Protokolli i një nate të gjatë: si u përgatit dhe pse dështoi puçi në Turqi?

Para gati një viti dështoi puçi kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Deri më sot është e paqartë nën regjinë e kujt ndodhi puçi. Revista gjermane DER SPIEGEL ka analizuar shumë dokumente për të rikonstruktuar rrjedhën e ngjarjeve që kanë të bëjnë me 15 korrikun.

Sheshi Taksim, Stamboll, korrik 2016: Protestë kundër puçistëve. Foto: Shutterstock



Autobusët ndalen gjysmë kilometri para gjykatës: të burgosurit duhet të zbresin. Pjesën e fundit të rrugës duhet ta kalojnë në këmbë. Dy roje e fusin të burgosurin në mes, e shtyjnë, pranë tyre marshojnë ushtarë me uniforma të luftës, me pushkë automatike të gatshme për të shtënë. Pas gardhit shtyhen demonstruesit, bërtasin «tradhtarë!», «vrasës!». Hap pas hapi britma e turmës rritet.

Atë ditë, më 22 maj 2017, shteti turk akuzoi në Ankara 221 burra: ata dyshohet se më 15 korrik 2016 i kanë prirë puçit kundër presidentit Recep Tayyip Erdoğan. 12 prej tyre janë në arrati apo në ekzil – mes tyre i dyshuari kryesor, predikuesi islamik Fethullah Gülen.

Në hyrje të gjykatës presin gazetarët. Njëri pas tjetrit të akuzuarit përmes shkallëve dërgohen më lart, në një distancë të caktuar, në mënyrë që kamerat t’i regjistrojnë fytyrat e tyre nga afërsia. Tiparet e tyre janë të shtangura, shikimi kryesisht në tokë. Shteti i prezanton ata si plaçkë.

Deri më sot është e diskutueshme se çfarë ka ndodhur më 15 korrik 2016 në Turqi. Sipas presidentit Erdoğan predikuesi Gülen dha urdhër për puç nga ekzili i tij në SHBA: mbështetësit e tij në ushtri, sidomos ata në forcat ajrore, pastaj tentuan të marrin pushtetin në vend. Puçi, sipas tij, dështoi për shkak të rezistencës së qytetarëve, të cilët dolën në rrugë kundër ushtarëve.

Në anën tjetër Fethullah Gülen thotë se përpjekja për puç ishte një inskenim i Erdoğanit, i cili kështu synonte të zgjeronte pushtetin. Edhe partnerët e Turqisë në Perëndim deri më sot nuk mund të thonë saktë se cili version është i vërtetë.

Presidenti Erdoğan e mori si shkas sulmin kundër qeverisë së tij për një fushatë kundër të gjitha forcave shoqërore, të cilat nuk e mbështesin atë. Që nga korriku i kaluar nga administrata publike janë suspenduar gati 140 mijë zyrtarë, rreth 50 mijë njerëz janë arrestuar.

Në përvjetorin e parë të puçit DER SPIEGEL rikonstrukton orët dramatike, gjatë të cilave humbën jetën gati 300 njerëz dhe kësisoj demokracia filloi të marrë fund tani për tani në Turqi.

Dokumentet të cilat i ka DER SPIEGEL në dispozicion, aktakuzat dhe raportet hetimore duhet të vlerësohen me kujdes: dëshmitarët janë kundërthënës, drejtësia është e kontrolluar nga Erdoğani, thuhet se të akuzuarit e kanë pranuar fajin pjesërisht për shkak të torturave të policisë turke. Por, në përgjithësi dokumentet e prokurorisë, raportet e ushtrisë dhe të komisionit parlamentar, deklaratat e dëshmitarëve nga hetimet policore si dhe intervistat me më shumë se 20 pjesëmarrës në ngjarje – oficerë, politikanë, zyrtarë – ofrojnë një pamje të afërt të asaj çfarë ka ngjarë.

