Prozatori që trajton ngjarje me tematikë dramatike

Shkrimtari Muharrem Blakaj nga Istogu, me të migruar në Zvicër boton romanet: «Misioni sekret», «Thesaret e humbura», «Atentat brenda germës L», «Paraardhësit», si dhe librin monografik «Rrugëtimi Fatal».




Në mesin e krijuesve shqiptarë në Zvicër, që po lenë gjurmë në këtë letërsi, është edhe shkrimtari Muharrem Blakaj. Ai është me prejardhje nga Vrella e Istogut. Në Zvicër ka migruar për shkaqe politike. Dhe, pikërisht këtu e ka intensifikuar veprimtarinë e tij krijuese, veçmas në prozë. Brenda pak vitesh ai ka nxjerrë në dritë katër romane mjaft voluminoze: «Misioni sekret», «Thesaret e humbura», «Atentat brenda germës L» dhe «Paraardhësit». Së voni edhe librin monografik «Rrugëtimi Fatal».

Burgosja dhe koksifikimi dorëshkrimeve

Romansieri Blakaj tregon se derisa ishte në Kosovë pati shumë peripeci nga regjimi serb. Atë nuk i pengonte vetëm veprimtaria e tij politike, por edhe krijimtaria artistike. Gjatë bastisjeve në shtëpi ia konfiskojnë të gjitha dorëshkrimet, të cilat nuk iu kthyen asnjëherë. Kështu e shpjegon Blakaj dashurinë e tij për letërsi e artin letrar: «Letërsinë e kam pasur në qejf që në fëmijëri. Në shkollë të mesme policia më pati marrë në pyetje disa herë për shkak të hartimeve të mia me përmbajtje paksa kryeneçe. Kam shkruar shumë në atë kohë. Kur në vitin 1979 më burgosën, m’i morën të gjitha shkrimet që kisha. Unë kam vazhduar të shkruaj. Kur më burgosën sërish më 1996, m’i morën sërish të gjitha shënimet. Kësaj here në mesin e teksteve të konfiskuara ishin edhe dy novela të mira, ‹Besa› dhe ‹Balta me gjak›, që i pata shkruar në atë kohë. Duke qenë se tekstet e mia letrare kishin përmbajtje ‹subversive›, siç vlerësonin në atë kohë. Në fakt ato kishin subjekt patriotik, ndaj edhe nuk kam mundur t’i botoj në atë kohë.»

Hapja e dyerve në Zvicër

Me ardhjen e tij në Zvicër, Blakaj gjeti fushëveprim të përshtatshëm: «Deri me ardhjen në Zvicër nuk kam pasur rast të botoj ndonjë gjë. Këtu, në fakt, gjeta dyert e hapura për veprimtari të lirë. Vendimi për të lëshuar Kosovën dhe për të ardhur në Zvicër ka qenë shumë dëshpërues për mua. Pas një kohe të kaluar në burgje dhe pasi ma mbytën vëllanë, Xhemalin në burg politik, edhe unë u detyrova të ik dhe të marr familjen. Brenda dy viteve, në familjen tonë mbetën vetëm dy pleqtë», shpjegon historinë e dhembshme të familjes së tij Blakaj, i cili në veprat e tij përshkruan fatin e dhembshëm e tragjik të shumë familjeve shqiptare.

Nga «Misioni sekret» deri te «Rrugëtimi Fatal»

As rrethanat në Zvicër nuk i ofronin mjaft «brum» për thurjen e prozës se tij që kapte disa tema nga realiteti i hidhur shqiptar, për këtë shkak i duhej hulumtuar e gjurmuar shumë. Për të parë dritën e botimit, sidomos romanet «Misioni sekret», «Thesaret e humbura», «Atentat brenda germës L» lypsej një qasje përplot gjurmime, qoftë duke hulumtuar dokumente, apo duke komunikuar me njohës të disa ngjarje dramatike të që shtjelloheshin, e që ishin të veshura me një velo sekreti. Sepse, veprat e tij sikur të çojnë edhe labirinteve më të errëta të regjimeve sadiste jugosllave dhe aparateve të saj të dhunës. Tematikë e letrave të tij janë kurthet dhe atentatet e kurdisura kundër patriotëve të shquar shqiptarë, përfshi edhe ata në mërgatë, si Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka («Atentat brenda germës L»). Apo edhe përpjekjeve që ndërmerrte shërbimi sekret serb për ta mposhtur rezistencën e popullit shqiptar të Kosovës. Po ky regjim shtrinte rrjetin e tij edhe jashtë vendit, duke përgatitur e kamufluar bashkëpunëtorë për t’i dhënë një goditje sa më të madhe mërgatës politike shqiptare në shtetet perëndimore («Misioni sekret»).

