Pse festa që bashkon botën të përçajë shqiptarët?

Viti i Ri nuk është festë fetare, as u përket kombeve të veçanta. Dukuria është astronomike, shënon përfundimin e një rrotullimi të tokës rreth diellit, ndërsa ne tokësorët e shënojmë si përfundim të një viti kalendarik dhe fillimin e tjetrit. Pse, atëherë, disa imamë kërkojnë që besimtarët myslimanë të mos e kremtojnë?




Rrallë ndonjë ngjarje a dukuri na bën të ndjehemi se i përkasim të njëjtës botë si Viti Ri, së paku simbolikisht. Pasi të ketë kaluar më pak i dukshëm e i zhurmshëm nëpër disa ishuj të Paqësorit, çasti i arritjes së ndërrimit të moteve, shpërthen në fishekzjarrë madhështorë së pari në Sidnei, pastaj në Tokio, për të vazhduar orë pas ore në qendra të mëdha në perëndim. Disa pjesë më të vogla të planetit nuk përfshihen në këtë spektakël, por gjithsesi ai gjatë 24 orëve arrin deri në brigjet perëndimore të kontinentit të Amerikës.

Por, nuk janë të gjithë entuziastë që edhe ne të ndjehemi pjesë e kësaj atmosfere globale. Me zë dramatik dhe me lutjen sikur i drejtohet dikujt që është duke dashur të kërcejë në humnerë «p’r’ize të Zotit», pastaj, duke u vënë në pozitë familjare për ta dëshmuar qëllimin e mirë, «dëgjojeni vëllain tuaj që ua do të mirën sikur familjes së vet», njëri prej imamëve kontrovers të Kosovës, u kërkon besimtarëve: «Mos e festoni Vitin e Ri!»

«Mos gaboni të blini bredha, se bredhat e dreqit, s’janë të bereqetit. Çfarë fati të sjell bredhi, druri i prerë! Mos i zbukuroni shtëpitë tuaja, mos e dalloni natën e Vitit të Ri prej asnjë nate tjetër! Mos, o mysliman, se po e fituam hidhërimin e Zotit kush na pajton ne, e njeriu nganjëherë me një vepër a me një fjalë e fiton kënaqësinë e zotit, por me një vepër a me një fjalë mund ta fitojë edhe hidhërimin e zotit».

Problemet me kalendarët

Viti i Ri nuk është festë fetare, as u përket kombeve të veçanta. Dukuria është astronomike, ngase shënon përfundimin e një rrotullimi të Tokës rreth Diellit, ndërsa ne tokësorët e shënojmë si përfundim të një viti kalendarik dhe fillimin e tjetrit.

Që 1 janari të jetë dita e parë e vitit është përcaktuar me kalendarin gregorian, të krijuar në vitin 1582. Papa Gregori XIII, emrin e të cilin e mban kalendari të cilin e përdorim edhe sot, sigurisht se kishte motive fetare për të përmirësuar sistemin e numërimit të ditëve. Problemi me kalendarët është se toka nuk e bën një rreth të plotë përreth diellit për 365 ditë, por ka edhe një mbetje. Mbetja është 5 orë, 48 minuta dhe afër 45 sekonda, prandaj edhe e pavërejtur për një vit. Mirëpo, ajo bëhet e dukshme me kalimin e viteve, kështu që me kohë mund të ndodhë që Viti i Ri të bjerë në verë, ndërsa rrushi të piqet në dhjetor apo në janar. Kalendari pararendës, ai julian, këtë problem e kishte zgjidhur me futjen e vitit të brishtë, me çka fitohej një ditë e plotë çdo katër vite. Por, me të viti bëhej i gjatë 365 ditë e 6 orë, duke krijuar sërish një diferencë prej 11 minutash e 15 sekondash. Shtytja për reformë ishte që të ndalohet zhvendosja e kalendarit në raport me ekuinoksët dhe solsticët – sidomos me ekuinoksin pranveror, i cili ndihmon në përcaktimin e datës së Pashkës. Problemin e kanë zgjidhur këshilltarët e Papës, astronomi Christopher Clavius dhe fizikani e astronomi Aloysius Lilius, duke futur po ashtu një vit të brishtë, i cili me shkurtin 29-ditësh i ka 366 ditë, por sipas një rregulli të ri. Ndër vitet që pjesëtohen me 100, vetëm ato që pjesëtohen edhe me 400 janë vite të brishta. Për shembull, për mijëvjeçarin e kaluar, 1600 dhe 2000 qenë vite të brishta, ndërsa 1700, 1800 dhe 1900 jo. Papa tash me saktësi astronomike mund të caktonte datën e festës së ringjalljes.

