Pse e pështyni Ibrahim Rugovën?

Dy pleq të pafytyrë – Nexhat Daci e Fatmir Sejdiu – pasi e shkatërruan LDK-në po e përdhosin edhe figurën e Ibrahim Rugovës, duke i vënë atij në gojë fjalë që nuk i ka thënë kurrë.

Shtatorja e Ibrahim Rugovës në Prishtinë. Foto: Shutterstock



Me dhëmbët që i ka ndrequr me buxhet të Kosovës dhe pasi është dënuar për keqpërdorim të buxhetit, kimisti me ambicie politike, Nexhat Daci, herë pas here shfaqet edhe në media. Me pozën e të gjithëdijshmit ai flet broçkulla në përpjekje për të trajtuar traumat e tij nga koha kur e humbi rolin në politikë. Kur e kaplon dëshpërimi ai shfaqet në ndonjë penxhere televizive dhe tregon se si Hashim Thaçi e ka sharë me nënë. «Unë jam rrit pa prindër dhe për herë të parë më është sha nana nga Hashim Thaçi, në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës». Çfarë t’i bëjmë tani një akademiku që lejon t’i shahet nëna nga Hashim Thaçi?

Të hënën Daci është shfaqur sërish në televizionin «Rrokum» dhe ka thënë se ndonëse nuk i di detajet, Rugova ka pasur vullnet për shkëmbim të territoreve. Pra, tenori i Dacit është ky: nuk kam informacion, por ma merr mendja se Rugovës ia ka marrë mendja se ndarja e Kosovës do të ishte një ide e menduar mirë. A ka marrëzi më të madhe, a ka pafytyrësi më të madhe se në 11 vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës të flasësh në emrin e tij, t’ia lëkundësh eshtrat, të llomotitësh në një situatë tepër delikate politike, të tumirësh harta të reja politike në Ballkan? Rugova s’mund të flasë vetë, por ata që mund të flasin është e ndershme të mos e pështyjnë edhe për së vdekuri. Nexhat Daci po bën pikërisht këtë.

Se a ndahet Kosova apo jo – për këtë kurrë nuk mund të vendosin as Nexhat Daci, as Rexhep Qosja, që të dy pa asnjë mandat politik. Për ndarje dhe projekte të tjera territoriale mund të vendosë populli i Kosovës në referendum. Së paku në referendum. Se a është i gatshëm populli i Kosovës ta varrosë republikën dhe shtetin e vet për aventura politike është çështje e vetë popullit, jo e politikanëve minorë pa asnjë votë, por me gojën plot helm dhe me talent për manipulim.

Kur flet Daci patjetër duhet të flasë edhe Fatmir Sejdiu. Që të dy sot nga stomi shikojnë rezultatet e punës së tyre politike: reduktimin e LDK-së nga 50 për qind në 20 për qind mbështetje elektorale si pasojë e egove të tyre. Sejdiu është aq i traumatizuar që e humbi postin e presidentit me fajin e tij dhe që postin e kryetarit të LDK-së ia mori Isa Mustafa, saqë nëpër çarshinë politike shëtit pa busull fare. Në 11 vjetorin e vdekjes së Rugovës, Sejdiu e ringjalli në mënyrën e tij ish-presidentin dhe pa ngurrim njerëzor e futi në debatet kosovare për demarkacion dhe bashkësi të komunave serbe, duke thënë se lideri shumëvjeçar «foli për tokën e Kosovës dhe folenë e shqipeve maje Çakorri».

Meqë shqiponjat nuk njohin kufij, ka gjasa që ato të kenë pasur fole në Kosovë dhe në Mal të Zi, në Rugovë dhe në Rozhajë, në Plavë dhe në Theth. Nga prizmi i ornitologjisë kjo duket e kuptueshme. Por ornitologu politik Fatmir Sejdiu hallin e ka tjetërkund: ai synon të bind opinionin se Rugova e shihte kufirin e Kosovës me Malin e Zi në Çakor, por tradhtari, i poshtri, edepsëzi politik Isa Mustafa e solli kufirin në Pejë. Kjo është një metodë e ulët e betejës politike. Kjo është një metodë e llahtarshme, sepse përdoret kufoma e Ibrahim Rugovës për të larë hesape politike në vitin 2017. Lëreni Rugovën të pushojë, sepse ai nuk u kishte asnjë borxh as për së gjalli, për së vdekuri jo se jo.

Të gjitha këto çirrje të ditëve të fundit në favor të ndarjes së Kosovës, e gjithë kjo fushatë e koordinuar e qelbësirave mediale që acarojnë atmosferën duke shpikur madje edhe lajme mbi përleshje të armatosura mes policisë së Serbisë dhe Kosovës, gjithë kjo zhurmë pseudonacionaliste që jehon edhe në studiot e kasapëve medialë të Tiranës e Prishtinës ka vetëm një qëllim: shkaktimin e trazirave politike si në mars të vitit 2004. Atëherë kriminelët shqiptarë ia vunë flakën Kosovës për të ardhur më shpejt në pushtet, duke sfiduar autoritetin e Rugovës. Sot ish-funksionarë të LDK-së si Daci e Sejdiu s’kanë asnjë skrupull të keqpërdorin kufomën e Rugovës për të çuar ujë në mullirin e hajdutëve politikë që nga frika se mund të akuzohen nga Gjykata Speciale duan t’ia vënë zjarrin Kosovës. Tani jemi dëshmitarë të nekrofilisë politike. Dhe kjo nuk është hera e parë.