Subjektet me përmbajtje policore

Në pyetjen se çka e ka shtyrë Blakajn që romanet e tij të kenë një përmbajtje kriminalistike e policore, ndonëse ato nuk janë tipike policore, ai përgjigjet: «Është fakt se në letërsinë shqiptare ka mungesë të kësaj proze, por edhe qëndrimi në burgje dhe mënyra e zbulimit që shërbimi sekret ish jugosllav i bënte veprimtarisë sonë, më ka lënë përshtypje të thella. Mund të them se ky shërbim ka qenë mjaft i fuqishëm, sidomos kundrejt veprimtarëve politikë shqiptarë. Nga ana tjetër ne shqiptarët nuk kishim njerëz që do të punonin në veprimtarinë kundër-zbuluese. Kjo më ka motivuar në një mënyrë t’i përkushtohem kësaj proze», thekson Blakaj dhe vazhdon: «Kam lexuar edhe prozë policore të përkthyer, ashtu si edhe vepra të tjera kushtuar veprimtarisë së spiunazhit në nivel botëror dhe shqiptar. Një nga veprat e pakta të letërsisë shqipe me këtë subjekt është romani i Nasho Jorgaqit «Mërgata e qyqeve». Por rastet e rënda të dëmeve që ka shkaktuar në lëvizjen shqiptare shërbimi i zbulimit serb më kanë motivuar më shumë. Këtu hyn gjithsesi edhe rasti i vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Për këtë tragjedi të rëndë edhe sot e gjithë ditën kemi thashetheme të ndryshme, të gjitha të nxitura nga shërbimi sekret jugosllav. Në të katër romanet kam marrë subjekte që kanë në ndonjë mënyrë përmbajtje policore ose kriminalistike, por që nuk janë romane tipike, klasike policore. Ndërkaq segmenti kriminalistik vetëm përvijohet në veprat e mia, si rezultat i njohjes dhe preokupimit tim me këtë segment.»

Vahabizmi që rrezikon traditën

Nga autori mësojmë se ai edhe në librin «Paraardhësit», si temë trajtimi ka një rrymë fetare që po përhapet edhe në trojet shqiptare, porse që edhe aty ka një personazh serb, i cili punon nga prapavija për të vënë shqiptarët në lidhje me ekstremizmin islamik, duke i njollosur ata, pa dijen e tyre. Sa i përket tematikës së romanit autori nënvizon: «Është fjala për vahabizmin, që, siç kemi parë kohëve të fundit po rrezikon traditën tolerante të besimit te ne. Mesazhi i romanit: edhe pse populli shqiptar me shumicë ka përqafuar fenë islame, nuk ka ndryshuar identitetin e tij kombëtar. Ai ka përvetësuar vetëm fenë, por nuk ka përvetësuar mentalitetin arab ose tjetër, por e ka ruajtur thelbin etnik të vetin në çdo aspekt. Madje ne si shqiptarë nuk kemi zbatuar asnjëherë as të drejtën islame, ndërkohë që edhe sot e gjithë ditën shohim zbatimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, që vjen nga periudha paraislame».

Pas botimit të katër romaneve, Muharrem Blakaj botoi edhe një libër monografik, ku përshkruan përmasat e sakrificës e të flijimit të popull shqiptar, për çlirimin e vendin të tij. Libri me emërtimin «Rrugëtimi Fatal» përshkruan peripecitë deri në ekzekutim të vëllait të tij, Xhemail Blakaj, i cili vdes në burg pas torturave çnjerëzore. Blakaj, spikat edhe me shkrime më të shkurta në prozë.