Pse duhet të mësojmë gjermanisht

Një pjesë e fjalimit në ceremoninë e çmimeve për mësimdhënësit e gjuhës gjermane në Ambasadën Gjermane në Londër. Nga shkrimtari më i madh i romaneve të spiunazhit.

John le Carré.



Gjuhën gjermane kam filluar ta mësoj në moshën 13-vjeçare dhe ende nuk e di saktë pse ajo ishte dashuri që në tingullin e parë. Përgjigjja duhej të ishte: përsosmëria e mësuesit tim. Zoti King ishte rast i rrallë në këtë shkollë angleze publike, e cila nuk është shquar për gjerësinë e saj kulturore: njeri fisnik dhe inteligjent, i cili në mes të Luftës së Dytë Botërore edhe më tutje pa rezervë e ka dashur Gjermaninë, për të cilën ai e dinte se ajo ende ekziston atje diku.

Ai nuk i është bashkuar korit të propagandës anti-gjermane, por u përcaktua që klasën e tij të vogël, vazhdimisht dhe fuqishëm, ta frymëzojë me bukurinë e gjuhës, me letërsinë dhe kulturën e saj. Gjermania e vërtetë do të kthehet një ditë, e kishte shprehi të thoshte. Dhe, kishte të drejtë: ajo u kthye.

Për çfarë ajo ishte për mua dashuri në tingullin e parë? Atëbotë jo shumë mësues lëshonin nëpër klasat e tyre pllaka gramafoni, siç bënte zoti King. Pllakat ishin të vjetra, shumë të vlefshme për atë dhe për ne, i mbante në qese letre ngjyrë kafeje, ndërsa i vendoste në shportën e biçikletës së tij kur i sillte në shkollë.

Çfarë kishte në ato pllaka të çmuara? Zërat e aktorëve klasikë gjermanë, të cilët e lexonin poezinë romantike gjermane. Pllakat nga pak kërcisnin, por ajo ishte pjesa e bukur e tyre. Në kujtesën time, ato vazhdojnë të kërcasin deri më sot:
Du bist wie eine Blume – KVRC – So hold und schön und… – KVRC (Heinrich Heine)
Bei Nacht im Dorf der Wächter rief… – KVRC (Elfenlied e Eduard Mörike)

Sa shumë i kam dashur ato. Ndërsa kam mësuar edhe t’i imitoj ato, pastaj edhe t’i recitoj, me gjithë kërcitjet e tyre. Dhe e kam zbuluar se gjuha e tyre më përshtatet. I përshtatet aparatit tim të të folurit. Ishte e këndshme për veshin tim nordik.

Më ka pëlqyer ideja që ato këngë dhe ajo gjuhë që e kam mësuar ishin vetëm të miat, duke pasur parasysh se gjuha gjermane nuk ishte aq e popullarizuar dhe shumë pak prej shokëve të mi nga sholla e dinin vetëm ndonjë fjalë, përveç Achtung! dhe Hände hoch!, të cilat i kishin mësuar nga filmat propagandistikë.

Por, duke iu falënderuar zotin King, unë isha më i mençur. Dhe, kur m’u mërzit shkolla ime angleze, gjuha gjermane m’u bë strehim. Ndodhi kjo në vitin 1948. Nuk arrita të shkoj në Gjermani, prandaj shkova në Zvicër dhe në moshën 16-vjeçare u regjistrova në Universitetin e Bernës.

E në Zvicër, në vend të zotit King, e kisha një mësuese të mrekullueshme, zonjën Karsten, një zonjë e rreptë me flokë gri me një si bisht kali, nga veriu i Gjermanisë, e cila ashtu sikur zoti King e ngiste një biçikletë, e ulur drejt si një shigjetë, ndërsa flokët si bishti i kalit i kërcenin pas shpine.

Prandaj, nuk ishte e pazakontë që, kur më vonë shkova të shërbeja në ushtri, më dërguan në Austri. Gjithashtu nuk është e pazakontë që pas ushtrisë shkova për ta studiuar gjuhën gjermane në Oxford. Dhe, më pastaj edhe për të ligjëruar në Eton.

Gjuha gjermane mund të jetë shumë argëtuese. Me atë mund të bëni shaka, të luani dhe të zbaviteni. Mund t’i imagjinoni fjalët tuaja të mëdha – por njëkohësisht fjalët e vërteta, vetëm për argëtimin e vetvetes. Google kështu më ofroi një herë Donaudampfschiffsfahrtsgessellschaftskapitän.

Me siguri e keni dëgjuar shprehjen e Mark Twainit: «Disa fjalë gjermane janë aq të gjata sa ato e kanë perspektivën e vet». Mund të shpikni fjalë pa kuptim, si «imi-i fundit-nga-të mitë-prindër-nëpër-dritare-PlayStation i hedhur». E kur të jeni lodhur duke përmendur emra dhe shprehje të lidhura në fjali të përbëra, mund t’u ktheheni poezive pa të meta të Hölderlinit, Goethes apo Heines, të cilat do t’ju relaksojnë dhe do t’jua përkujtojnë se gjuha gjermane mund t’i arrijë lartësitë e thjeshtësisë dhe bukurisë, për ç’gjë shumë prej nesh e bëjnë gjuhë perëndish.

