Pse dështoi puçi turk?

Ku u gabua? A kishte puçi përkrahje të gjerë të ushtrisë? Kush ishin puçistët? Athua ishte planfikuar gjithçka në Amerikë, apo cili ishte roli i krerëve të «shtetit paralel»? BBC-ja shpjegon në analizën e saj përpjekjen e dështuar për grushtet në Turqi

Pamje nga trazirat e fundit në Turqi. deepspace / Shutterstock.com

Për disa orë me radhë në natën e së premtes u duk se qindra ushtarë turq kishin marrë kontrollin e zonave kryesore në qytetet Ankara e Stamboll.

Pak shenja po tregonte presidenti Recep Erdogan derisa puçistët po merrnin kontrollin e ndërtesave qeveritare dhe të mediumeve. Puçistët duhej të siguronin përkrahjen e publikut e sidomos të pjesës më të madhe të ushtrisë.

Kryeministri Binali Yildirim dukej se po i printe rezistencës kundër grushtetit, por qysh e dinë shumica e turqve, është presidenti Erdogan ai që e thotë fjalën e fundit dhe merr për vendimet e mëdha.

Nëse puçi do të kishte sukses, konspiracionistët duhej ta mbanin larg vëmendjes dhe ata nuk ia dolën mbanë në këtë pikë. «Unë jam komandanti suprem», tha më vonë presidenti.

Ku u gabua?

Për disa orë me radhë nuk ishte e qartë ku ishte presidenti Erdogan. Kishte raporte mediatike që pretendonin se ishte në pushime në rezortin e Egjeut, Marmara, në pjesën e thellë jugperëndimore të vendit.

Dhe hesapet ndryshuan kur presidenti fluturoi drejt aeroportit «Ataturk» në Stamboll dhe mbajti një konferencë të jashtëzakonshme.

Me të aterruar në Stamboll ishte e qartë se Qeveria po rimerrte kontrollin dhe se kishte mbështetjen e figurave qendrore të ushtrisë.

Ankaraja, ku ndodhet pallati presidencial e selia qeveritare, ende nuk ishte siguruar, por në Stamboll Erdogan po i adreohej drejtpërdrejt Turqisë.

Ky ishte «një akt i tradhtisë dhe kryengritjes», u tha Erdogani reporterëve. Ilnur Cevik, këshilltar i lartë presidencial, i ka deklaruar BBC-së menjëherë pas adresimit të presidentit se puçi u mposht, por dështoi për shkak kundërshtimit të popullit turk.

«Është shumë e qartë se ishte përpjekje për grushtet, por menjëherë gjendja është në favor të Qeverisë, dhe Erdogani i kërkoi popullit të vërshonte rrugët në Ankara dhe në Stamboll, dhe kështu u veprua».

Ishte populli turk që riktheu kontrollin e aeroportit të Ankarasë prej duarve të ushtrisë, dhe po populli rimori kontrollin e radiotelevizionit shtetëror, ka shtuar ai.

Kontrollimi i mesazhit

Në fakt, ushtarët që morën kontrollin e studiove në TRT kishin neutralizuar një përpjekje civile për largimin e ushtrisë, dhe krerët e puçit vazhduan të emetonin mesazhin e tyre.

Një «këshill i paqes» mori pushtetin dhe u dha urdhri për orë policore, njoftohej në mesazhin publik.

Një tjetër emetues, CNN turk, gjithashtu ndali transmetimin kur ushtarët hyjnë në dhomën e kontrollit të emetimit. Edhe mediat sociale kishin telashe gjatë kohës së puçit.

Por puçistët nuk ia dolën të mbanin gjatë nën kontroll rrjetet sociale, e edhe para se të mbërrinte në aerportin e Ankarasë, presidenti Erdogan kontaktoi CNN-in turk dhe u shfaq me videolidhje, duke u bërë thirrje turqve të dilnin në rrugë.

Presidenti mund edhe të ketë pasur fat. Ai tha se hoteli ku po qëndronte ishte bombarduar pas largimi të tij dhe se ishte marrë peng sekretari i tij i përgjithshëm.

A kishte puçi përkrahje të gjerë të ushtrisë?

Që puçi të kryhej me sukses duhej mbështetje e gjerë e forcave të armatosura. Puçistët angazhuan një numër të madh ushtarësh që i vendosën në disa qytete.

Tanket u nxorën në rrugë dhe ura, në Bosfor në Stamboll. Por shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Hulusi Akar, nuk ishte pjesë e puçit, e as kreu i ushtrisë në Stamboll, që mori komandën gjatë kohës sa po mbahej prej pengmarrësve gjenerali Akar.

Komandanti i flotës dhe ai i forcave speciale gjithashtu u shprehën kundër kryengritjes, dhe një bombardues F-16 sulmoi disa prej tankeve të kryengritësve.

«Kjo përpjekje për grusht shteti dështoi ende pa nisur», deklaroi Fadi Hakura nga «Chatham House» në Londër. Ai ka thënë se përpjekja ishte amatore dhe nuk ia kishte dalë të fitonte zemrat e shumicës së ushtrisë.

Por puçistët nuk e kishin as mbështetjen politike e popullore. Partia opozitare shekullare, CHP, deklaroi se Turqia është lodhur me puçe ushtarake dhe nuk donte që të përsëriteshin këto vështirësi. MHP-ja nacionaliste gjithashtu shprehu mbështetje për qeverinë.

Kush ishin puçistët?

Puçistët janë fraksion brenda ushtrisë, dhe figurat ushtarake thonë se janë pjesëtarë të një grupi të vogël brenda Ushtrisë së Parë, që ka selinë në Stamboll.

«Ata nuk përfaqësonin shumicën e ushtrisë», ka shtuar Fadi Hakura, që beson se dështimi është dëshmi e fortë se puçet ushtarake më nuk gëzojnë përkrahjen popullore si dikur në Turqi.

Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar kaherë se është kundër puçeve të mundshme dhe në vitet e fundit qeveria e tij ka marrë masa të ashpra kundër figurave të njohura në ushtri e polici që dyshohet se ishin kundër partisë pushtetare me rrënjë islamike, AK.

Athua ishte planfikuar gjithçka në Amerikë?

Presidenti Erdogan e ka akuzuar për vite me radhë aleatin e dikurshëm, Fethullah Gulen, për puç kundër tij. Ata i kanë prishur raportet dhe zoti Gulen është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara. Dhe nuk ka kaluar kohë e gjatë para se presidenti ta akuzonte për «shtet paralel», referencë e dukshme për rivalin e tij të madh.

Lëvizja e Gulenit i ka hedhur poshtë akuzat se kishte gisht në përpjekjen për puç. Një grup pro Gulenit ka deklaruar se përpjekja për grushtet ishte «e çuditshme dhe interesante», por ka kundërshtuar çdo sulm kundër demokracisë, duke iu frikësuar se mund të ketë sulme të reja kundër lëvizjes. Megjithatë, qeveria menjëherë ka shkarkuar pesë gjeneralë dhe 29 kolonelë, për të cilën ka vlerësuar se ishin të lidhur me «shtetin paralel», ka raportuar agjencia turke e lajmeve, Anadolu.

(«BBC»)