Pse europianët po u kthehen librave të Stefan Zweigut?

Shkrimtari austriak, që ishte popullor në kohën e tij, tani ka zgjuar vëmendjen e lexuesve më shumë se kurrë, shkruan revista «Economist».

Stefan Zweig, shkrimtar austriak.



Pas viteve të zymta të Europës, është kthyer diskutimi i viteve ’30 të shekullit të kaluar. Janë zgjidhur nyjat e mirëbesimit ndërmjet shteteve dhe bindja e ngahershme se Bashkimi Europian përparon vetëm në kohë krizash po testohet deri në shkallë shkatërrimi. Popullistët kanë marrë vrull. Britania ka marrë udhën e daljes nga blloku i BE-së. Dhe fqinjët e Europës ose nuk po e lënë rehat (si rasti i Rusisë), ose e kërcënojnë me vërshim refugjatësh. Një eurokrat i regjur e ngacmoi së fundi autorin e këtij shkrimi me shprehjen e drojës se do të plasë një tjetër luftë franko-gjermane.

Është pak e habitshme se evropianët me çehre të prishur kanë nisur t’ua heqin pluhurin veprave të Stefan Zweigut. Autor që gëzonte famë të madhe me novelat, biografitë dhe traktet politike në kohën e tij, Zweigu mishëronte idealin e luftës së brendshme të europianit përparimtar. Shkrmtari hebraik që pa me sytë e tij nazistët duke ia djegur librat, fillimisht u mahnit me vendlindjen e tij, Austrinë, më 1934, dhe pastaj me Europën. Shkëlqimi i yllit të Zweigut mbeti në hije të autorëve modernë, si Thomas Mann dhe Joseph Roth. Por fakti se me sytë e vet e pa tragjedinë e Europës, dhe përkushtimi i tij kauzës së bashkimit të saj, ndihmuan për rikthimin e popullaritetit të tij. («The Grand Budapest Hotel», film i vitit 2014 frymëzuar prej shkrimeve të Zweigut, mbase ka pasur ndikim në këtë punë.)

Zweigu njihej për refuzimin moral të politikës së bërrylave, por thirrjet e tij për unitet europian jehuan edhe më fort gjatë viteve tridhjetë në kohën kur kontinenti kishte marrë theqafjen drejt luftës. Dhe kur plasi lufta, Zweigu më nuk mund ta mbante gjallë shpresën që e kishte inkuarjuar në mesin e të tjerëve. Në librin «Bota e djeshme», një vajtim i madh përfunduar nga fundi i jetës së tij për fëmijërinë e tij kozmopolitane vjeneze, Zweigu e shpallte Europën «të humbur» për të ndërsa ajo po bëhej pikë e pesë për herë të dytë në kujtesën e tij. Më 1942, Zweigu dhe gruaja e tij e re bënë vetëvrasje në shtëpinë e tyre në Petropolis që ndodhej në kodrat mbi Rio de Janeiro.

Sipas vlerësimit të ashpër të John Grayt, kritik, Zweigu tregoi pak guxim në jetë që të konsiderohej tragjike vdekja e tij. Por nuk kishte kurrfarë ironie të fshehur në atë çfarë po pritej. Ende pa u bërë një dekadë pas vetëvrasjes së tij, gjashtë shtete europiane u pajtuan të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut të tyre, duke themeluar një klub që do të zgjerohej në projekt europian për të cilin ngaherë kishte bërë thirrje Zweigu. Një organizatë e themeluar mbi themele të tilla prozaike, me siguri se nuk kishte mahnitur imagjinatën e një dijetari (dhe kur vinte puna te përfaqësimi europian, Brukseli asnjëherë nuk do të mund t’i afrohej Vjenës, nëse do të pyetej Zweigu). Por ia kishte dalë të jetësonte nëpërmjet masave burokratike atë çfarë Zweigu shpresonte të realizohej nëpërmjet shkollimit dhe kulturës: që lufta ndërmjet Francës dhe Gjermanisë jo vetëm të mos merrej me mend, por edhe të mos ishte fare e mundshme.

Ai mit themeltar i asaj që do të shndërrohej në BE, ende u jep shpresë krerëve të bllokut. Donald Tusk, president i Këshillit Europian, kujtoi së fundi gjatë një fjalimi vërejtjen e Zweigut se ata që zihen ngushtë prej ndryshimit historik, asnjëherë nuk i kthehen fillesave. Zoti Tusk nxorri dufin kundër «grackës së fatalizmit», që, sipas tij, ka kurthuar politikanët e tanishëm të moderuar që përballen me kërcënimin e popullizmit. Në kohën e Zweigut, theksoi fort ai, «liberalët u dorëzuan virtualisht pa luftë fare, megjithëse i kishin të gjitha kartat në duar».

