Protestuesit pengojnë shfaqjen e filmit mbi marrëdhëniet serbo-shqiptare

Protestues me flamuj serb dhe që brohorisnin slogane anti-shqiptare parandaluan shfaqjen e një filmi mbi marrëdhëniet serbo-shqiptare në qytetin e Nishit.




Disa dhjetëra nacionalistë, përfshirë anëtarët e grupit të ekstremit të djathtë Obraz, ndaluan shfaqjen e një filmi të quajtur «Gratë shqiptare janë motrat tona» në qytetin jugor serb të Nishit të enjten në mbrëmje.

Ndërsa protestuesit valëvitnin flamuj serbë jashtë Media Centre, ku do të shfaqej filmi, disa prej tyre hynë në ndërtesë dhe filluan t’u bërtisnin organizatorëve.

«Ne e ndalojmë projektimin e këtij filmi pagan. Nuk do ta lejojmë këtë. Do t’ju rrahin të gjithëve për këtë dhe Media Centre do të shkatërrohet», bërtiti një burrë me një uniformë ushtarake, të cilin mediat e identifikuan si Branislav Vakiq, një ish-deputet i Partisë Radikale Serbe.

«Policia u përpoq vazhdimisht ta qetësonte atë, në vend që ta largonte atë menjëherë nga ndërtesa. Ata e shoqëruan jashtë kur tashmë ishte e qartë se filmi nuk do të shfaqej», tha një nga realizuesit e filmit, gazetari Darko Sper.

Protestuesit para Media Centre në Nish. Foto: Maja Legjenac/Beta.

Sper tha për BIRN se policia ishte e pranishme brenda dhe në pjesën e përparme të ndërtesës, ku rreth 30 deri në 40 persona «po këndonin këngë me zë të lartë».

«Në një pikë, ata filluan të gjuanin me dhe në tarracë kur ne dolëm atje», tha Sper.

Policia më vonë mohoi të jetë qëlluar me objekte gjatë incidentit.

Media serbe raportoi se lëvizja e krahut të djathtë Obraz mori përsipër përgjegjësinë për moslejimin e transmetimit të filmit, për shkak «të urrejtjes së tij të hapur ndaj Serbisë dhe popullit serb».

Obraz u shpreh se përpjekjet për të shfaqur këtë dhe filma të ngjashëm ishte një përpjekje nga «OJQ-të anti-serbe për të ndryshuar ndërgjegjësimin e serbëve».

Organizata e krahut të djathtë u ndalua në vitin 2012 nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë.

Me dhjetëra aktivistë të djathtë u përpoqën gjithashtu të ndalonin shfaqjen e një tjetër filmi që fliste për jetën në Kosovë, të titulluar «Kosovo… Nazdravlje! Gëzuar!», në qytetin verior serb të Novi Sadit më 11 qershor.

Të djathtët gjithashtu protestuan në Beograd në fillim të qershorit kundër festivalit «Mirëdita – Dobar Dan», qëllimi i të cilit është afrimi më shumë i kulturës së Serbisë dhe Kosovës.

«Gratë shqiptare janë motrat tona» u shfaqën në festival.

Filmi flet për bombardimet e NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, dhe njerëzit në Serbi që po i rezistojnë mobilizimit dhe po organizojnë protesta kundër luftës.

Ashtu si «Kosovo … Nazdravlje! Gëzuar!», është një nga pesë filmat e realizuar si pjesë e një projekti të quajtur «Njerëz të vërtetë – Zgjidhje të vërteta», realizuar në bashkëpunim me BIRN Kosova, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës dhe Forumi ZFD dhe është mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Serbi.

(https://www.reporter.al/protestuesit-pengojne-shfaqjen-e-filmit-mbi-marredheniet-serbo-shqiptare/)