Protestuesit godasin me vezë anëtarin e Partisë Konservatore në Angli

Një anëtar i Partisë Konservatore britanike është gjuajtur me vezë ditën e sotme nga një turmë e zemëruar pasi i njëjti në dorë po mbante një kopje të numrit të sotëm të gazetës «Daily Telegraph» ku shihej Margaret Thatcher.




Turma ishte mbledhur për të protestuar kundër masave shtrënguese ndërsa anëtari i Konservatorëve, siç raporton «The Independent», ka qenë duke vrojtuar grupin protestues nga një cep, transmeton Koha.net.

I riu mund të shihet duke qeshur dhe duke valëvitur kopjen e gazetës «Daily Telegraph» para protestuesve para se veza ta godiste atë mu në ballë.

Gazeta e sotme «DT» paraqet një fotografi të ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher në ballinën e saj dhe me sa duket ajo e ka irrituar turmën.

Në videon e publikuar në Youtube të këtij incidenti mund të shihet se si tërhiqet ai menjëherë pasi u godit me vezë për t’u pastruar. Disa shfrytëzues të mediave sociale kanë raportuar se për këtë incident është arrestuar një person.

Kjo protestë, e cila thuhet të ketë mbledhur rreth 80 mijë persona, kaloi pa incidente të mëdha, përveç këtij rastit me vezë dhe një sulmi të vogël ndaj një gazetari të Huffington Post.