Ata që janë plakur në politikën e Brukselit kritikojnë sertë për mungesë vizioni në mesin e liderëve, sikur të mjaftonte një Kohl, Miterrand ose Delors i transplantuar për t’ia kthyer të mbarën Europës. Por nuk është se vetëm kujtimet e politikanëve të viteve dyzetë po shlyhen. Duke e konsideruar si të paimagjinueshme luftën ndërmjet anëtarëve të saj, BE-ja ka vënë në dyshim përkrahjen e saj. Pa një mision të tillë, dalin në pah kërkesat që vënë në dyshim marrjen e disa kompeencave sovrane shteteve anëtare.

Dhe kriza e fundi na ka ofruar një përgjigje. Megjithëse disa zotime të BE-së mund të burojnë prej gabimeve të vendimmarrjes europiane – integrimi i vrullshëm që nganjëherë votuesit i konsideronte si njerëz të papërshtatshëm, ose lëshimet që ishin bërë në sistemin e përbashkët monetar – disa telashe vinin së jashtmi dhe kërkonin reagim të bashkërenduar. Pa BE-në, kërcënimi rus do të ishte më i madh dhe qeveritë në telashe do ta kishin edhe më të zorshëm menaxhimin e krizës së emigrantëve. Problemet si ndryshimi klimatik dhe terrorizmi kërkojnë menaxhim të përbashkët. Pavarësisht prej hapave të gabuar të BE-së, problemet e Europës zor se do të zgjidheshin pa të.

Kujdes me keqardhjen

Mesazhi i Zweigut është dyfish më shumë ngashëryes. Ngulmi i tij për të kaluarën e përbashkët, si natyra e historisë europiane, përparimi dhe prapakthimi gjatë shekujve ndërmjet tribalizmit dhe nevojës për bashkëpunim, na siguron edhe sot me drojë se fati i së sotmes mund të jetë i përkohshëm. Sulmet e tij kundër politikanëve mendjengushtë të kohës përkojnë me përbuzjen me të cilën po i mbajnë pezull proevropianët krerët e tyre. «Ideja europiane», shkruante Zweigu, kërkon të menduar të thellë e të ngadalshme, si puna e asaj frutës së pjekur ngadalë. Shumëkush mendon tani në Bruksel se këtë përmbledhje nuk ka kush që mund ta luajë.

Por siç e pranonte edhe Zweigu, një klub mbinacional asnjëherë nuk mund të diktojë ndjeshmërinë e qytetarëe, qysh e bën kombi. Ilaçi i tij – një kryeqytet europian me zhvillime dhe festime me dukje të spektakleve kombëtare – u jetësua, megjithëse në formë tjetër. Por Kryeqyteti Europian i Kulturës ende nuk ka arritur të prekë zemrat e njerëzve, qysh shpresonte Zweigu. Karremi i tërheqjes së besnikërisë kombëtare ende ofron mjetet më të mira për mobilizim të europianëve. Nëse kanë humbur argumentin e tyre ata që ëndërrojnë një supershtet europian, qysh e ëndërronte edhe Zweigu, është më e udhës që t’i përvilen politikës kombëtare se të shprehin keqardhje idhnake ndaj atyre që kanë fituar.

Dhjetë vite më parë, rreziku më i madh për Europën vinte kryesisht prej shkuarjes drejt jorelevancës. Por prej atëherë, sa e sa zhvillime të rrufeshme janë zhvilluar dhe është thelluar dezintegrimi. BE, me gjithë ato institucione të kushtueshme, nuk ia ka dalë ende të gatuajë tharmin e domosdoshëm për një autoritet qendror me energji demokratike të shteteve-kombe. Dhe krizat e tanishme e bëjnë edhe më të domosdoshme këtë detyrë. Por sfidat në Europën e sotme të pasur, të lirë, demokratike dhe gjerësisht paqësore nuk janë si ato të viteve tridhjetë. Zweigu e niste «Botën e djeshme» me një sugjerim të Shakespearet: «Çfarëdo që vjen – mirë se vjen». Këtu së paku e dinte ku donte të dilte.

© për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus.ch. Ndalohet rreptësishtë botimi i këtij teksti nga mediat tjera.