E shtunë, 9 korrik 2016
Ankara

Teologu Adil Öksüz e tubon në një vilë një grup burrash: dy gjeneralë të armatës turke, një admiral, civilë. Öksüz, 49-vjeçar, një burrë i ngjeshur me mustaqe, gjatë karrierës së tij si akademik në Anadollin perëndimor nuk ka publikuar asgjë përveç punimit të doktoratës. Megjithatë, ndikimi i tij është i madh. Öksüz konsiderohet njeri i besueshëm i predikuesit turk në ekzil Fethullah Gülen; në fotografi ata dy shihen duke u lutur së bashku dhe në vilën e Gülenit në Pennsylvania, SHBA.

Gülen ka krijuar një perandori me shkolla, universitete dhe shtëpi mediale në më shumë se 160 vende. Përkrahësit e tij mbajnë pozita kyçe në shtetin turk. Për çdo institucion Güleni ka caktuar një prijës, një të ashtuquajtur imam. Adil Öksüz, sipas kuadrove të Gülenit, është «imami i armatës» dhe përgjegjës për të ruajtur ndikimin e lëvizjes Gülen në forcat e armatosura. Thuhet se shumë ushtarë u binden urdhrave të tij më shumë se urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Një kohë të gjatë Er­doğani dhe Gü­leni kanë kontrolluar së bashku Turqinë – më së voni deri në vitin 2013, kur u ngatërruan rreth çështjeve të pushtetit. Që nga atëherë Er­doğan i ndjek përkrahësit e predikuesit si terroristë; nga ana tjetër lëvizja Gülen dëshiron ta heq afe presidentin.

Adil Öksüz e hap takimin sekret në Ankara me një lutje. Sipas deklaratave të dëshmitarëve para prokurorisë ky grup pastaj shqyrton detajet e fundit të planit, të cilin e ka përpiluar Öksüz: një ekip i përbërë nga ushtarët elitarë do ta arrestonte presidentin Er­doğan dhe do ta çonte në një anije në Mesdhe. Shefit të armatës Hulusi Akar do t’i mbushej mendja t’i prijë puçit. Disa pjesëmarrës në këtë bashkëbisedim dyshojnë në suksesin e planit. «Mos lejoni që shejtani të na josh me mendime negative», tërheq vërejtjen planifikuesi i puçit Öksüz, sipas aktakuzës.

E hënë, 11 korrik 2016
Aeroporti Atatürk, Stamboll, 6:45

Adil Öksüz udhëton në biznisklasë në New York me fluturimin 003 të Turkish Airlines. Bashkë me të në avion është edhe Kemal Batmaz, një ish-menaxher i firmës së Gülenit Kaynak. Prokuroria supozon se Öksüz dhe Batmaz fluturuan në SHBA për të marrë pëlqimin final për puç nga predikuesi Gülen. Por, për këtë prokuroria nuk ka dëshmi. E sigurt është se Öksüz dhe Batmaz u kthyen në Turqi dy ditë më vonë me të njëjtin avion. Kamerat e sigurisë i kanë regjistruar të dy pas mbërritjes në Aeroportin Atatürk.

E premte, 15 korrik 2016
Aeroporti ushtarak Güvercinlik, Ankara, paradite

Piloti Osman Karaca kthehet më herët nga pushimet në Detin Egje. Një major kishte shkuar atje për ta marrë me veturë. Kështu Karaca do t’u thotë më vonë hetuesve. Majori e lut atë ta ndalë telefonin. «E di që ti i takon lëvizjes Gülen», i thotë ai Karacas. «Sonte gjatë natës do të jemi aktiv. Unë do ta marrë me helikopter Hakan Fidanin (shefin e shërbimit sekret). Shumë gjak do të rrjedhë».

Piloti Karaca, sipas pohimeve të tij, dikur ka qenë mbështetës i Gülenit. Ai ka jetuar në një konvikt të Gülenit dhe si ushtar çdo dy javë është takuar me funksionarë të lëvizjes Gülen. Por, ai ishte distancuar nga lëvizja, ndërsa tani filluan t’i lindnin dyshime. Ai largohet fshehurazi nga kazerma dhe shkon me taksi në selinë e shërbimit sekret turk MIT.