Edhe përkundër gjithë pretenciozietit të saj, gjuha gjermane e pëlqen fuqinë e thjeshtësisë dhe të fjalëve të ndërlikuara.

Për mua, vendimi për të mësuar një gjuhë të huaj është shprehje e miqësisë. Ajo është një dorë e shtrirë. Nuk është kjo vetëm rrugë deri te negociatat. Kjo është mënyra që të të njoh më mirë, që të të qasem, që t’i afrohem kulturës sate, zakoneve tua shoqërore dhe mënyrës sate të të menduarit. Ndërsa vendimi për ta ligjëruar një gjuhë të huaj është një shprehje e angazhimit, e bujarisë dhe e ndërmjetësimit.

Ky është premtim që do të edukoheni dhe do të aftësoheni. Por edhe të zgjoheni; të ndizet një flakë për të cilën shpresoni se nuk do të shuhet kurrë; që do t’i udhëhiqni nxënësit tuaj drejt njohurive, ideve dhe zbulimeve në të cilat ata kurrë nuk do të vinin pa përkushtimin, pa durimin dhe aftësinë tuaj.

Ta citojmë Karlin e Madh: «Ta kesh një gjuhë të dytë do të thotë ta posedosh edhe një shpirt». Ka mundur të ketë shtuar se të ligjërosh një gjuhë të dytë do të thotë ta ngulitësh edhe një tjetër shpirt.

Natyrisht, vetë puna e pajtimit të këtyre dy shpirtrave në cilindo nivel serioz kërkon gatishmëri të konsiderueshme mendore. Na detyron të jemi të saktë, të përballemi me kuptimin, të mendojmë në mënyrë racionale dhe krijuese dhe që kurrë të mos jemi të kënaqur, derisa të mos e goditim fjalën e duhur, apo – siç gjithashtu ndodh – derisa ta kuptojmë se një fjalë e tillë nuk ekziston dhe të nisemi në gjueti për fjalën apo parafjalën që do të bëjë punë.

Nuk është çudi që redaktorët e mi më të ndërgjegjshëm të romaneve të mia nuk janë ata që anglishten e kanë gjuhë amtare, por përkthyesit e mi, të cilët pa mëshirë e ekspozojnë tautologjinë time dhe gabimet faktike – çfarë te unë çdo herë ka shumë. Përkthyesi im në gjermanisht di të jetë veçanërisht irritues.

Në një periudhë të pazakontë nëpër të cilën është duke shkuar bota – vetëm le të jetë sa më e shkurtër – çuditërisht dëgjojmë deklarata kontradiktore dhe të pakuptueshme që vijnë nga ana tjetër e Atlantikut. Nëpërmjet kësaj çudie përballemi sy më sy me përdorimin dhe abuzimin e gjuhës.

Gjuha e qartë – e kulluar, racionale – paraqet kërcënimin ekzistencial për njeriun i cili lufton me të vërtetën dhe arsyen. Ky është sulm i drejtpërdrejtë mbi mjegullinë, kontradiktën dhe gënjeshtrën. Për atë, ky është zë i armikut. Për atë, këto janë lajme të rrejshme. Sepse ai e di, qoftë edhe vetëm në mënyrë intuitive, atë që ne e kemi paguar me përvojën tonë: pa një gjuhë të qartë nuk ka as standarde për të vërtetën.

Kjo është ajo që është gjuha për linguistin. Ata që e ligjërojnë gjuhën, ata që e çmojnë bukurinë dhe saktësinë e saj, janë roja të vërteta në kohë të rrezikshme.

E në qoftë se e ligjërojmë gjuhën gjermane – e kjo në Britaninë e ngufatur nga problemet – duhet ta vlerësojmë veçanërisht, aq më tepër që është si specie e rrezikuar. Sa herë që këtyre ditëve e kam dëgjuar ndonjërin nga politikanët tanë të thotë: «Që të jemi krejt i qartë», unë e kap armën.

Duke ligjëruar gjermanishten, duke zgjeruar të kuptuarit e kulturës dhe të jetës gjermane, fituesit e sotëm të shpërblimeve dhe kolegët e tyre do të ndihmojnë për ta balancuar debatin europian, për ta bërë atë më të dinjitetshëm, për të mbetur më i civilizuar.

Ata do t’u adresohen kryesisht atyre që janë më e mira e madhe e këtij vendi: rinisë së shkolluar, që, krahas Brexit ose pavarësisht nga ai – e sheh Europën si shtëpinë e vet natyrore, Gjermaninë si partnerin e vet natyror dhe gjuhën e përbashkët si diçka që i lidh natyrshëm.

Pas studimeve në Zvicër dhe mbarimit të shërbimit ushtarak, John Le Carré (David Cornwell) u emërua sekretar i dytë i Ambasadës Britanike në Bonn, e më pastaj konsull britanik në Hamburg. Ky tekst është pjesë e një fjalimi që Carré ua mbajti mësimdhënësve të gjuhës gjermane në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Ambasadën Gjermane në Londër, më 12 qershor të këtij viti.