Protestat në Maqedoni janë vetëm fillimi

Ballkani i lënë pas dore, shkruan revista amerikane «Foreign Affairs». Andaj shpërthimi i dhunës nuk është befasi.




Si shumica e terroristëve, edhe ai ishte i ri. Ishte i lindur vetëm disa ditë para se vendi i tij të ngufatej prej urrejtjes; jo fort shumë kohë pas ardhjes së tij në këtë botë, babanë ia kishin rrëmbyer dhe vrarë autoritetet, bashkë me dhjetëra myslimanë të tjerë sunitë. Rioshi 24-vjecar, para dy javësh ia mësyu një stacioni policor dhe bërtiti zëshëm thirrjen xhihadiste të luftës, «Allahu Akbar!» dhe pastaj filloi të qëllonte. Vrau një oficer dhe plagosi dy të tjerë, para se ta vriste një polic.

Gjatë fundjavës, nja pesëqind kilometra më në jug, tetë policë të tjerë u vranë bashkë me katërmbëdhjetë të dyshuar terroristë në një luftim afër një kufiri ndërkombëtar të krijuar pas tmerrit të Luftës së Parë Botërore, të cilin më nuk po e njohin radikalët.

Një tjetër ditë në Siri ose Irak? Jo, kjo ndodhi në Evropë, një ditë vozitje qejfi nga Vjena. Sulmi i parë në Zvornik, qytezë në entitetin serb të Bosnjës, ishte përkujtues shokues i ndikimit potencial të islamit radikal në rajon, veçanërisht në kulmin e ngritjes së Shtetit Islamik (gjithashtu të njohur si ISIS). Vetëm një numër i vogël boshnjakësh janë radikalizuar, dhe shumë më pak kanë shkuar në Siri dhe Irak. Por në Ballkanit ende të ndarë, nuk duhen shumë radikalë që të destablizohet një shtet.

Nuk është vetëm islami radikal kërcënimi i vetëm i gjithë atyre viteve pune dhe miliardave të investuar në rajon prej amerikanëve dhe partnerëve të tyre evropianë. Në kohën kur ka hasur sharra në gozhdë e Perëndimit në Ukrainë, Rusia ka nisur të tregojë muskujt me rolin e saj në Ballkan, duke kërkuar solidaritetin e sllavëve ortodoksë.

Në të vërtetë, Moska është zotuar për përkrahje të fuqishme për Qeverinë në telashe të Maqedonisë, ku ndodhi incidenti i dytë shokues. Luftimet e fundjavës, me hedhje granatash, të shtëna snajperësh dhe armësh automatike, u zhvilluan në qytetin e Kumanovës afër kufirit të Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë. Qeveria i përshkroi luftimet si betejë ndërmjet policisë dhe «një prej grupeve më të rrezikshme terroriste në Ballkan», duke supozuar për radikalët shqiptarë. Janë shumë të paqarta arsyet e vërteta të luftimeve atje, madje edhe koha e incidentit ngreh shumë dyshime, duke ditur se Qeveria po përballet me valë në rritje protestash pas publikimit të abuzimeve masive qeveritare. Derisa presidenti maqedonas po turrej të kthehej nga Rusia, nikoqiri i tij kritikoi ashpër demonstruesit dhe paralajmëroi në shenjë kundërshtimi ndaj një tjetër «revolucioni ngjyrash».

Me Maqedoninë që po përballet me atë që po duket telash i madh, me unitetin boshnjak të vënë në dyshim si asnjëherë më parë qysh prej kohës së luftës dhe me Kosovën që po dëshmon eksod masiv të qytetarëve të saj që i kanë çuar duart prej Qeverisë së saj përçarëse dhe të korruptuar deri në fyt, tri shtetet e rajonit po qëndrojnë në teh të shpatës. Rrëshqitja drejt radikalizmit dhe belave ndëretnike, bashkëngjitur me oportunizmin islamik ose rus, gjithçka po vihet në dyshim. Dhe nëse punët shkojnë kështu, diplomatët amerikanë e evropianë do të jenë të detyruar t’i përgjigjen më në fund pyetjes: Kush e humbi Ballkanin?