Selia e shërbimit sekret, Ankara 14:20

Katër zyrtarë e marrin në pyetje pilotin. Ata e pyesin se çka priste. Ai përgjigjet: «Do të ketë një aksion të madh, ndoshta puç».

Më së voni në këtë çast MIT është i njoftuar mbi një grusht të mundshëm shteti. Shefi i shërbimit sekret Hakan Fidan konsiderohet njeri i besueshëm i Erdoğanit. Por, në këtë çast fatal ai fillimisht e njofton vetëm zëvendësshefin e armatës.

Sipas deklaratave të tij shefi i shërbimit sekret tek disa orë më vonë, në orën 22, do të telefonojë për herë të parë me Er­doğanin. Athua ai nuk i beson burimit të tij? Ose e hesht të vërtetën për ta mbrojtur presidentin? Deri më sot Fidan nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje.

Baza e forcave ajrore, Akın­cı, An­ka­ra, herët pasdite

Komandanti Hakan Evrim u thotë një pjese të ushtarëve të mbarojnë shërbimin më herët se zakonisht. Këtu mbesin ata që më vonë do të marrin pjesë në komplotin kundër Er­doğanit. Me ndihmën e mesazheve të koduara tekstuale puçistët thërrasin komplotistë të tjerë. Vetëm kush e di kodin «Paqe në vend», lejohet të hyjë te porta. Gjatë ditës të gjithë prijësit e dyshuar për përpjekje për puç arrijnë në Akın­cı:

► Gjenerali me katër yje Akın­ Öztürk, ish-komandant i forcave ajrore. Sipas prokurorisë ai do t’u jep më vonë urdhër kryengritësve për të nisur aksionin.

► Gjeneralmajori Mehmet Diş­li, vëllai i nënkryetarit të AKP-së Şaban Diş­li (AKP është partia e presidentit Erdoğan).

► Kolonel-lejtënanti Muzzafer Dünezli. Përmes telefonit ai do të drejtojë aksionin në Stamboll.

Bashkë me 35 oficerë të tjerë këta të tre përbëjnë këshillin e «Paqe në vend». Emri është aludim në një parullë të themeluesit të shtetit turk Atatürk «Paqe në vend, paqe në botë». Civilët e kanë të ndaluar të hyjnë në objekte ushtarake në Turqi. Megjithatë, planifikuesi i puçit dhe njeriu i besueshëm i Gülenit, Öksüz, më 15 korrik qëndron në bazën ushtarake Akın­cı. Më vonë ai do të thotë se kishte shikuar toka për të blerë afër bazës ushtarake. Kamerat e sigurisë po ashtu dokumentojnë se si Kemal Batmaz, pra ai menaxheri i Gülenit, i cili dy ditë më herët ishte kthyer nga SHBA-të bashkë me Öksüzin, natën e puçit ecën nëpër kazermë dhe konsultohet me ushtarët.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, Ankara, ora 18:00

Afër katër orë pas vizitës së informatorit në MIT, shefi i shërbimit sekret Hakan Fidan shkon te shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Hulusi Akar. Ai ia tërheq vëmendjen se ushtarët po planifikojnë një sulm. Sipas deklaratave të anëtarëve të komisionit parlamentar për hetimin e puçit Akar u tregua habitshëm moskokëçarës. Ai vetëm dha urdhër për ndalimin e fluturimeve ushtarake.

Për vëzhguesit edhe sot mbetet enigmë sjellja pasive e shefit të Shtabit të Përgjithshëm: a e nënçmoi situatën? A mos deshi t’i lë komplotistët të bien në kurth? Apo gjenerali kishte motive të tjera?

Puçistët në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë marrin vesh për takimin mes Fidanit dhe Akarit. Sipas aktakuzës ata alarmojnë qendrën e tyre në Akın­cı. Nga atje ushtarët marrin urdhrin të godasin gjashtë orë më herët se ç’ishte planifikuar. Kërkesa do të rezultojë si gabim fatal, sepse do të ndikojë që Erdoğani të arrijë të mobilizojë popullin kundër kryengritësve. Në orët e hershme të mëngjesit kjo vështirë do të ishte e mundshme.

