tij kriminale i bart edhe sot Gjermania. Në këtë Gjermani Biller dëshiron të ndezë debate, për shembull me këso konstatimesh: «Jam hebre, sepse një ditë e vërejta sa shumë më pëlqen t’i habisë të tjerët me faktin se jam hebre». Sepse: «Dikush si unë nuk ka qenë i paraparë në Gjermani». Ose: «Dje për pak i bleva disa lugë dhe pirunë, por shitësja tha se janë të viteve ’30 dhe natyrisht të përdorura, unë i thashë se po mendoj. Nuk dua të ha me lugë e pirunë, me të cilin kanë ngrenë nazistët».

Saul Bellow, «tepër intelektual për një shkrimtar» (Biller), njëherë ishte pyetur nëse dëshironte të jetonte një vit në Gjermani. Nobelisti i letërsisë Bellow u përgjigj: «Atëherë një vit do të duhej të isha hebre». Biller është gjatë gjithë kohës hebre. Dhe s’arrin të shkëputet nga ky fiksim. Mbetet sekret i tij nëse ky fiksim është edhe kalkulim. Një hebre në Gjermani kurrë s’mund të shkëputet nga e kaluara dhe për këtë nuk duhet të qortohet, assesi. Një hebre në Gjermani duhet të jetë lojal ndaj shtetit gjerman, por ai kurrë s’mund të jetë indiferent ndaj Izraelit. Biller flet me shokët e tij dhe njëri thotë: izraelitët po u hakmerren palestinezëve për Auschwitzin.

Një hebre në Gjermani çdo gjë e lexon me sy të tjerë. Për shembull veprën e Thomas Mannit, i cili, sipas Biller, i përshkruan hebrenjtë si të shpejtë, të ndotur, të pandërgjegjshëm dhe demokratë, me hunda të rrafshëta e buzë të fryra. Biller kundërpërgjigjet me klishe për gjermanët: «Gjithçka që është e rrejshme në Gjermani, thashë unë, ka të bëjë me atë se gjermanët janë të pacivilizuar. Dhe çdo gjë që është e re dhe e huaj, ata i bën të pasigurt – të huajt, humori, demokracia, mysafirët e panjohur në ndejë. Andaj, thashë unë duke përfunduar, Hitleri e pati të mundur të bëjë karrierë. Ai u premtoi gjermanëve se do ta çlirojë botën nga çdo gjë që ata nuk e njihnin. Kjo ishte lufta e tij botërore».

Nga humori bizar Biller arrin të kalojë me lehtësi frikësuese te thelbi i trazimit të tij shpirtëror. Një gjermani që i thotë se nuk ka ekzistuar Auschwitzi, pra vrasja industriale e hebrenjve nga nazistët, Biller i kundërpërgjigjet me fakte: para luftës në Antwerpen jetonin 80 njerëz me mbiemrin Biller dhe në dimrin e vitit 1943 u zhdukën pa gjurmë, një pjesë e familjes ka përfunduar në varrin masiv Babin Jar afër Kievit të Ukrainës. «Shumë gjermanë mendojnë si ti, e di. Ju besoni se hebrenjtë janë më të mençur se ju, andaj i urreni. Sa të përket ty, nuk e ke zor të jesh më i mençur. Dhe më vjen keq që unë ekzistoj. Dëshmi se Holokausti është shpikje hebraike?» Me këto fjalë Biller i drejtohet një gjermani dhe pas pak thekson se e bartte me vete krenarinë hebraike, e cila po të ishte prej metali do të mund të bëheshin prej saj njëqind gjyle topi.

Ndër pjesët më të ndjeshme të librit janë takimet e Maxim Billerit me Marcel Reich-Ranicikin, papën e kritikës letrare gjermane, një gjigant i botës publike gjermane, hebre që mbijetoi Geton e Varshavës, u bë diplomat polak dhe iku në Gjermaninë perëndimore, sepse për të nuk ekzistonte asgjë tjetër në këtë botë përveç letërsisë. Biller e takon Marcel Reich-Ranicikin në vitin 1984. Dhe më 2008. Ranicki kujton takimin e parë: «Më dukeshit si antisemit hebraik». Biller: «Ndërsa unë mendoja se jeni hebre që s’doni të jeni hebre». Reich-Raniciki është adhurues i flakë i veprës së Thomas Mannit, ndërsa për Franz Kafkën nuk ka mendim të lartë: «Kafka i shkroi Milenës se dëshironte t’i fuste të gjithë hebrenjtë në një sirtar, në mënyrë që të ngufaten të gjithë. A besoni në këtë? Jo, me siguri nuk besoni! Do t’ua tregoj vendin ku e ka shkruar kur të vini, e kam cituar në librin tim Verifikime».

Në këtë libër Maxim Biller e portreton veten si autsajder që përherë irritohet – me jetën në Gjermani, me debatet publike, me shoqërinë gjermane, me të qenmit e tij hebre, me kritikët letrarë, me publicistët e njohur hebraikë dhe gjermanë, me antisemitizmin (që buron nga historia). Leximi i librit të Maxim Biller nuk të krijon ndonjë kënaqësi estetike. Ky libër nuk është shkruar për një qëllim të tillë. Është shkruar për të përshkruar se si krimet e mëdha nuk i lenë rehat shumë gjenerata. Isaac Bashevis Singer, edhe ky hebre dhe nobelist i letërsisë, pati shkruar: «Hebrenjtë janë një popull që s’e zë gjumi dhe nuk i lë të tjerët të flenë». Biller duket se e ka lexuar me vëmendje Isaac Bashevis Singer, pastaj ka shkruar këtë libër të rëndësishëm. Me këtë libër ai e ka dhënë edhe përgjigjen se përse jeton në këtë vend. Në Gjermani.