Pikërisht si në kohën e kulmit të luftërave në ish-Jugosllavi, SHBA-ja dhe BE-ja duhet ta qesin seriozisht gishtin në kokë. Në fakt, faji do të ndahet në hise. As kriza në Ukrainë e as ato në Lindje të Mesme nuk mund të jenë alibi për politikat e ndruajtur dhe vëmendjen sporadike perëndimore të viteve të fundit. E vërteta është se megjithëse destabilizimi në Ballkan përbën larg më pak kërcënim për interesat perëndimore se sa agresioni i Putinit a barbarizmi i ISIS-it, është larg më pak e lehtë për kapërcimin e kësaj sfide. Nuk ka armë bërthamore në rajon. Deri tash ka qenë jashtëzakonisht i rrallë terrorizmi vetëvrasës. Dhe mbi të gjitha, ndryshe prej Ukrainë ose prej vendeve të Lindjes së Mesme, madje edhe shtetet më të ndara të Evropës Juglindore prapëseprapë ndajnë një orientim të përbashkët strategjik, me shifra përgjithësisht të larta të përkrahjes së anëtarësimit në NATO dhe BE.

Por në vend se të shfrytëzohet kjo bazë e fuqishme për kapërcimin e pengesave të mbetura drejt integrimit euro-atlantik, Perëndimi ka lejuar shtetet e brishta të rajonit të shënojnë prapakthim. SHBA-ja me maturi ia kishte dorëzuar përgjegjësinë e Ballkanit Bashkimit Evropian, që me kujdes ua kishte deleguar përgjegjësinë kryesore krerëve të rajonit. Pa karota dhe shkopinj të nevojshëm për të frenuar veprimet e tyre, politikanët kanë konsoliduar me të madhe rrjetet e tyre të korruptuara të patronazhit, kanë bashkëvepruar ose marrë kontrollin e mediave dhe i kanë rezistuar reformave të thella.

Përleshje në Maqedoni

Maqedonia është shembull kryesor i pasojave të vëmendjes sporadike. Me ndihmën intensive ndërkombëtare që pasoi shpërthimin e armiqësive ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë më 2001, vendi shënoi përparim të qëndrueshëm në ndërtimin e institucioneve të përbashkëta demokratike. Kryeministri i tanishëm, Nikola Gruevski, mori kryesimin e Qeverisë më 2006. Pas katër palë zgjedhjeve gjithnjë e më të dyshimta, ia doli të konsolidonte pushtetin duke molisur drejtësinë, margjinalizuar opozitën dhe kapur mediat e pavarura. Maqedonia radhitej më 2007 në vendin 36 përpara Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Indeksin për lirinë e shtypit të «Freedom House». Maqedonia vjet u fundos në vendin 123, duke u futur në një thes me shtet si puna e Venezuelës. Njëkohësisht ekonomia e vendit mbetet e brishtë apo kalon nëpër një huamarrje në rritje të paqëdnrueshme dhe me pasoja të ashpra.

Edhe pse në mesin e krerëve më të rinj të rajonit, Gurësi do të qëndronte në pushtet edhe gjatë viteve të ardhshme po të mos ishte publikimi i skandalit të përgjimeve që zbuloi përmasat ngufatëse të abuzimit qeveritar. Thirrjet telefonike, që po publikohet në mënyrë periodike, ngrenë dyshime të forta për orkestrimin e drejtpërdrejtë qeveritar të mashtrimeve ekonomike dhe politike, përgjimeve masive elektronike, linçim të kundërshtarëve politikë për krime dhe madje akuza për vrasje. Në zbardhjen e skandalit më shokues në kuadër të tyre publikuar javën e kaluar, dyshohet seriozisht se zyrtarë të lartë qeveritarë ishin të përfshirë në aksidentin e dyshimtë të një makine që ia mori jetën një kritiku të njohur të qeverisë. Flitej për mbulimin e ngjarjes. Në një përgjim tjetër merret vesh se qeveria kishte punuar nën qilim për neutralizimin e një rasti ku policia kishte rrahur për vdekje një të ri vetëm që të hakmerrej. Gruevski dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë i kanë mohuar dyshimet, duke pretenduar se përgjimet janë punë e «agjentëve të huaj» të paspecifikuar, që e kanë qëllim ta destabilizojnë vendin.

Mijëra maqedonas të rinj në kundërpërgjigje ndaj kësaj qasje janë përleshur guximshëm këtë muaj me policinë e njësiteve speciale. Ata dhe opozita kërkojnë që kabineti i tanishëm qeveritar t’ia delegojë kompetencat një qeverie teknike derisa të mbaheshin zgjedhjet e reja, njëkohësisht të kryheshin hetime të pavarura të dyshimeve të ngritura prej përgjimeve. Me tensionet që po bëhen sa malet, opozita ka ftuar qytetarët për një protestë masive në fundjavën e ardhshme. Duke parë pasojat e ashpra legale dhe personale nëse do të jepte dorëheqje, Gruevski duket se është i vendosur që të luftojë deri në fund, duke e vënë në cep të humnerës stabilitetin e Maqedonisë.