Hotel Grand Yazici Club Turban, Marmaris, rreth orës 20:00

Presidenti Erdoğan është duke bërë pushim në bregdetin e Egjeut bashkë me gruan e tij Eminen, vajzat Esra, burrin e saj, ministrin e Energjetikës Berat Albayrak, dhe me tre nipa e mbesa. Më vonë në një intervistë ai Erdoğan do të thotë se dhëndri i tij e kishte informuar përmes telefonit mbi «problemet me ushtarë» në Stamboll. Erdoğan, sipas të dhënave të tij, ishte përpjekur t’i telefonojë shefit të shërbimit sekret Fidan, por gjoja pa sukses.

Presidenti turk e qeveris vendin e tij si despot. Por, për përpjekjen për puç të ketë mësuar tek në mbrëmje nga dhëndri i tij? Versioni i Erdoğanit ngjall dyshimin se ai ka ditur më herët për grushtin e shtetit, por e kishte lejuar të ndodhte për të përfituar politikisht.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, Ankara, ora 20:30

Shefi i shërbimit sekret Fidan dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë i japin fund takimit. Menjëherë pasi Fidan braktisi selinë e Shtabit të Ushtrisë, në poligon shfaqet gjeneralmajori Mehmet Diş­li. 55-vjeçari Diş­li drejton sektorin e strategjisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Më vonë dëshmitarët do ta përshkruajnë atë në prokurori si besnik të Gülenit.

Rreth orës 21:00 Diş­li troket në derën e zyrës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm Akar për t’ia mbushur mendjen t’i prijë puçit. Akar do t’ua jap këtë shpjegim hetuesve dhe këtë do ta konfirmojnë edhe oficerët, të cilët ishin në zyrë gjatë bisedës. Vetë Diş­li thotë se nuk është puçist, por se ishte detyruar nga kryengritësit të flasë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm.

Shefi i Shtabit refuzon t’i bashkohet komplotit. «Kush jeni ju? A jeni të çmendur?», bërtet ai. Puçistë të tjerë afrohen, ia vënë prangat Akarit dhe e dërgojnë me helikopter në bazën Akın­cı, në qendrën e puçit. Sipas deklaratës së mëvonshme të Akarit atje komandanti Evrim i ofron kontakt me Gülenin.

Aeroporti ushtarak Güvercinlik, Ankara, 21:30

Karaca, njeriu që informoi shërbimin sekret për puçin që do të ndodhte, është kthyer në kazermë. Një major e kap për krahu. Ai thotë: «Duhet të fluturojmë, menjëherë!» Ai dëshiron të shkojë te selia e puçistëve në Akın­cı. Ushtarët grumbullohen në kazermë. Mbi një tavolinë gjenden jelekë antiplumb, aparate për observim gjatë natës, pushkë automatike, municion. Karaca shfrytëzon kaosin për të ikur nga kazerma pa rënë në sy. Ai i telefonon një person me të cilin mban kontakt në shërbimin sekret dhe e informon atë mbi fluturimin e planifikuar drejt bazës Akın­cı.

Ura e Bosforit, Stamboll, rreth orës 22:00

Shefi i portalit të lajmeve «Haberdar», Volkan Koç, është duke shkuar në shtëpi pas një kremteje, kur sheh se si ushtarët po e bllokojnë qasjen në urën e Bosforit. Kur i pyet mbi arsyen e aksionit, ai merr një përgjigje të shkurtër: «Këtu mbretëron menjëherë gjendja e jashtëzakonshme». Gazetari 30-vjeçar përherë kishte shpresuar të plasojë një lajm vërtet të madh. Përmes telefonit ai i dikton redaksisë së tij: «Ushtria shpall gjendjen e jashtëzakonshme». Koç është gazetari i parë që raporton mbi përpjekjen për puç.