Gjatë mesjetës, në Evropën perëndimore, deri sa kalendari julian ishte ende në përdorim, autoritetet e zhvendosnin Ditën e Vitit të Ri në varësi prej lokalitetit, në një nga ditët ndërmjet 1 e 25 marsit, Pashkës, 1 shtatorit e 25 dhjetorit. Por, përdorimi i kalendarëve të tjerë lokalë vazhdon edhe sot e kësaj ditë, bashkë me praktikat kulturore e fetare të cilat i përcjellin. Në Amerikën Latine kultura të ndryshme vazhdojnë të përcjellin traditat e tyre sipas kalendarëve të tyre. Izraeli, Kina, India dhe vende të tjera, vazhdojnë të kremtojnë vitin e ri në data të ndryshme, bota islame ka një kalendar të veçantë, ndërsa për kishën ortodokse ende është në përdorim kalendari julian.

Hiq shtysën fillestare, kalendari në vazhdim ka shërbyer për të kryer punët e kësobotshme dhe ai tash është kalendari civil më i përdorur dhe 1 janari është fillim i vitit të ri gati në shkallë globale.

As shenjtorë, as idhuj

Festa e Vitit të Ri, pra, është krejtësisht neutrale ndaj besimeve fetare dhe traditave kombëtare. Ajo nuk shënon asnjë datë të shenjtëve, me të nuk shprehet asnjë lloj kulti dhe nuk i bëhet respekt asnjë idhulli pagan. Bredhi i Vitit të Ri, të cilit në të kaluarën mund t’i jenë dhënë lloj-lloj kuptimesh, sot nuk paraqet gjë tjetër pos një stoli, ndërsa në babadimër mund të besojnë vetëm fëmijët, dhe atë deri sa janë shumë të vegjël. Pse, pra, bëhet thirrje për të ndaluar një festë, e cila nuk është e ndaluar me rregullat fetare?

Sigurisht, imamët tanë kanë të drejtë kur tërheqin vërejtjen për konzumerizmin, këtë sëmundje të botës moderne, dhe për shpenzimet e mëdha që bëjnë disa familje, përkundër të ardhurave të tyre modeste, ndaj rregullisht ndodh që, për aq sa është emocionues fundi i dhjetorit, po aq është depresiv muaji i gjatë i janarit. Pijet e tepruara po ashtu janë për t’u gjykuar, ndërsa ne mund të shtojmë edhe përdorimin individual të mjeteve piroteknike, të cilat na e bëjnë të hidhur festën me lajmet për lëndimet që pësojnë prej tyre shumë njerëz. Për fat të keq, pushtetarët tanë të korruptuar nuk duan t’i ndalojnë tregtarët përfitues me mjete piroteknike dhe të fillojnë si gjithë bota traditën e mirë që shkrepja e fishekzjarrëve të bëhet nga autoritetet publike.

Disa imamë, ftesën për të mos e kremtuar Vitin e Ri e bëjnë me arsyetimin për ruajtjen e identitetit, herë atij kombëtar, herë atij fetar, apo i të dyve bashkë, duke mos i pranuar «gjërat e huaja». Se si mund të humbet identiteti nga një festë e tillë mbase vetëm ata mund ta dinë. Apo duan të na largojnë nga praktikat e Europës perëndimore dhe të na bëjnë të dukemi si vendet që i idealizojnë imamët e papërgjegjshëm? Dhe, festa e cila e bashkon botën, të bëhet edhe një shkak për ndasi të re mes shqiptarësh: në ata që e kremtojnë dhe ata që nuk e kremtojnë Vitin e Ri?