Degëzimet e dhunës shokuese të fundjavës në Kumanovë janë të paparashikueshme po aq sa rrethanat e përplasjes që mbeten misterioze. Maqedonia ka një të kaluar që ngrit shumë dyshime për të shtënat dhe përleshjet. Madje ka një precedent, si ai i vitit 2002 kur shtatë emigrantë nga Pakistani dhe India ishin vrarë nga policia në një incident misterioz. Maqedonia pretendonte se vrau të dyshuar për terrorizëm. Një gjykatë maqedonase liroi nga të gjitha akuzat ish-ministrin e Brendshëm si përgjegjës të vrasjeve. Muajin e kaluar një zëdhënës maqedonas i policisë pretendoi se 40 radikalë shqiptarë sulmuan një stacion policor në kufi me Kosovën, megjithëse as Policia e Kosovës e as NATO-ja nuk kanë qenë në gjendje ta konfirmojnë këtë aktivitet.

Në mënyrë ironike këmbimi i të shtënave ndërmjet policisë maqedonase dhe radikalëve të dyshuar shqiptarë vjen në kohën kur vendi ka shënuar një kthesë mbresëlënëse në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Për herë të parë në historinë e saj 24-vjecare si shtet i pavarur modern, shqiptarë dhe maqedonasit etnikë duket se janë përgjithësisht të bashkuar kundër diktaturës që po vjen. Me pothuajse të gjitha stacionet televizive nën kontroll qeveritar, është Alsat-i, stacioni televiziv shqiptar, ai që ka publikuar përgjimet dhe ka ofruar hapësirë të gjerë për zërat opozitarë, një gjest mbresëlënës solidariteti. webfaqet shqiptare kanë publikuar kritika dhe komente të ashpra antiqeveritare të maqedonasve etnikë, diçka që nuk ishte dëgjuar në sektorin mediatik që tradicionalisht ka qenë i ndarë në bazë etnike. Mediat kanë sjellë dëshmi që i kanë nxjerrë qyqarë partitë politike në pushtet e në opozitë të shqiptarëve, që kanë qenë të heshtura kundrejt skandalit masiv.

Bashkësia ndërkombëtare ka mundur të luante rol vendimtar me ofrimin e një zgjidhjeje paqësore, por deri tani reagimi i saj ka qenë në nivel përpjekjesh. Vetëm ambasadori gjerman ka bërë hapur thirrje për dorëheqje të kabinetit qeveritar. Në kulmin e dhunës së fundit, Ambasada amerikane u është bashkuar BE-së, NATO-s dhe SOBE-së që të bëjë thirrje që në mënyrë të duhur «krerët e vendit të bashkohen dhe të angazhohen në dialog për të gjitha çështjet me të cilat po përballet vendi».

Është tipike për Perëndimin që të kërkojë shmangien e konfrontimit me Gruevskin, duke lejuar atë dhe figurat e tjera të mbajnë hapur në diskutim çështjet vluese të rajonit të trazuar. Por një leksion zori që kurrë nuk duhet harruar qysh prej shkatërrimit të dhunshëm të Jugosllavisë para 25 vjetësh është se dështimi për t’u marrë me problemet esenciale vetëm sa ka mundësuar që të bëhet edhe më e zorshme zgjidhja e tyre në fund. Kjo është më se e vërtetë kur vjen puna në rastin e Maqedonisë, ku kundërshtimet e kamotshme greke për emrin, që Athina e konsideron si vjedhje të trashëgimisë greke, e kanë lënë Maqedoninë jashtë NATO-s (ku ende është aktive oferta për anëtarësim) dhe BE-së (me të cilat do të duhej të hapte negociatat). Destabiliteti i tanishëm i vendit do të mund të shmangej po që se Shkupi do të lejohej të përparonte drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Në vend se të ashpërsonte autokracinë, Gruevski do të frenohej prej kërkesave të qarta që u vërtetua se fuqizuan tjetërkund institucionet demokratike.

Në vend se të nxiste një konsensus transatlantik për urgjencën për kompromis për punën e emrit – për të cilën gjë ekzistojnë shumë mundësi – SHBA-ja është fokusuar në këtë punë vetëm kur është detyruar të merrej me të. Në prag të Marrëveshjes së Daytonit në Ohio më 1995, që i dha fund luftës në Bosnjë, Richard Holbrooke arriti një modus vivendi ndërmjet Athinës dhe Shkupit. Kriza e vitit 2004 në Maqedoni nxiti administratën e Bushit që më në fund ta njihte Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Nga frika se do të merrte goditje prej palës greke, ky vendim kurrë nuk u materializua. Pavarësisht këtij fakti, SHBA-ja e la këtë çështje deri në samitin e NATO-s më 2008, kur ishte bërë tepër vonë që palët të arrinin kompromis. Duke nënvlerësuar pafuqinë e Perëndimit për këtë çështje, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësi nxori verdiktin më 2011 se Athina nuk kishte të drejtë t’ia mohonte Maqedonisë anëtarësimin në NATO.