Politikanë të AKP-së i telefonojnë gjeneralmajorit Dişli. Duan të dinë se ku gjendet. Majori i refuzon. Ai nuk lajmërohet as te vëllai i tij, nënkryetari i AKP-së, Şaban Dişli. Më vonë ai do të thotë se nuk e ka pasur numrin e tij.

Aeroporti Esenboğa, Ankara, rreth orës 22:00

Punëtorët për rregullimin e trafikut ajror marrin një lajm. Kolegët e tyre nga baza e forcave ajrore Akın­cı i njoftojnë se dy avioni luftarakë F-16, «Luani 1» dhe «Luani 2», janë nisur për të bërë një fluturim mbi Ankara në lartësi prej 21 mijë këmbë. Piloti i «Luanit 1» thotë se bëhet fjalë për një «aksion të veçantë».

Pak më vonë avionët fluturojnë në lartësi të ulët mbi kryeqytet. Punëtorët për rregullimin e trafikut ajror në Esenboğa kërkojnë shpjegim. Kolegët në Akın­cı përgjigjen se pilotët e F-16 kishin fikur radiolidhjen dhe se kontakti me ta s’mund të vendosej më. Po ashtu, thanë ata, sapo ishin nisur edhe dy avionë.

Ura e Bosforit, Stamboll, ora 22:20

Gjenerali Ümit Dündar, komandant i Armatës së Parë, përpiqet pa sukses t’i marrë në telefon shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësin e tij. Pastaj ai shkon te ura e Bosforit, por prapë kthehet kur sheh se hyrja në urë është e bllokuar nga ushtarët. Kështu do të thotë ai më vonë.

Puçistët e detektojnë Dündarin si kundërshtarin e tyre kryesor. Përmes një grupi të krijuar prej tyre në WhatsApp ata bëjnë thirrje për ta ndjekur atë. «Arrestojeni komandantin, pa marrë parasysh me çfarë çmimi», shkruan një kolonel.

Aeroporti Atatürk, Stamboll, ora 22:45

Shefi i opozitës Kemal Kılıçdaroğlu sapo ka aterruar në Stamboll, kur një zëdhënës i tij e njofton për grushtin e shtetit. Ai i drejtohet nënkryetarit të AKP-së, i cili është ulur pranë tij në rendin e parë të avionit të Turkish Airlines dhe i thotë një fjali, e cila do ta karakterizojë rrjedhën e mbrëmjes: «Ne jemi kundër puçit». Kılıçdaroğlu dhe kolegu i ti nga AKP përcillen nga truprojat nga pista në zonën VIP. Ata ia dalin që t’iu shmangen puçistëve dhe të arrijnë në qytet. Në televizion Kılıçdaroğlu po atë natë do të kritikojë ushtarakët që i kishin dhënë vetes autorizim për të marrë pushtetin.

Selia qendrore e policisë speciale, kazerma Bayrampaşa, Stamboll, ora 22:50

Qeveria dëshiron të intervenojë me policë specialë. Por, kryengritësit bllokojnë daljen me një tank. Përmes grupit të WhatsApp-it kolonel-lejtënanti Düzenli, i cili koordinon operacionin në Stamboll, shkruan: «Policët nuk guxojnë assesi të dalin nga kazerma Bayrampaşa. Ndërmerrni masat e duhura».

Rajoni i Detit të Zi, rreth orës 23:00

Kryeministri Binali Yıldırım është nisur nga Stambolli me veturë për të shkuar në Ankara. Por, rrugët pjesërisht kontrollohen nga puçistët. «Nuk mund të vazhdojmë rrugën», tërheqin vërejtjen rojet e Yıldırımit. Për një çast kryeministri nuk e di nga t’ia mbajë. Ai ka frikë. Nuk mund të përjashtohet mundësia që puçistët ta sulmojnë nga ajri. Në kërkim të mbrojtjes kryeministri me ekipin e tij fshihet në një kantier të errët tuneli në Detin e Zi. Me orë të tëra. Në një intervistë përmes telefonit me televizionin NTV ai konfirmon se pjesë të ushtrisë janë duke bërë puç kundër qeverisë.

