Pse Franca është caku kryesor i xhihadistëve?

Planifikuesit e ISIS-it duket se e shohin mundësinë që të nxisin një përçarje ndërmjet atyre në Francë, si rasti i zotit Hollande, që refuzojnë politikat më të ashpra të sigurisë në emër të vlerave republikane, dhe atyre që bëjnë thirrje për masa të stilit izraelit. Është e konsiderueshme mundësia për të nxitur konflikt politik, ideologjik dhe etno-fetar para zgjedhjeve në mot për president të Francës.

Masat e sigurisë në Paris. Foto: Shutterstock

Pse Franca? Pse vendi i iluminizmit, lirisë, barazisë dhe vëllazërisë është bërë caku kryesor për terroristët që po veprojnë në emër të ISIS-it?

Sa më e vendosur që tingëllon shpallja e «luftës» kundër terrorizmit e presidentit François Hollande – siç veproi përsëri pas vrasjes së ditës së martë të priftit 85-vjeçar, Jacques Hamel, që u gjunjëzua në kishën e tij para se t’ia prisnin fytin – aq më keq duket se do të bëhet situata. Gjendja e jashtëzakonshme pas masakrës në Paris në nëntorin e vitit të kaluar nuk i ka ndalur krimet makabre, përfshirë vdekjen e 84 personave në Ditën e Bastijës në Nicë, ose sulmin me thikë kundër oficerëve të policisë në sytë e të birit të tyre trevjeçar.

Kura që po përdoret prej qeverisë pas sulmeve kundër «Charlie Hebdo» dhe në qendrën tregtare hebraike në janarin e vitit të kaluar në Paris, po shihet sheshit se nuk ka qenë efikase – megjithëse kryeministri Manuel Valls thekson se janë neutralizuar pesëmbëdhjetë përpjekje për sulme terroriste që nga viti 2013. Opozita ka sugjeruar marrjen e disa masave radikale, por çështja kryesore se pse po ndodhin këto sulme terroriste, ende nuk ka marrë përgjigjen e duhur.

Zoti Hollande vazhdon në të tijën se ISIS-i e ka vënë në shënjestër Francën shkaku se shteti francez dëshiron të shkatërrojë vlerat e civilizimit që i mishëron ky vend. Nuk ka asnjë fije dyshimi se kjo është e vërtetë, megjithëse edhe shtetet e tjera kanë të njëjtin stil të jetës që dënohet prej ekstremistëve.

Por në vend të kësaj ka një mori faktorësh që ndihmojnë për shpjegimin e shkakut pse Franca mbetet caku kryesor i xhihadistëve. E para është bombardimi i ISIS-it që nxit padyshim kundërpërgjigje. Ky është çmimi i aksionit të vendosur të zotit Hollande, por që nuk ka ndalur shpeshtinë e sulmeve terroriste në tokën franceze.

Pastaj është puna e radikalëve me prejardhje nga Afrika Veriore, që janë larguar nga Franca drejt Sirisë e Irakut, dhe po raportohet prej burimeve të besueshme se kanë pozita të rëndësishme në strukturën komanduese të ISIS-it. Thuhet se ata kanë ruajtur lidhjet me «ushtarët», që kanë shkuar në Lindjen e Mesme dhe janë rikthyer në Francë për të përgatitur sulme, si vjet në Paris.

Planifikuesit e ISIS-it gjithashtu duket se e shohin mundësinë që të nxisin një përçarje ndërmjet atyre në Francë, si rasti i zotit Hollande, që refuzojnë politikat më të ashpra të sigurisë në emër të vlerave republikane, dhe atyre që bëjnë thirrje për masa të stilit izraelit. Është e konsiderueshme mundësia për të nxitur konflikt politik, ideologjik dhe etno-fetar para zgjedhjeve në mot për president të Francës.

Zoti Valls ka thënë se qëllimi i atyre që vranë atin Hamel të martën ishte provokimi i «një lufte fetare» në Francë. Nëse ka ekonomistë në komandën e lartë të ISIS-it, ata mund të jenë duke kalkuluar gjithashtu në sulm kundër statusit të Francës si destinacioni kryesor i turistëve në botë. «Air France», dike njoftuar rënie të të hyrave për pesë për qind këtë javë, ka theksuar «shqetësimin e veçantë» për vendin në mesin e udhëtarëve.

Ka edhe një arsye të kahershme pse faktorët e tillë kanë ardhur kaq fuqishëm në shprehje në Francë. Njëzetë vjet më parë, kisha kaluar kohë nëpër patundshmëri periferike që rrethonin Parsin. Tëhuajasimi – i rrokur fort mirë në filmin e Mathieu Kassovitzit më 1995, «La Haine» – i rinisë, që jetonte në ato prona, shumë prej të cilëve emigrantë ose fëmijë emigrantësh, binte fort në sy edhe atëherë. Ky mjerim vetëm është intensifikuar prej atëherë me rritjen e shkallës së papunësisë dhe krimit në lagjet e lëna pas dore.

Qeveri të njëpasnjëshme kanë dështuar t’ia dalin me zemërimin e fëmijëve të emigrantëve nga Afrika Veriore, që kishin ardhur në Francë në kohë më të mira. Lënia pas dore ka qenë urdhri i ditës. Nga fundi i shekullit, e kisha ngritur këtë problem me ministrat e qeverisë, ata e anashkaluan. «Ata djelmosha duhet të bëhen francezë të mirë», më pat deklaruar një zyrtar.

Pas Nicës, rinia franceze ktheu kokën kah e djathta për mbrojtje. Populistët po kërkojnë votat e rinisë, shkruan Anne-Sylvaine Chassany. Si rezultat i kësaj, boshllëku ndërmjet Francës që e mban veten si fanar për pjesën tjetër të botës dhe realiteti i jetës nëpër vendbanime, po thellohet gjithnjë e më shumë. Si rezultat i kësaj, ka ardhur refuzimi i republikës prej rinisë që ndjen se ajo s’ka kurrfarë rëndësie për ta, dhe për më tepër, edhe është aktivisht armiqësore ndaj tyre. Kjo si kundërpërgjigje krijon një klimë ku njerëz si Mohamd Lahouaiej Bouhlel, vrasësi i Nicës, gjejnë prehje për instinktet e trazuara nga propaganda e ISIS-it.

Zoti Valls kishte folur pas sulmit në revistën «Charlie Hebdo» për «aparteidin etnik, social dhe territorial» në Francë dhe për «diskriminimin e padurueshëm». Tani ai dhe zoti Hollande kërkojnë më shumë masa të jashtëzakonshme. Tingujt që po burojnë prej Elysees nuk po lënë të dëgjohet zëri kryesor i arsyes pse Franca është zhytur në këtë terror: situata kërkon mishërim me parimet qenësore republikane të Francës, përfshirë ndalimin e ferexheve islamike në vende publike; por një pakicë e popullsisë e hedh poshtë kërkesën, nganjëherë edhe dhunshëm. Tragjedia është se derisa problemi mund të identifikohet, po bëhet gjithnjë e më vështirë gjetja e zgjidhjes.

(Autori i këtij komenti të botuar në Financial Times ka shkruar librin «Historia e Francës moderne», që është publikuar përsëri së fundi).