Për më tepër, aleanca vazhdon ta lërë Shkupin, pavarësisht përmbushjes së të gjitha kërkesave për anëtarësim, në dhomën e pritjes.

Gruevski ka rrëmbyer rastin prej paralizës ndërkombëtare për ta provokuar Greqinë e frutuar me punën e emrit, me nxitje të nacionalizmit maqedonas. Gruevski së fundi ka pretenduar se përgjimet janë pjesë e një konspiracioni ndërkombëtar të dizajnuar për ta detyruar atë të lëshojë pe prej punës së emrit. Prej anës së saj, Athina së fundi është shfaqur si një lojtar kyç në përpjekjet transatlantike për të prishur planet e tubit ruso-turk të gazit, që Greqia të mbahet kundrejt presionit perëndimor për punën e emrit, edhe për kundër pothuajse falimentimit të vendit. Me pak fjalë, si në rastet e tjera nga rajoni, mosvëmendja perëndimore vetëm sa e ka bërë më akute dhe më të tensionuar çështjen e emrit të Maqedonisë.

Bosnja e thyer

Nëse Maqedoninë e ka rrokur dhimbje akute, Bosnja po përballet me një plagë më të thellë dhe pothuajse të pashërueshme. Islami radikal dhe ndikimi rus po tensionojnë dyshimet etnike gjithnjë aktive. Njëkohësisht, disa prej politikanëve të vendit po ndërmarrin hapa konkretë për ta ndarë vendin. Partitë serbe dhe kroate në pushtet së fundi kanë bërë të ditur zotimin e tyre një referendum separatist që për herë të parë, përfshin edhe datën konkrete, 2018, për një plebishit popullor. Nëse referendumi serb organizohet, nuk ka asnjë fije dyshimi se do të ringjallen armiqësitë.

Bosnja do të përballet me testet afatshkurta të kohezionit të saj menjëherë në këtë verë. Pritet të publikohen në qershor rezultatet e shumëpritura të regjistrimit të shtyrë, me mundësi potenciale të hedhjes benzinë të zemërimit në mesin e boshnjakëve (myslimanëve boshnjakë), kroatëve dhe serbëve, që secila palë mund të fryjë shifrat për të pasur përparësi ose ankesa për disavantash sistematik. Pastaj  Bosnja në korrik do të shënojë 20-vjetorin emocionues të masakrës së Srebrenicës, ku ishin vrarë e masakruar në duar të forcave serbe më shumë se shtatë mijë burra dhe djem boshnjakë.

Krerët e SHBA-së dhe BE-së i kanë çuar duart prej prioritetit të tyre që Bosnja të ndryshojë kushtetutën jashtëkohore që është përgjegjëse për shumicën e krizave politike që e mbajnë vendin pikë e pesë. Krerët e BE-së tani janë barrikaduar rreth një politike të re që më shumë ka prioritet marrjen e masave ekonomike dhe sociale. BE-ja dhe FMN-ja do të publikojnë muajin e ardhshëm «plani veprues të reformave» që ka për qëllim të kapërcejë shkurtimet e kamotshme dhe të shkarkojë administratën prej detyrave burokratike me qëllim të zbatimit të reformave të nevojshme për anëtarësim në BE. Fatkeqësisht publiku është kundër shkurtimit të vendeve të punës në sektorin publik dhe shumë politikanë druajnë se reforma do t’i detyrojë ata të privatizojnë kompanitë publike që deri tani po i manipulojnë për patronazh dhe ryshfet, Duke nuhatur këtë rezistencë, bashkë me konfrontimin e mundshëm të zyrtarëve lokalë, Brukseli tashmë ka bërë Pazar me kërkesat e veta për marrëveshje formale ndërmjet Bosnjës dhe BE-së dhe zyrtarët e kanë bërë të qartë se sipas asaj marrëveshje të arritur në fillim të këtij viti, statusi i kandidate si Bosnjës është kyç për strategjinë e tyre të fundit për vendin e trazuar.