E shtunë, 16 korrik 2016
Selia e kryeministrit, Ankara, pak pas mesnatës

Nëntë ministra tubohen për të mbajtur një mbledhje urgjente. «Duhet të jemi gati për të vdekur», thotë njëri prej pjesëmarrësve sipas raporteve të mediave turke. Në televizionin shtetëror TRT një moderatore detyrohet të lexojë një deklaratë të puçistëve: «Demokracia e bazuar në ndarje të pushtetit është mënjanuar. Në këto kushte ne s’mund t’i kryejmë më obligimet tona. Kemi marrë kontrollin me moton: paqe në vend, paqe në botë».

Stamboll, në të njëjtën kohë

Puçistët kanë marrë nën kontroll aeroportin Atatürk, bursën, televizionin shtetëror. Ata rrethojnë selinë e partisë qeverisëse AKP. Duket sikur edhe pak dhe po ia arrijnë qëllimit. «Kush kundërshton, ndaj tij do të jemi të ashpër», kërkon udhëheqësi i puçit Düzenli në WhatsApp. «Ky është një urdhër».

Hoteli Grand Yazici Club Turban, Marmaris, ora 00:24

Thuhet se presidenti ka vdekur apo gjendet në arrati, kur Erdoğan papritmas shfaqet në televizionin CNN Türk. Ai është kyçur me aplikacionin Facetime nga vendi i pushimeve të tij. Pamjet e presidentit nuk janë të qarta dhe dridhen, por Erdoğan dallohet mirë. Ai i bën thirrje popullit për rezistencë kundër ushtarakëve: «Dilni në rrugë dhe sheshe dhe jepni atyre një përgjigje».

Shefi i shtetit luan me të gjitha kartat, me apelin e tij ai rrezikon vdekjen e mijëra njerëzve. Erdoğan tani dëshiron të kthehet në Ankara, por pas një bisede me Ümit Dündar, komandantin e Armatës së Parë, ai ndërron planin. «Zoti Presidenti, unë jam lojal ndaj jush», thotë Dündar në telefon. «Ejani në Stamboll. Unë do të garantoj për sigurinë tuaj». Një helikopter i dërgon Erdoğanin dhe familjen e tij në aeroportin më të afërt në Dalaman. Piloti fluturon ulët për t’iu shmangur radarit dhe pa dritë.

Stamboll, ora 00:52

Gjenerali Dündar i mobilizon trupat e tij kundër puçistëve. Ai i jep intervistë televizionit «A Haber»: «Kjo përpjekje për puç është vepër e një grupi të vogël ushtarësh. Ai nuk përkrahet nga ushtria turke». Deklarata e Dündarit shënon një kthesë. Për herë të parë bëhet e qartë se pjesë të mëdha të ushtrisë do të pozicionohen kundër puçistëve.

Aeroporti Dalaman, rreth orës 01:30

Erdoğani dhe familja e tij hyjnë në avionin e presidentit, një Gulfstream IV, dhe nisen për në Stamboll. Piloti e ndërron aviosinjalin nga TC-ATA në THY 8456 për t’i mashtruar puçistët. Megjithatë, avioni i Erdoğanit ndiqet nga avionët luftarakë F-16. Asnjëherë më parë gjatë kësaj nate kryengritësit nuk kanë qenë më afër për ta vrarë presidentin.

Përse nuk e bëjnë këtë mbetet enigmë deri më sot. Thuhet se pilotët luftarakë me gjasë frikësoheshin se avioni mund të jetë një makinë ajrore me pasagjerë.

Kur avioni arrin në Stamboll, pista është e mbuluar nga terri. Piloti bën xhiro mbi qytet. Por, shefi i policisë së Stambollit e siguron presidentin se njerëzit e tij mund të marrin kullën e aeroportit brenda një çerek ore. Erdoğani vendos të aterrojë.