Duke hequr dorë prej substancës, BE-ja nuk duket se do të arrijë farë përparimi të domosdoshëm tani se sa që është bërë gjatë nëntë viteve të kaluara. Kështu ishte puna edhe në Maqedoni më 2006 kur nisi humbja e fuqisë së institucioneve demokratike që ishin ndërtuar me ndihmën vendimtare të bashkësisë ndërkombëtare që qëndronte si roje te koka e krerëve të vendit.

Zbatimi me maturi e një forme të pa kompromis e pronësisë lokale ndaj institucioneve, zyrtarët kokëfortë (veçanërisht në entitetin serb) nisi t’ia ndalte frymën përparimit dhe sfidoi hapur unitetin e vendit. Derisa SHBA-ja është munduar me kujdes që ta futë BE-në në veprim dhe zyrtarët lokalë të arrijnë kompromis, krerët boshnjakë kanë hequr dorë prej të gjitha përpjekjeve dhe vendi është zhytur në stagnim. Me 14 qeveri të ndara, institucionet e vendit sot janë relikte jofunksionale të kohës së luftës, duke pamundësuar investimet dhe bashkëpunimin ekonomik.

Gjëja e vetme pozitive prej sulmit terrorist në Zvornik është se më në fund mund të dridhë zyrtarët ndërkombëtarë dhe që të angazhohen në veprime konkrete. Një pako BE-FMN që ndërlidh standardet ambicioze me nisma financiare bujare dhe ndëshkime të besueshme – si rikthimi i regjimit të vizave dhe ndalja e fondeve për krerët hezitues – mund më në fund të përqendrohet mendja në Bosnjë.

Shembulli i Kosovës

Përpjekja dashamire gjithashtu mund të sjellë rezultate në Kosovë, zona e rolit më të rëndësishëm të BE-së. Nën lidershipin e Brukselit, dhe me mbështetjen e fuqishme amerikane, Serbia dhe Kosova u pajtuan për normalizimin e marrëdhënieve të tyre para dy vitesh. Por luhatja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës po zmadhohet prej refuzimit të pesë shteteve anëtare të BE-së që ta njohin Kosovën e pavarur, bashkë me korrupsionin endemik, duke e zhytur Kosovë në mjerim. Dhjetëra mija kosovarë kanë braktisur vendin e tyre drejt BE-së, duke shprehur mungesën e besimit të tyre se në të ardhmen mund të mbahen në këmbët e veta.

Vazhdojnë të gjejnë tokë të pëlleshme mundësitë radikale për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, që do të rihapte konfliktin me Serbinë. Të moderuarit e dikurshëm kanë nisur të ashpërsojnë qëndrimin e tyre kundër kompromisit të mbështetur prej Brukselit. Njëkohësisht Kosova ka parë shenja neveritëse të radikalëve islamikë, që ua fusin frikën në palcë serbëve dhe myslimanëve të moderuar shqiptarë. Shqetësimi më i madh është se islamikët do të bashkohen me nacionalistët shqiptarë radikalë në kauzën e tyre, duke injektuar destabilitet më të madh në vend, siguria e të cilit ende mbikëqyret prej NATO-s, bashkë me një prani substanciale të BE-së.

Brukseli dhe Washingtoni duhet t’i shtyjnë krerët shqiptarë të lëvizin përpara tani për zbatimin e reformave kyç të sundimit të ligjit, njëkohësisht duke joshur Beogradin dhe Prishtinën të merren vesh për cështje të diskutueshme larg më pak të rënda se ato që i tejkaluan më 2013. Këto bisedime kanë dëshmuar se kur kushtet e Brukselit për përparim drejt anëtarësimit në BE bëhen pjesë e marrëdhënieve të tyre, atëherë serbët dhe shqiptarët nisin të lëvizin drejt kompromisit.

Rreziqe ka me bollëk, por kjo assesi nuk nënkupton se nuk ka shpresë për Ballkanin. Ironia e krizave të sotme në Maqedoni, Bosnjë dhe Kosovë është se derisa disa liderë luajnë me kartën e nacionalizmit, më shumë qytetarë se ndonjëherë më parë janë të gatshëm të lëvizin përtej dallimeve të kaluara etnike. Është shpenzuar kohë e gjatë duke zgjatur çështjet e jashtëzakonshme të rajonit me nisma jo adekuate dhe të përkohshme. Nuk kërkohet të harxhohet pa hesap nëpërmjet përpjekjeve neglizhuese dhe të ndruajtur, por nëpërmjet përpjekjeve parimore (dhe jashtëzakonisht të suksesshme, që nisën me kurajë dhe vizion. Nuk kërkohet kurrgjë më shumë për zgjidhjen e problemeve të sotme, përveç se zyrtarët edhe njëherë t’i rrokin edhe një herë seriozisht në dorë.