Stamboll, rreth orës 01:45

Sabri Ünal, ekspert i informatikës, 35-vjeçar, kurrë nuk është interesuar aq për politikën. Gjatë zgjedhjeve shpesh ka qëndruar në shtëpi. Por, kur mëson në Twitter mbi përpjekjen për puç, ai del në rrugë. Në lagjen Üsküdar tashmë janë tubuar mijëra njerëz. Me urdhër të qeverisë xhamitë u bëjnë thirrje qytetarëve për rezistencë kundër puçit. Eksperti i informatikës dëshiron të shkojë te ura e Bosforit. Ai dëgjon një burrë duke bërtitur: «Shtriju! Po gjuajnë!» Pastaj ai sheh një tank duke ardhur me shpejtësi drejt tij. Ünal nuk arrin të shmanget. Ai hidhet në tokë. Një kamerë incizon dy tanke duke kaluar mbi të.

Kryengritësit gjenden nën presion gjithnjë e më të madh. «I kemi vrarë 20 deri 30 veta. Por, shokët tanë në urën e dytë të (Bosforit) kanë vështirësi», ankohet një major në WhatsApp. 3000 deri 4000 demonstrues rrethojnë selinë e AKP-së në Stamboll. Edhe në aeroportin Atatürk civilët rezistojnë.

Udhëheqësi i puçistëve Düzenli urdhëron: «Ndaj njerëzve që grumbullohen të hapet zjarr». Një shok i tij mendon njëjtë: «Digjni. Asnjë kompromis».

Parlamenti, Ankara, ora 02:35

Deputeti i AKP-së Mustafa Yeneroğlu po shkruante bashkë me përfaqësues të të gjitha partive një deklaratë të përbashkët kundër puçit, kur ushtarët sulmuan nga ajri parlamentin. Deputetët ikën në një bodrum të parlamentit.

Yeneroğlu përcjell përmes telefonit mobil se si puçistët bombardojnë pallatin presidencial dhe selinë e shërbimit sekret. Ai i dërgon një SMS gruas së tij, e cila gjendet me tre fëmijë në Gjermani, ku është rritur edhe Yeneroğlu: «Bëhu e fortë. Kujdesu për fëmijët».

Hotel Grand Yazici Club Turban, Marmaris, rreth orës 03:00

Njësi me helikopterë të puçistëve pritet të nisen nga kodrat e Taurusit për ta burgosur Erdoğanin. Por, forcat e sigurisë ndalojnë trafikun ajror. Puçistët dërgojnë ushtarë nga Izmiri.

Burra me uniforma kamuflazhi lëshohen me litarë prej tre helikopterëve në oborrin e Grand Yazici Club Turban. Ata vërsulen në hotel, gjuajnë me armë në ajër. Por, Erdoğan qëmoti ia ka mbathur. Një major më vonë shkruan në grupin e WhatsAppit: «A ia këputet kokën gjarprit?» Nuk merr përgjigje.

Sheshi Taksim, Stamboll, rreth orës 03:40

Policët kanë rrethuar sheshin Taksim, vendin qendror të qytetit për tubime politike. Ata gjuajnë gaz lotsjellës, ndalojnë ushtarë. Avionë luftarakë fluturojnë ulët mbi qytet. Për një çast duket se Turqia gjendet në luftë. Demonstruesit nuk largohen nga rruga. Puçistët e dorëzojnë sheshin Taksim, po ashtu edhe Qendrën për Mbrojtje nga Katastrofat, bursën dhe aeroportin Atatürk. «Zoti ju ruajttë», shkruan kolonel-lejtënanti Dünzeli nga qendra e puçit.

Aeroporti Atatürk, Stamboll, rreth orës 04:15

Njerëzit sapo i kanë përzënë puçistët. Tani ata përgatitën për t’i bërë Erdoğanit një pritje solemne. Ata çojnë duart lart për të bërë përshëndetjen e vëllazërisë myslimane. Ata bërtasin: «Tayyip! Jemi gati të vdesim për ty!»

Tiparet e fytyrës së Erdoğanit janë të shtangura, sytë i janë rrudhur. Në fjalimin e tij ai ia hedh fajin predikuesit Gülen për puçin: «Nëse e pranojmë se gjithçka ndodh për shkak të një arsyeje, atëherë kjo përpjekje (për puç) është dhuratë prej zoti. Sepse na mundëson ta pastrojmë ushtrinë».

Selia e puçistëve Akın­cı, Ankara, pas orës 06:00

Për puçistët tani çështja është vetëm si të mbijetojnë. Avionë luftarakë të ushtarakëve besnikë ndaj Erdoğanit janë ngjitur në qiell për t’i goditur ata sistematikisht. Planifikuesi i puçit Öksüz përpiqet pa sukses të largohet nga baza e forcave ajrore. Kundër gjeneralit Öztürk hapet zjarr kur ai futet në një helikopter. Ai arrestohet ashtu si gjeneralmajori Dişli dhe kolonel-lejtënanti Düzenli. Trupat qeveritare arrijnë ta lirojnë shefin e armatës Akar dhe e dërgojnë të në selinë e kryeministrit.

Stamboll, herët në mëngjes

«A dështoi operacioni?», pyet një major përmes WhatsAppit. «Po. Uroj të mbeteni gjallë, komandant», është përgjigjja që merr ai.

Sot

Të dyshuarit kryesorë për puçin, gjenerali Öztürk dhe gjeneralmajori Dişli duhet të përgjigjen këto javë para gjyqit në Ankara, Dünezli në Stamboll. Öksüz, i cili thuhet se e ka përgatitur grushtin e shtetit, është liruar përkohësisht nga një gjykatës për shkaqe që mbesin enigmatike. Ai gjendet në arrati. Shefi i shërbimit sekret Fidan dhe shefi i armatës Akar janë lejuar të mbajnë postet e tyre, ndonëse para puçit ashiqare kanë dështuar. Gjenerali Dündar, komandanti i Armatës së Parë, pas 15 korrikut përparoi në karrierë dhe u bë zëvendësshef i ushtrisë. Piloti Karaca, i cili me informatën dhënë MIT-it ndryshoi në mënyrë thelbësore rrjedhën e përpjekjes për puç, gjendet nën kontroll të shërbimit sekret. Me sa duket qeveria nuk dëshiron që ai të deklarohet publikisht. Disa pyetje nga nata e puçit mbesin pa përgjigje, para së gjithash kjo: përse nuk veproi qeveria më herët kundër rebelëve, ndonëse institucionet shtetërore më së voni të premten herët paradite ishin të informuara mbi planet e tyre? Por, edhe pjesëmarrja e Fethullah Gülenit nuk mund të përmendet qartë dhe të dëshmohet – përkundër shumë indikacioneve ndaj mbështetësve të Gülenit.

Ndryshe nga Perëndimi, në Turqi pothuaj askush nuk dyshon se kuadrot e Gülenit i kanë prirë kryengritjes. Pas shumë aksioneve të spastrimit në armatë kjo lëvizje ishte fraksioni i vetëm që kishte mjaft fuqi për t’iu kundërvënë qeverisë. Grupe të tjera është e mundur të jenë bashkuar me lëvizjen Gülen, mes tyre kemalistë dhe oficerë, të cilët shpresonin se pas puçit do të përparonin në karrierë.

Opozita po kërkon qartësi. Por, as shefi i shërbimit sekret, as shefi i armatës deri më tani nuk kanë dhënë deklarata para komisionit hetimor në parlament. Erdoğani nuk ka interes në hetimin e mëtutjeshëm të 15 korrikut. Atij tani i interesojnë gjëra të tjera. Eksperti i informatës Sabri Ünal ka qëndruar gjatë në spital, pasi tanket e kishin shkelur natën e puçit. Deri më sot ai pothuaj nuk mund të fle për shkak të dhimbjeve. Megjithatë, thotë ai, sërish do t’ua zinte rrugën puçistëve.

Bashkëpunëtor: Eren Caylan

Copyright: DER SPIEGEL. Për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus. Ndalohet ribotimi nga çfarëdo mediumi tjetër. Nga gjermanishtja përktheu: E.R.